Shkodër
Një sipërmarrës italian, i cili jeton dhe punon në Shkodër, si drejtues i një biznesi privat është grabitur me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve brenda banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, ku italianit me iniciale M. G. i janë marrë dy celularë dhe një shumë parash prej 40 mijë lekësh. Por, policia e Shkodrës ka bërë të mundur të prangosë autorin e ngjarjes dhe të shpallë në kërkim një shtetas tjetër si bashkautor të personit të arrestuar. Sipas policisë së Shkodrës, autorët kanë hyrë brenda shtëpisë, ku banonte i vetëm italiani në momentin që ai ka qenë brenda dhe pasi e kanë kërcënuar, i kanë marrë dy celularët dhe shumën e parave, që ai dispononte me vete. Pas ngjarjes, i dëmtuari ka bërë denoncim në policinë e Shkodrës, e cila ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen. Në fillim, grupi hetimor ka gjetur disa shenja gishtash në banesën e italianit, i cili ishte grabitur me dhunë. Më pas, policia ka shoqëruar disa persona, si të dyshuar se kanë dijeni apo janë të implikuar në këtë ngjarje. Nga krahasimi i shenjave të gishtave në vendngjarje me ato të personave të shoqëruar në komisariat, ka rezultuar se një prej të shoqëruarve të jetë autor i ngjarjes. Sipas policisë, Sokol Marashi, 24 vjeç, nga fshati Grudë e Re, është njëri nga autorët, i cili është vënë në pranga. Ndërsa në kërkim është shpallur shoku i tij, Vasel Koceku, 19 vjeç, nga fshati Vrakë.
A. H.