1 nëntor 


Të gjithë qiramarrësit duhet të lirojnë banesat që janë të ish-pronarëve


Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e shoqatës së qiramarrësve, duke i dhënë të drejtë qeverisë për aktin normativ të marrë. Një  fakt i tillë u bë publik nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila njëherësh thekson se argumentimi i vendimit do të bëhet në një kohë tjetër. “Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura prej kërkuesit, si dhe prapësimet e ngritura prej subjekteve të interesuara, me vendimin e datës 31.10.2012, njëzëri, vendosi: “rrëzimin e kërkesës”. Vendimi i arsyetuar do të bëhet publik në një kohë sa më optimale”, thuhet në njoftim për shtyp. “Shoqata e Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore ish-pronë private” në ankesën e saj drejtuar këtij institucioni kërkonte “shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i aktit normativ nr.03, datë 01.08.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, si dhe të ligjit nr.82/ 2012, datë 13.09.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”. Një kërkesë e tillë nuk u mor në konsideratë nga Kushtetuesja, edhe pse vite më parë kësaj shtrese i kishte dhënë të drejtë. Menjëherë pas bërjes publike të këtij vendimi, ka reaguar dhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Ai e cilësoi shumë të drejtë një vendim të tillë të dhënë dje paradreke nga Gjykata Kushtetuese. “I garantoj pronarët se gjithë administrata e Entit Kombëtar të Banesave në çdo degë rajonale do të jetë e gatshme për të ndjekur procedurat e parashikuara nga akti normativ dhe e gjithë procedura do të mbikëqyret nga MPPT në mënyrë që tërësia e saj të jetë një sukses që do të garantojë jo vetëm zbatimin e këtij akti të rëndësishëm, por edhe që do të çojë në vend një të drejtë të mohuar”, tha Olldashi. Ministri më tej u shpreh se “akti i gjykatës ritheksoi zgjidhjen e padrejtësisë 68-vjeçare, kundër një shtrese që u shpronësua forcërisht nga regjimi komunist dhe tashmë po rivendoset një e drejtë bazike kushtetuese”. Avokati mbrojtës, Dorian Matlia, deklaroi se “iu drejtuam me urgjencë Gjykatës së Strasburgut, sepse situata është shumë alarmante. Pas 1 nëntorit do kemi dëbimin e mbi 3 mijë familjeve nga shtëpitë dhe në këto raste edhe Strasburgu do kohë që të vendosë nëse do bëhet një pezullim. Prisnim një pezullim nga Gjykata Kushtetuese që dje, por nuk erdhi. Është e rrallë që të bëhet një pezullim me faks për rastet urgjente”, deklaroi Matlia. B.HOTI