
Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton ka përmbyllur vizitën e saj zyrtare në vendin tonë. Brenda pak orësh, kryediplomatja amerikane ka zhvilluar takime me krerët kryesorë të politikës shqiptare, të cilëve u ka përcjellë mesazhe të qarta për zhvillimin e zgjedhjeve të hapura dhe të balancuara, forcimin e luftës ndaj korrupsionit, si dhe rritjen e bashkëpunimit mes klasës politike.
15:00- Clinton përmbyll vizitën zyrtare, largohet nga Shqipëria
Rreth orës 15:00, ashtu siç ishte parashikuar, Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton ka përmbyllur vizitën e saj zyrtare në Tiranë. Pas takimeve me krerët më të lartë të shtetit, eskorta e zonjës Clinton është nisur drejt aeroportit “Nënë Tereza” dhe më pas avioni i saj është larguar nga Shqipëria për të fluturuar drejt Zagrebit, siç është përcaktuar në axhendën e saj. Ky është turi i saj i fundit në postin e Sekretares Amerikane e Shtetit. Në datën 6 nëntor, amerikanët janë thirrur në votime për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Clinton ka deklaruar më herët se nëse Presidenti aktual, bashkëpunëtori i saj Barack Obama, rizgjidhet për një mandat të dytë presidencial, ajo nuk do të mbajë më postin e Sekretares Amerikane të Shtetit.
13:30- Clinton takon kreun e opozitës Edi Rama
Pas fjalimit në Parlament, Sekretarja e Departamentit të Shtetit Amerikan, Hillary Clinton takoi kryetarin e PS-së, Edi Rama. Takimi u zhvillua në ambientet e hotel “Sheraton”, pa praninë e mediave. Biseda ka zgjatur disa minuta dhe menjëherë pas këtij takimi, kryediplomatja amerikane u nis drejt aeroportit të Rinasit.
12:43- Clinton para Kuvendit: Punoni për zgjedhje të lira, luftoni korrupsionin, bashkëpunoni përtej divergjencave politike
Në fjalë e saj para Kuvendit të Shqipërisë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton shprehu bindjen se Shqipëria e meriton vendin në familjen europiane por njëkohësisht theksoi faktin se muajt në vijim janë kritikë për vendin tonë. Clinton ju drejtua klasës politike shqiptare me tre objektiva, të cilat sipas saj janë shumë të rëndësishme për vendin tonë:
Zgjedhje të lira dhe të ndershme, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe bashkëpunimi i palëve përtej divergjencave politike në të mirën e vendit.
“Unë e di që po punoni për zgjedhjet dhe e vlerësoj, e di se në këtë rast e gjithë vëmendja e botës përqendrohet tek ju, por duhet përgjegjësi më e madhe e lidëve politikë.
Konsolidimi i demokracisë kërkon jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, po edhe rregullimin e institucioneve demokratike. Shpresoj të gjeni rrugën për një bashkëpunim që interesat kombëtare të jenë para atyre politike. Këto zgjedhje janë thelbësore për konsolidimin e përhershëm të demokracisë tuaj. Duhet të lini mënjanë interesat partiake dhe politike për të mirën e vendit”, u shpreh Hillary Clinton.
Sekretarja amerikane shprehu gjithashtu mbështetjen që SHBA do të vazhdojnë të japin për integrimin e plotë të vendit tonë në BE.
Në fillim të fjalës së saj të mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë, Hillary Clinton ka shprehur kënaqësinë që gjendej në vendin tonë në prag të jubileut të pavarësisë dhe ka siguruar për mbështetjen që SHBA si një aleat i përhershëm i vendit tonë, do të vijonte ta të tregonte ndaj Shqipërisë.
“Jam shumë e emocionuar të jem këtu dhe të kem mundësi të flas para parlamentit të një Shqipërie të lumtur dhe demokratike. Është nder i madh sepse sot bashkohem me festimet e jubileut të pavarësisë, që ka qenë ëndërr e madhe për të cilën keni investuar. Shumë ka ndryshuar gjatë këtij 100 vjetori, por një gjë është e njëjtë, SHBA ka qenë një mik dhe partner i juaji dhe vazhdon të jetë. Lidhjet tona janë forcuar dhe jo vetëm mes qeverive, por edhe mes popujve tanë.
Unë jam këtu për t’u dhënë mesazhin se ne kemi qëndruar pranë jush për 100 vjetët e para dhe do të qëndrojmë me ju për të gjithë 100-vjeçarët në vazhdim.
