Korçë
I prangosuri Kodralli: Isha në shtëpi kur ndodhi krimi. Djalin e tij e kam shok të ngushtë
Policia tha se ende nuk është qartësuar plotësisht motivi, por të arrestuarit iu gjet barut në bluzë
Hetimet – Gjatë pesë ditëve, që nga momenti i vrasjes, pikërisht më 27 tetor, policia e ka shoqëruar disa herë si të dyshuar Kodrallin, duke e marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes, por edhe nëse kishte ndonjë dyshim për këtë krim
Vrasja në Vloçisht të Korçës dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për borxhet e bixhozit. Këto janë dyshimet e policisë lokale, të cilat kanë bërë arrestimin e një të dyshuari për krimin e rëndë, i cili nuk e ka pranuar vrasjen, duke pretenduar se ai ishte shok i ngushtë me djalin e viktimës. Policia e qytetit juglindor tha se i arrestuari për vrasjen e Hetem Henës është Edison Kodralli, 35 vjeç, i cili banonte në të njëjtin fshat me viktimën.
Drejtori i Policisë së Korçës, Gjergj Jorgo, ka dalë dje në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se është identifikuar dhe arrestuar autori i vrasjes së 58-vjeçarit Hena, i cili u ekzekutua me plumba kallashnikovi në lokalin me lotari sportive të të birit, teksa e ruante natën. Më tej, drejtori i policisë së këtij qyteti deklaroi se ende nuk është zbardhur plotësisht motivi i krimit të rëndë në fshatin Vloçisht, megjithëse janë gjetur faktorë plotësues që lidhin të arrestuarin Edison Kodralli me vendin e ngjarjes dhe viktimën. Sipas grupit hetimor, 35-vjeçari e ka qëlluar me kallashnikov të njohurin e tij, me të cilin ka pasur një konflikt të momentit. Pas vrasjes, i dyshuari mendohet se ka tentuar të fshijë të gjitha gjurmët në vendin e ngjarjes, por që nuk ia ka dalë mbanë, duke lënë disa prova, që janë vërtetuar shkencërisht nga grupi hetimor.
Në këto kushte, gjatë pesë ditëve, që nga momenti i vrasjes, pikërisht më 27 tetor, policia e ka shoqëruar disa herë si të dyshuar Kodrallin, duke e marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes, por edhe nëse kishte ndonjë dyshim për këtë krim. Sipas të dhënave të policisë, shoqërimet janë bërë në bazë të dyshimeve që kishte familja e të ndjerit, e cila dyshonte kryesisht te disa fqinj të saj, për shkak të konflikteve të pronësisë, që kishin pasur me ta. Gjithashtu, policia tha se veç të dyshuarve të familjes, të dyshuar për krimin kanë qenë edhe personat që i kishin para borxh familjes Hena, sidomos djalit të Hetemit, në lokalin e të cilit frekuentonin lotari sportive, lojëra fati, por edhe lloje të tjera bixhozi. Pikërisht nga bixhozi, disa prej banorëve kishin mbetur borxh te familja e viktimës dhe policia i ka futur në sitën e të dyshuarve.
Gjatë marrjes në pyetje të Kodrallit, si një prej borxhlinjve, policia ka pikasur kundërthënie në deklaratat e tij, kështu që ka verifikuar gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, duke i krahasuar me ato të personit të dyshuar, që kanë rezultuar të njëjtat. Në këto kushte, policia e ka marrë në pyetje si të dyshuar për krimin, por Kodralli nuk e ka pranuar një veprim të tillë. “Unë jam shok i ngushtë me djalin e Hetemit dhe nuk kam pasur kurrë konflikte me të. Jemi rritur bashkë dhe shtëpitë i kemi shumë afër njëra-tjetrës. Në orarin e vrasjes, unë kam qenë në shtëpi”, mësohet se ka deklaruar ai para oficerit të policisë gjyqësore. Policia ka ushtruar edhe kontroll në banesën e tij për të gjetur prova më të forta për vrasjen, por nuk ka mundur të sigurojë gjë tjetër. Gjithashtu, policia tha se po kërkon armën e krimit, pasi ende nuk është gjetur, ndërkohë që motivi mendohet se është ai i një konflikti për borxhe. Sipas të dhënave, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, mësohet se 35-vjeçari ka lënë rreth 1.5 milionë lekë të vjetra në bixhoz gjatë muajit tetor. Madje, natën e krimit, ai mendohet se ka lënë 90 mijë lekë të vjetra dhe ka kërkuar nga Hetemi që t’ia kthente mbrapsht. Kjo mendohet se ka shkaktuar konflikt mes tyre dhe Kodralli ka vendosur ta vrasë e më pas të mbulojë gjurmët. Prova më e fortë e policisë është gjurma e barutit, e gjetur në bluzën e të arrestuarit Edison Kodralli. Red. Akt.