Policia identifikon të dyshuarin Sajmir Muçaj: Dyshohet sherr mes përdoruesish droge


Bardha Nergjoni


Babai i një fëmije të vogël ka mbetur i vdekur dje nga një goditje me thikë në zemër, në sy të kushëririt të tij, ndërkohë që i dyshuari për këtë krim të rëndë është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia. Klodian Lumani është qëlluar nga Sajmir Muçaj dhe dyshohet se gjithçka ka ndodhur për shkak të një konflikti mes dy protagonistëve, të nisur para tri ditësh për dozat e drogës, pasi të dy mendohet se ishin përdorues të saj.


Kushëriri


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:10, në lagjen “11 Nëntori” të qytetit të Elbasanit. 30-vjeçari Klodian Lumani, me banim në lagjen “Beqir Dardha”, ka qenë bashkë me kushëririn e tij, në bllokun e pallateve. Në atë kohë, sipas dëshmisë së kushëririt, ai ka parë t’i afrohen disa të rinj të tjerë. Menjëherë Lumani i ka thënë kushëririt të largohet se kishte një sherr me ta, pasi ishte grindur disa javë më parë. Të paktën kjo është ajo që ka thënë i riu, ndërsa ka transportuar 30-vjeçarin në spital, ndërkohë që policia ka marrë dëshminë e plotë të tij, me qëllim për të identifikuar dhe arrestuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana tjetër, edhe pse mjekët kanë ndërhyrë urgjentisht, për Lumanin nuk ka pasur asnjë shpresë jete. Kushëriri i viktimës ka treguar edhe të dhënat e tjera identifikuese të 30-vjeçarit për policinë, ku rezulton se ai ishte i martuar dhe kishte një fëmijë të vogël. Shpeshherë ai ndihmonte vëllain e madh dhe nënën e tij, të cilët shesin rroba të përdorura në vendin e quajtur “Sporti i vjetër”. Sipas mjekëve, ai ka marrë një goditje me thikë në zemër, që i ka shkaktuar hemorragji vdekjeprurëse. Ai ka ndërruar jetë pak minuta, pasi ka mbërritur në spital.


Hetimet


Menjëherë pas ngjarjes, efektiva të shumtë policie dhe ekspertë kanë mbërritur në vendin ku ka ndodhur vrasja. Nga dëshmitë e para të banorëve që kanë arritur të shohin diçka, mësohet se 30-vjeçari rom, ka qenë duke ecur në rrugicë, bashkë me një person tjetër, kur i janë afruar disa persona të tjerë, të cilët edhe ata ishin romë. “Njëri prej tyre ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur. Ata janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes në këmbë”, ka treguar një nga banorët për oficerët e parë që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave policore, i plagosuri Klodian Lumani është ngritur disi në këmbë, i ndihmuar edhe nga kushëriri i tij dhe ka tentuar të ecë disa metra. Më pas është rrëzuar në tokë dhe është gjendur një mjet i rastit për ta transportuar për në spital. Banorët thonë se kishte humbur shumë gjak dhe madje një prej tyre ka larë trotuarin, pasi është larguar i plagosuri. Duke marrë parasysh këto dëshmi, policia tha se shkak i këtij konflikti mendohet se ka qenë një grindje e mëparshme mes të rinjve, ndërkohë që janë shoqëruar shumë persona në komisariat dhe janë marrë në pyetje për këtë ngjarje. Policia, që ka marrë në pyetje kushëririn dhe familjarët e viktimës, ka mundur të identifikojë autorin e dyshuar të krimit, i cili rezulton të jetë Sajmir Muçaj, banues në lagjen “11 Nëntori”. Menjëherë ai është shpallur në kërkim nga policia dhe dyshohet se pas krimit të kryer, ai ka udhëtuar drejt Tiranës. Ndërkaq, policia dyshon se motivi i krimit ka qenë sherri për drogën, pasi të dy personat, autori dhe viktima, njiheshin si përdorues të saj. Sipas hetimeve, sherri mes tyre ka ndodhur tri ditë para krimit.


Plagosje tjetër


Në Elbasan është shënuar edhe një plagosje tjetër, për të cilën policia ka vënë në pranga një 33-vjeçar, i cili dyshohet për tentativë vrasjeje. Çelo Cani dyshohet se ka goditur disa herë me thikë një 19-vjeçar nga Cërriku për motive të dobëta. Adoleshenti është dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, por është në gjendje të rëndë për jetën. Cani është arrestuar vetëm pak orë më vonë, bashkë me thikën.