Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një deklaratë për shtyp nga selia rozë ka zbardhur detaje të takimit që pati mesditën e sotme me Sekretaren e Shtetit të Amerikës, Hillary Clinton.
Kreu i opozitës e cilësoi vizitën e kryediplomates amerikane si një ditë të shkëlqyer për shqiptarët dhe Shqipërinë. “E falenderova me gjithë zemër si çdo shqiptar sot, zonjën Clinton për vizitën e saj kaq inkurajuese në Shqipëri dhe për fjalimin fantastik në Kuvendin e Shqipërisë. E falenderova me gjithë zemër, po ashtu, për kohën që gjeti për të dëgjuar drejtpërdrejtë edhe zërin e opozitës.
Sot jetojmë me provën e padiskutueshme që historia i dha plotësisht të drejtë Shteteve të Bashkuara në qëndrimin dhe veprimin e palëkundur në mbështetje të plotë të së drejtës së shqiptarëve për të vetëvendosur e për të jetuar tanimë të lirë në një rajon që sot ka më shumë paqe, më shumë stabilitet, më shumë perspektivë edhe falë çlirimit të shqiptarëve e pavarësimit të Kosovës. E, prandaj, kurrë nuk do të shterojë burimi i mirënjohjes përjetë i shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara, ndaj presidentëve amerikanë që u vunë në vijën e parë të betejës për pavarësimin e Kosovës, apo që nuk reshtën së mbështeturi Shqipërinë në NATO dhe drejt Bashkimit Europian, si dhe ndaj personalisht zonjës Clinton, roli i së cilës në këtë kohë shqiptare do të mbetet historik”, ka thënë Rama, duke siguruar se nuk do të mungojë kurrë mbështetja e palëkundur e shqiptarëve dhe e çdo qeverie shqiptare për çdo mision ushtarak apo paqeruajtës të Shteteve të Bashkuara në betejën natyrale të tyre për një botë të lirë dhe demokratike në mbarë globin.
Rama ka sqaruar se gjatë bisedës me Sekretaren Clinton ka nënvizuar nevojën e zgjedhjeve të lira, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit. “Zgjedhje të lira dhe jo procese zgjedhore të deformuara.Institucione të pavarura e rend ligjor dhe jo autoritarizma të vjetër e pabarazi para ligjit. Ekonomi të bazuara në lirinë e konkurrencës dhe jo në skema të korruptuara klientelash të privilegjuar.
Sot shqiptarët kanë nevojë të besojnë tek vota dhe tek mundësia për të vendosur të lirë me votë se kush duhet t’i qeverisë. Cenimi i besimit tek zgjedhjet dhe kjo mundësi për çdo qytetar në demokraci nuk duhet të kthehet në asnjë mënyrë në humbje të besimit të popullit shqiptar tek fuqia dhe vullneti i vet. Ne do të bëjmë çmos që besimi tek vota të fitojë mbi mosbesimin e akumuluar nga e shkuara dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim është jetike për shqiptarët.
Ja pse nënvizimi i qartë nga ana e Sekretares së Shtetit, qoftë në mesazhin publik drejtuar parlamentit, qoftë dhe në bisedën tonë të drejtpërdrejtë, për nevojën që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe për angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta asistuar popullin shqiptar në përmbushjen e kësaj nevoje jetike, është për mua dhe për opozitën shqiptare një burim i madh besimi se Shqipëria do ia dalë të ndahet qershorin e ardhshëm nga e kaluara shumë problematike e zgjedhjeve”, ka thënë Rama.
Kreu i PS-së ka deklaruar se e ka njohur kryediplomaten amerikane me projektin për një Rilindje Shqiptare, për të ardhmen e demokracisë, ekonomisë, shoqërisë dhe vetë rolin e Shqipërisë në rajon, po dhe në Europë. “Shumë frymëzues ishte këmbimi i mendimeve për gjeneratën e re të shqiptarëve, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku ndava me zonjën Clinton aspiratën tonë për një sistem arsimor cilësor, demokratik dhe europian që të përgatisë qytetarët e rinj shqiptarë të Europës së Bashkuar. Duke garantuar që fantazmat e të shkuarës, të cilat aq shumë e kanë dëmtuar dhe penguar Shqipërinë, por sigurisht edhe rajonin, por edhe problemet e së tashmes të mos e kërcënojnë në asnjë formë perspektivën demokratike dhe europiane të gjeneratës së re”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti e ka mbyllur deklaratën me një falënderim të veçantë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadorin Aleksandër Arvizu.”Më lejoni ta mbyll me një falënderim shumë të ngrohtë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, për Ambasadorin Arvizu, të gjithë stafin e përshirë në organizmin e vizitës së Sekretares së Shtetit, të cilët u kujdesën në mënyrën më mbresëlënëse, deri në detajet më të vogla, duke na dhënë të gjithëve me këtë rast një mësim mbresëlënës të atij çka është një shtet i organizuar thuajse deri në perfeksion”.
1 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)