Veterani 34-vjeçar kërkon fitoren ndaj Kukësit, për të rikthyer në normalitet situatën në klubin 24-herë kampion


Mesfushori sqaron pozicionin e tij në lidhje me dorëheqjen e ish-trajnerit


Altin Manallari


Sot është 34 vjeç dhe për shumëkënd mund të konsiderohet një veteran në fundin e karrierës, por Klodian Duro ka demonstruar se te Tirana është i rëndësishëm. E ka treguar edhe në këtë fillim kampionati, pasi me gjithë problemet që ka pasur me trajnerin, në shumicën e ndeshjeve ka qenë në fushë, sepse me gjithë tipin polemizues, rëndësia e tij nuk mund të vihet në diskutim. Periudhën e fundit krijoi një polemikë me ish-trajnerin Artur Lekbello, ku kundërshtoi një nga urdhrat e tij për t’u provuar si qendërmbrojtës në një seancë stërvitore. Gjithçka precipitoi në një debat personal mes tij dhe ish-teknikut, i cili i kërkoi klubit pezullimin e lojtarit për tri ndeshje. Vetëm pak më shumë se sa një javë nga kjo çështje, ish-trajneri ka dhënë dorëheqjen. Për shumë persona dorëheqja la shijen e një largimi të detyruar, aq sa mendohet se ka pasur një puç në skuadër. Por Klodian Duro është një lojtar profesionist dhe e përjashton një pistë të tillë, që nënkupton “tradhtinë” e futbollistëve ndaj trajnerit. “Klubi dhe të gjithë lojtarët i kanë dhënë mbështetjen e duhur çdo personi, që ka drejtuar Tiranën në këto vite, është shprehur dje Duro për largimin e Lekbellos. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ish-trajnerin, i cili ishte iniciatori i pezullimit tim. Kjo është politika e Tiranës dhe askush nuk duhet të ndihet i tradhtuar. Vendimi për t’u dorëhequr është një çështje personale e tij dhe klubit”. Në këtë periudhë, edhe kritikat ndaj klubit apo edhe ndaj lojtarëve kanë qenë të shumta. Por kjo duket se nuk ka lënë një shije të mirë te mesfushori 34-vjeçar. “Ashtu si gjithnjë, edhe në rastin konkret, kritikët janë të shumtë në momentet kur Tirana është në vështirësi, rrëfen Duro. Te Tirana që të gjithë duan të jenë protagonistë, por edhe ata që nuk janë pjesë e ekipit, ndaj ndërhyjnë me kontestime për një apo për një tjetër arsye. Por që thelbin e kanë vetëm në një gjë, të duken sikur po bëjnë diçka të mirë për Tiranën”. Gjithsesi Klodi ka pranuar se për momentin tensioni, i ardhur për shkak të mungesës së rezultateve, duket sikur është ulur disi. Dhe beson se gjithçka mund t’i rikthehet normalitetit, nëse Tirana këtë fundjavë do të fitojë ndaj Kukësit në ndeshjen që do të luajë në shtëpi. Ishin pikërisht verilindorët, ata që ndikuan në ngacmimin e një plage, që i çoi bardheblutë drejt një krize rezultatesh. Mesfushori pritet të luajë që nga minuta e parë ndaj Kukësit pas pezullimit prej tre ndeshjesh. “Tirana duhet të funksionojë si një familje e madhe. Një klub si Tirana mendoj se i ka të gjitha parametrat dhe mundësitë që ta kthejë këtë situatë sa më shpejt. Vëmendja jonë është tek ndeshja e parë e kampionatit me Kukësin. Duhet që të rikthejë besimin pas asaj ndeshjeje së Kupës së Shqipërisë, ku pësuam një humbje të rëndë”, tha në fund mesfushori i 24-herë kampionëve të vendit.


 


Rikthimi


Veterani Klodian Duro: “Tirana duhet të funksionojë si një familje e madhe. Një klub si Tirana mendoj se i ka të gjitha parametrat dhe mundësitë që ta kthejë këtë situatë sa më shpejt”