Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë, një ditë pas vizitës së Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton e ka vlerësuar këtë vizitë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në këtë 100 vjetor të pavarësisë së kombit dhe e ka cilësuar fjalimin e saj në parlament si një ndër më të bukurit dhe më miq¡sorët në këta 100 vjet.
“Mesazhi i Clinton për shqiptarët në 100-vjetorin e pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese që të bashkohen për interesat kombëtare të tyre. Sekretarja e Shtetit theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme. Unë e garantova se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, të ndershme dhe brenda standardeve më të mira dhe shpreha bindjen se opozita është e interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu, kërkova të kemi sa më shumë vëzhgues nga SHBA-të në zgjedhjet e ardhshme”, – tha Berisha.
Duke iu referua mesazhit të sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton, kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e gatshme të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën dhe i bëri thirrje liderit të opozitës, Edi Rama që të bashkëpunojë në të mirë të integrimit të vendit duke votuar tre ligjet e kërkuara nga KE, të cilat sipas Berishës janë ligje të rëndësishme dhe tërësisht demokratike.
“Janë tre ligje që presin në Parlament. Vetë fakti që nuk po votohen këto ligje që po kërkohen nga KE është i mjaftueshëm për të vënë në dyshim seriozitetin e shqiptarëve në procesin e integrimit. Ne kërkojmë të votohen këto tre ligje demokratike. Unë e ftoj Ramën të veprojë në frymën e mesazhit për bashkëpunim në gjërat që na bashkojnë, siç është integrimi. Qershori është muaji në të cilin do të votohen dallimet. Me të përbashkëtat fitojnë të gjithë, fitojnë qytetarët. T’i përgjigjemi thirrjes së KE për të votuar ligjet në Parlament si dëshmi e vullnetit për të mos bllokuar integrimin që mbështetet masivisht nga qytetarët, por edhe për shprehje të respektit dhe mirënjohjes ndaj mikeshës së madhe me mesazhet që solli nga kombi i saj mik”, – tha Berisha.
2 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)