Rama rikonfirmohet sekretar, Manjani zgjidhet nënkryetar
Komiteti i ri Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjodhi dje anëtarët e kryesisë së re të kësaj partie. 250 anëtarët e KDK-së votuan në mënyrë elektronike dje edhe për zëvendëskryetarin e LSI-së, dy nënkryetarët dhe për Sekretarin e Përgjithshëm. Në fillim të mbledhjes së djeshme, kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjeti rastin t’i bënte thirrje klasës politike shqiptare për krijimin e një klime sa më konstruktive për procesin e integrimit, por edhe për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas tij do të ishte e papranueshme që në këtë moment të rëndësishëm bashkimi dhe vetëdija mbarëkombëtare të jepnin mesazhet e festave paralele. “Ndaj edhe për këtë duhet dialog, duhet edhe për këtë bashkëpunim, sepse këtu nuk do të jenë vetëm të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, por do të vijnë shqiptarë nga e gjithë bota, do të vijnë personalitete ndërkombëtare për të nderuar kombin tonë dhe jo thjesht qeverinë apo opozitën tonë. Kjo kërkon një bashkërendim, kërkon një ndërgjegjësim të momentit që kalojmë dhe që na teston e që e rrit më tej rolin e Shqipërisë apo e dëmton këtë rol në të ardhmen. Unë besoj në përgjegjshmërinë e të gjithëve për të demonstruar pjekuri, rritje dhe fuqizim si vend e si komb në këtë 100-vjetor që po vjen”, deklaroi Meta gjatë mbledhjes së djeshme. Në përfundim të votimit, kryetarja e re e Komitetit Drejtues Kombëtar u vendos të jetë Erisa Xhixho dhe zëvendëskryetar i këtij forumi u vendos, Petrit Vasili. Komiteti Drejtues Kombëtar konfirmoi si sekretar të përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Ramën. Gjithashtu, KDK vendosi që Klajda Gjosha dhe Ylli Manjani të jenë nënkryetarët e rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Lista e kryesisë së re të LSI-së
1. Ardit Çela
2. Brunilda Paskali
3. Edmond Haxhinasto
4. Edmond Panariti
5. Elona Guri
6. Endrit Braimllari
7. Eriona Bixha
8. Erisa Xhixho
9. Erisi Zaimi
10. Fatime Goga
11. Ilir Meta
12. Klejdi Mehmetaj
13. Klajda Gjosha
14. Lefter Koka
15. Luan Rama
16. Luzhiana Abazi
17. Mavlina Palushi
18. Monika Kryemadhi
19. Nasip Naço
20. Nora Malaj
21. Petrit Vasili
22. Shezai Rrokaj
23. Spartak Braho
24. Vangjel Tavo
25. Ylli Manjani