Kryeministri i Francës, Jean-Marc Ayrault, deklaroi se modeli aktual i javësh 35-orëshe të punës, që qeveria e tij socialiste e vendosi në vitin 2000, mund të ndryshojë dhe nuk është tabu. I pyetur për mundësinë e rikthimit te java 39-orëshe e punës gjatë një takimi me lexuesit e gazetave, ai tha: “Pse jo? Nuk është tabu.”


Komentet e tij shkaktuan një stuhi politike dhe Ayrault u përpoq më vonë t’i ftohë gjakrat. Socialistët fituan zgjedhjet në maj, duke premtuar ruajtjen e kësaj mase. Ligji nënkupton që punonjësit mund të paguhen ekstra në rast se punojnë më shumë se 35 orë në javë. Ajo synonte të nxiste punësimin e stafit të ri, por kritikët argumentojnë se thjesht sa është rritur kostoja e punësimit dhe është dëmtuar konkurrueshmëria.


Nicolas Sarkozy, ish-presidenti konservator që humbi zgjedhjet, u përpoq ta rrëzonte ligjin kur ishte në pushtet. Tani socialistët janë duke hasur vështirësi në rigjallërimin e ekonomisë. Kryeministri socialist u tha lexuesve në një takim të posaçëm, se ai vetë nuk është dogmatik dhe se çdo politikë është e diskutueshme në kuadër të pasojave që prodhon. Deklarata e tij u prit me kritika të ashpra nga e majta dhe me lëvdata nga e djathta.


Të drejtat e punëtorëve në Francë janë të garantuara nga një pafundësi ligjesh. Paga minimale në këtë vend është nga më të lartat në Europë në krahasim me gjendjen ekonomike.