Beson te lojtarët dhe është i bindur te rikthimi i Tiranës


Altin Manallari


Ka qenë gjithnjë aty, i gatshëm për Tiranën, klubin për të cilin ka shpenzuar pjesën më të madhe të jetës së tij. Dhe e ka bërë me dashuri dhe përgjegjësi të madhe. Ky është Alban Tafaj, trajneri i ri i Tiranës deri në fundin e fazës së parë të Kategorisë Superiore. Gjatë kësaj kohe do të mbajë edhe postin e drejtorit teknik. Zgjedhja e tij nuk ka ngrënë shumë kohë, pasi ai aty ka qenë gjithnjë, ka shërbyer si një “kamerdare” shpëtimi për 24-herë kampionët, sa herë që këta të fundit kanë pasur nevojë emergjente për trajner. Dhe asnjëherë nuk ka thënë jo. Nuk e bëri as kësaj radhe, pas dorëheqjes së Artur Lekbellos. “Të ndodhur në një situatë të tillë nuk do ta refuzoja këtë detyrë të ngarkuar për të drejtuar Tiranën, rrëfen Tafaj. S’do ta refuzonte asnjë trajner tjetër, kështu që unë e pranova me kënaqësi. Jam nga ata që kam kontribuar tërë jetën për këtë klub, unë dhe familja ime, që e ndjejmë më shumë se kushdo tjetër peshën e fanellës së Tiranës, prandaj në çdo kohë kam qenë i gatshëm për të kontribuar për këtë skuadër, ku të ketë nevojë”. Është konsideruar gjithnjë si trajneri i fshehur i Tiranës, i cili shfaqet vetën në momentet e vështira. Dhe ky është një moment i tillë për bardheblutë. Por tekniku i ri kërkon të harrohet ajo që ka kaluar dhe ka besim se me potencialin që ka në ekip, do të mund ta rikthejë Tiranën në luftën për titull. “Mendoj se nuk është momenti për të kthyer kokën mbrapa, insiston 39-vjeçari. Rezultatet negative ndikuan direkt në ecurinë e skuadrës. Dy gjëra i kam kërkuar skuadrës sot (dje): karakter dhe dinjitet. Janë këta dy elementë që Tirana i ka pasur në gjak dhe i kanë humbur disi, që jam i bindur se do të rikthehet. Jam nga të vetmit që vazhdoj të besoj te ky grup. Jam i bindur se do ta ndryshojmë situatën”. Ishte pikërisht humbja me Kukësin 4-0 në Kupën e Shqipërisë ajo që dha alarmin dhe më pas kriza e rezultateve u vulos me humbjen 2-0 ndaj Skënderbeut në kampionat. Megjithatë, këtë fundjavë, kampionët rekordmenë të vendit do të kenë mundësinë që të marrin hak ndaj kuksianëve. “Humbja me Kukësin dhemb ende, pohon Tafaj. Të jeni të bindur se nuk do të bëjmë gabimet e së shkuarës dhe takimi i fundjavës me Kukësin do të jetë një histori krejt tjetër nga ajo e Kupës. Kjo nuk do të thotë se Kukësin do ta nënvlerësojmë, përkundrazi ai është një ekip që meriton respekt dhe nuk është më surprizë. Këtë e ka treguar në investimet në skuadër dhe në infrastrukturë. E theksoj edhe një herë se besoj te karakteri dhe dinjiteti i këtij grupi dhe kështu do të arrijmë të bëjmë lojën tonë për të shkuar më pas te rezultatet e dëshiruara”. Megjithatë që në ditën e tij të parë në krye të Tiranës, trajneri i ri kërkon mbështetjen e tifozëve, të cilët e braktisën skuadrën në supersfidën ndaj Skënderbeut: “Jemi ndjerë keq dhe të vetmuar në Korçë që nuk ishin tifozët tanë, e sidomos grupi ‘Fanatics’. Prania e tyre në stadium është gjithnjë një plus i madh për skuadrën tonë. Këtë e treguan edhe në Vlorë, ku barazuam dhe ata ishin në shkallët e stadiumit. Besoj edhe te rikthimi i tij, pasi janë më shumë se lojtari i 12-të”, përfundoi Alban Tafaj.


 


Deklaratat


Emërimi – “Të ndodhur në një situatë të tillë të vështirë nuk do ta refuzoja këtë detyrë të ngarkuar për të drejtuar Tiranën. S’do ta refuzonte asnjë trajner tjetër”


Kërkesa – “Dy gjëra i kërkova skuadrës: karakter dhe dinjitet. Këta dy elementë që Tirana i ka pasur në gjak dhe i kanë humbur disi. Jam i bindur se do të rikthehet”


Kukësi – “Humbja me Kukësin dhemb ende. Nuk do të bëjmë gabimet e së shkuarës dhe takimi i fundjavës me Kukësin do të jetë një histori krejt tjetër nga ajo e Kupës”