Intervista
I sapoliruari Bekim Hibraj: Fjalët për familjen time, të pavërteta
Mikel Marsi
Gati dy muaj pas arrestimit të bujshëm të Bekim Hibrajt, prokuroria ka kërkuar lirimin e të dyshuarit për vrasjen e Orikumit, ku u ekzekutua Sokol Veizi, pasi provat e policisë nuk kanë qenë të bazuara, ndërkohë që gjykata ka vendosur ta lirojë menjëherë. Vetë i akuzuari ka hedhur poshtë akuzat e turpshme të policisë, duke deklaruar se familja ka përjetuar tmerr gjatë gjithë kësaj kohe edhe për motivet që dyshonte grupi hetimor për vrasjen, pasi u tha që Hibraj dyshonte se viktima i kishte ngacmuar gruan. Menjëherë pas lirimit, Hibraj ka rrëfyer të vërtetën e familjes, duke nxjerrë në pah dështimin e policisë përballë krimit të rëndë, që sipas fakteve të paraqitura edhe nga avokati, ai ka qenë në një dasmë në momentin e krimit. Ai ka shpjeguar edhe çështjen e gjurmëve të gishtave të gjetura në makinën e viktimës, duke treguar se ishte takuar me të, 15 ditë para vrasjes, ndërkohë që grupi hetimor pretendonte në atë kohë se ai kishte deklaruar në prani të avokatit se nuk kishte hipur kurrë në makinën e tij. Vendimi për lirimin e tij është dhënë dy ditë më parë dhe aktualisht ndiqet në gjendje të lirë, ndërkohë që gjykata ka vendosur që ai të paraqitet dy herë në muaj në prokurori.
Z. Hibraj, mund të na tregoni sesi jeni arrestuar?
Kam qenë në shtëpi kur ka ardhur dhe më ka marrë policia, duke më thënë se unë kisha vrarë Sokol Veizin.
Ju e keni pranuar këtë krim?
Asnjëherë, pasi nuk është e vërtetë. Këto janë akuza të fabrikuara nga policia. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, është e vërtetuar nga një sërë dëshmitarësh që janë pyetur, se unë, rreth orës 21:30, kam qenë me familjen në një dasmë. Madje, këtë e kanë vërtetuar edhe shumë dasmorë të tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në këtë gëzim. Këtë gjë e kanë vërtetuar edhe ata që martoheshin, dy prindërit e çiftit, si dhe shumë të tjerë që kanë qenë prezentë.
Nga hetimet, policia tha se ju keni dyshuar që Sokol Veizi ju ka ngacmuar bashkëshorten dhe kjo ka qenë arsyeja e vrasjes. Si është e vërteta?
Jam i zhgënjyer nga hetimet e policisë, si edhe nga ato çfarë janë thënë për familjen time, si dhe ngacmimet që i kishte bërë gjoja Sokoli familjes sime. Kjo nuk është e mirë për askënd nga ne, si për mua dhe familjen time, po ashtu edhe për familjen e të ndjerit. Jam tejet i mërzitur edhe nga mediat, të cilat kanë shkruar se Sokoli i bënte ngacmime të shoqes së Bekimit, gjë e cila nuk është e vërtetuar askund. Në dosjen time nuk ka pasur asnjë rresht për këtë rast. Ne kërkojmë që ky fakt të kundërshtohet, pasi kjo gjë nuk qëndron dhe janë pyetur më shumë se 20 persona në një muaj e gjysmë nga prokuroria. Kjo është absurde dhe unë dua ta kundërshtoj fuqishëm në gazetën tuaj.
Po për sa u përket gjurmëve të tua në makinën dhe në dokumentet e viktimës, si i argumentoni?