12:37- Topalli: Ardhja e Clinton, privilegj, SHBA miku më i mirë i shqiptarëve
Fjala hapëse në kuvendin e Shqipërisë është mbajtur nga kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e ka vlerësuar vizitën e zonjës Clinton si një moment i shënuar dhe ngjarje historike për vendin tonë në këtë jubile të përvjetorit, i cili sipas saj është bërë i mundur edhe në sajë të ndihmë së aleatit tonë më të madh, SHBA.
“Sot në këtë ditë, në këtë jubile vizita juaj është lumturi dhe privilegj për ne. Ky moment festohet me miqtë dhe vendi juaj është miku i madh i shqiptarëve”, u shpreh Topalli.
12:30- Clinton mbërrin në Kuvendin e Shqipërisë
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka mbërritur në Kuvend ku pritet të mbajë një fjalim përshëndetës. Lozhat e parlamentit shqiptar kanë qenë të tejmbushura, ku përveç deputetëve dhe të ftuarve në bazë të protokollit, kanë mbërritur ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të besimeve fetare në vend, kryetarë të bashkive më të mëdha në vend, ish-presidentë, kryeprokurorja e vendit, Ina Rama, Avokati i Popullit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
11: 45 – Clinton takon Berishën: Ju urojmë 100-vjetorin e pavarësisë, konfirmoj mbështetjen e SHBA për vendin tuaj
Pas një takimi prej 30 minutash me kreun e shtetit, eskorta e sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton është drejtuare për në kryeministri, ku është pritur nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryeministri e ka falënderuar sekretaren amerikane për vizitën në Shqipëri dhe e ka vlerësuar ardhjen e saj si një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin tonë në këtë përvjetor të shënuar në pavarësisë.
“Vizita juaj është xhevahiri më i çmuar në festimet e 100 vjetorit”, – ha kryeministri Berisha.
Nga ana e saj, Sekretarja amerikane, Clinton shprehu kënaqësinë që ndodhet në Shqipëri në muajin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe konfirmoi mbështetjen e SHBA ndaj vendit tonë.
“Krenare që jam në Shqipëri në ditën e parë të muajit të festimeve. Ju uroj për 100-vjetorin e pavarësisë dhe konfirmoj mbështetjen e SHBA për Shqipërinë”, – u shpreh Clinton gjatë takimit me kryeministrit Berisha.
11:15- Clinton takon Presidentin Nishani, merr dekoratën ‘Urdhri i Flamurit’
Destinacioni parë i Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton ishte Pallati i Brigadave, ku ajo zhvilloi një takim të shkurtër prej disa minutash me Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Në fund të takimit, Clinton mori edhe dekoratën e ‘Urdhrit të Flamurit’ e cila është marrë më herët edhe nga bashkëshorti i saj, ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton.
11:00: – Ish të përndjekurit para parlamentit, futen me forcë në furgonin e policisë
Një grup ish të përndjekurish politikë, mes të cilëve koordinatori i grevës së urisë të mbajtur prej tyre për 1 muaj me radhë dhe disa nga ish-grevistët e urisë, janë grupuar përpara parlamentit, pranë selisë së tyre. Grumbullimi i pak njerëzve, mesa duket ka shqetësuar policinë, e cila ka marrë direktiva të prera për të mos lejuar asgjë që të mund të prishë atmosferën e vizitës së sekretares amerikane të shtetit në Tiranë dhe kanë futur me forcë nëpër furgonët e policisë të gjithë njerëzit që ndodheshin në rrugën pranë parlamentit, duke përfshirë edhe kalimtarë të rastësishëm në ato momente, kryesisht studentë që kalonin për të shkuar në shkollë.
10:30- Hillary Clinton mbërrin në Tiranë
Avioni i Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton ka mbërritur rreth orës 10:30 në aeroportin ‘Nënë Tereza’, ku është pritur nga ministri i jashtëm, Edmond Panariti dhe ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu. Pas këtij momenti, Sekretarja e Shtetit është shoqëruar drejt kryeqytetit nën masa të forta sigurie, me anë të një eskorte prej rreth 10 makinash, në një kohë që paraprakisht të gjitha rrugët ku do të kalojë sekretarja amerikane, nga rruga e Unazës së Re, te Pallati me Shigjeta, rruga përgjatë Lanës, në bulevard deri në Pallatin e Brigadave janë tërësisht të zbrazura nga makinat.
Hillary Clinton pritet ta nisë vizitën e saj të parë në vendin tonë me në takim në Pallatin e Brigadave me Presidentin e vendit, Bujar Nishani, do të vijojë më një takim në Kryeministri me kreun e qeverisë, Sali Berisha ndërsa në orën 12:00 pritet të mbajë një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Në fund të vizitës së saj në vendin tonë, Hillary Clinton mendohet të zhvillojë një takim me liderin e opozitës, Edi Rama.
1 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)