Kryeson i vetëm tabelën e klasifikimit të Kategorisë Superiore pas vetëm 8 javësh, me një diferencë prej 5 pikësh, nga vendi i dytë Vllaznia, por në kampin korçar askush nuk dëshiron të flasë për një titull të lehtë për t’u fituar nga Skënderbeu. Por ajo që e bën të besueshme se “Ujqërit e Dëborës do të mund të përsërisin veten për të tretën herë radhazi si kampionë të vendit”, ka të bëjë me formën e kësaj skuadre, e cila është përmirësuar nga ndeshja në ndeshje. Në ndeshjen e fundit në kampionat, korçarët triumfuan ndaj rivalit më të fortë në sfidën për trofeun prestigjioz të kampionatit shqiptar, Tiranën. Kjo ka lënë të kënaqur trajnerin Mirel Josa, i cili e ka konsideruar si një ndeshje perfekte të skuadrës së tij. “Kundër Tiranës hymë në fushë me mentalitetin e duhur që të merrnim vetëm një rezultat: fitoren”, u shpreh Josa. “Krijuam raste të shumta që në pjesën e parë, sidomos me Plakun dhe Pejiçin, të cilët e mbanin në tension të vazhdueshëm mbrojtjen kundërshtare. Për mendimin tim kjo ishte ndeshja perfekte që të gjithë e prisnim. Ishte perfekte, jo vetëm për fitoren e marrë, por edhe se nuk rrezikuam për asnjë rast dhe nuk u lamë hapësira kundërshtarëve”. Tekniku 49-vjeçar nuk mendon se diferenca prej 5 pikësh nga vendi i dytë ka siguruar tashmë titullin e tretë radhazi për Skënderbeun: “Qetësinë nuk ta japin pikët, por loja e ekipit. Më e rëndësishme për mua është situata mjaft e mirë që po kalon grupi. Asnjë ekip nuk është i pandalshëm, ndaj duhet të bëjmë kujdes për këtë gjë, pasi euforia mund të shkatërrojë gjithkënd. Nëse ne kemi një kundërshtar aktualisht, ai është vetëm vetja jonë”, nënvizoi Josa, i cili më pas i ktheu sytë nga ndeshja e radhës në transfertë ndaj Besës. “Jemi të qetë dhe mendojmë për ndeshjen e ardhshme kundër Besës, sqaroi trajneri i korçarëve. Është një takim i vështirë, por jo më i vështirë se të tjerët. Jemi përgatitur siç duhet. Do të shkojmë në Kavajë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë maksimumin e mundshëm nga kjo transfertë”, tha në përfundim trajneri, i cili do të ketë në dispozicion për këtë sfidë të gjithë futbollistët, të cilët kanë demonstruar gjatë javës se janë në formë të mirë si moralisht ashtu edhe fizikisht. Dhe pikërisht kjo duket se do të prodhojë dhimbje koke për teknikun tiranas, sepse e ka të vështirë të bëjë përzgjedhjen e 11-shes që do të zbresë në fushë ndaj Besës.
Skënderbeu
Trajneri tiranas kërkon nga futbollistët e tij që të largojnë euforinë pas fitores me Tiranën: “Nëse ne kemi një kundërshtar aktualisht, ai është vetëm vetja jonë”