Këto shenja gishtash dhe duarsh kanë qenë 15 ditë para se të ndodhte vrasja. Pikërisht në pallatin ku jetonte Bekimi, së bashku me familjen e tij, në katin e parë të pallatit ndodhej një ofiçinë. Bekimi kishte zbritur poshtë dhe është takuar me mua, pasi njihesha me të prej vitesh. Pasi jemi takuar në ofiçinë, meqë shkoja shpesh në Itali me kamion, më ka kërkuar për të sjellë një palë amortizatorë. Por ai nuk e mbante mend se çfarë viti prodhimi e kishte mjetin dhe të dhënat e tjera. Kështu, Sokoli ka hapur kroskotin dhe më ka treguar tipin e makinës me anë të dokumenteve. Me dy gishta kam kapur dokumentin e makinës, duke vërtetuar vitin e prodhimit për t’i sjellë amortizatorët. Gjithashtu, gjatë bisedës jam mbështetur te makina e tij. Pasi kam parë dokumentet, kam qëndruar edhe pak kohë në ofiçinë, duke biseduar me Sokolin. Këtë e kanë vërtetuar edhe punonjësit e ofiçinës.
Po për sa u përket dëshmitarëve në vendin e krimit?
Ata kanë deklaruar se vrasësi nuk e njihte viktimën, ndërkohë që unë e njihja prej vitesh, pasi e kam ndihmuar shumë. Ka qenë në gjendje jo fort të mirë financiare. I kam sjellë ç’të mundja. Nuk e kuptoj nga kanë dalë ato informacione se ai mund të më kishte ngacmuar gruan e se unë dyshoja në këtë fakt. Nuk e kuptova se si më arrestuan mua, sesi më mbajtën për 55 ditë në dhomat e paraburgimit pa asnjë akuzë të vërtetuar.
Ju vazhdoni të jeni nën hetim, keni gjë për të shtuar?
Për shumë pak kohë do të jem nën hetim, pasi çështja ime do të mbyllet përgjithmonë, pasi edhe prokuroria e ka kuptuar se unë nuk jam fajtori dhe se policia i ka fabrikuar faktet.
Avokati
“Familjarët e Sokol Veizit kanë pohuar se nuk është Bekimi ai që ka vrarë njeriun e tyre. Djali dhe bashkëshortja e tij janë shprehur kundër. Kur është pyetur i biri i Sokolit, 18-vjeçarit i është vënë fotoja e Bekimit dhe ai është shprehur i habitur dhe ka thënë se unë mund të jem vrasësi i babait tim, por Bekimi kurrë”.
Policia
“Hibraj mohoi ta kishte prekur mjetin e Sokolit”
41-vjeçari Sokol Veizi u vra me armë zjarri në orët e mbrëmjes së datës 25 gusht në qytetin e Orikumit, 20 km në jug të Vlorës, ku ai banonte. Ai rezultonte me precedentë penalë për trafiqe të paligjshme, ndërkohë që dëshmitarët kanë qenë personat kyç për rindërtimin e skenës së krimit nga ana e policisë. Sipas tyre, viktima po rrinte në ambientet e jashtme të lokalit ku ndodhi ngjarja, duke konsumuar një pije, kur pranë tavolinës së tij është afruar një person me kokore në kokë. Autori dyshohet se nuk e njihte viktimën, pasi e ka pyetur për emrin dhe ka kontrolluar dokumentet në mjetin e tij, për të vërtetuar nëse ishte Sokol Veizi. Për këtë arsye, policia gjeti gjurmë gishtash në dokumente dhe në makinë. “Gjatë hetimeve, policia shoqëroi Bekim Hibrajn, ku e kemi pyetur nëse kishte hipur ndonjëherë në makinën e Veizit, apo e kishte prekur ndonjëherë atë, por i dyshuari e ka mohuar në mënyrë kategorike një fakt të tillë, edhe në prani të avokatit”, u shpreh policia në atë kohë. Ndërkaq, Hibraj ka dëshmuar për gazetën “Shqip”, se ai e kishte takuar Veizin dy java para krimit, duke dhënë detaje edhe për gjurmët në vendin e ngjarjes.