Kulturë “Nëntori i Dytë” çel Festivalin e Filmit

“Nëntori i Dytë” çel Festivalin e Filmit

1127
SHPËRNDAJE

Festivali i 13 i Filmit Shqiptar do të mbahet nga datat 3-9 nëntor në kinema “Millenium”. Aktori Robert Ndrenika do të jetë president nderi i festivalit, ndërkohë që programi parashikon 15 filma artistikë, 19 filma të shkurtër, 17 filma dokumentarë, 12 filma vizatimorë

Në Tiranë, aktori Remo Girone dhe drejtori i fotografisë, Nino Celeste

Shfaqja e kopjes së restauruar të filmit “Nëntori i Dytë” do të çelë nesër, në orën 18.00 në kinema “Millenium”, Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar. Realizimi i vitit 1982 me regji të Viktor Gjikës tashmë vjen në pelikulë të pastër. Këto kohë është folur vazhdimisht për etapat e restaurimit të këtij filmi, i pari i projektit të bashkëpunimit mes AQSHF-së me “Colorlab Corp”, në Washington DC të SHBA-së. Aktori Robert Ndrenika, njëkohësisht edhe president nderi i festivalit, i cili në këtë film luan rolin e Hakiut, do të jetë prezent gjatë premierës e po ashtu edhe aktori Bujar Lako, i cili ka rolin e Luigj Gurakuqit, ndërkohë që imazhi që Sandër Prosi i ka dhënë Ismail Qemalit, është ai me të cilin shumë shqiptarë e identifikojnë themeluesin e pavarësisë. Festivali do të vazhdojë me shfaqjen speciale të dokumentarit “Anija” të regjisorit Roland Sejko, ora 21.30. Sejko vjen nga Italia për të prezantuar këndvështrimin e tij mbi eksodin shqiptar të fillimviteve ’90. Gjatë ditëve të festivalit do të prezantohen krijimet më të mira të pesë viteve të fundit të kinematografisë shqiptare. Në program janë parashikuar 15 filma artistikë, 19 filma të shkurtër, 17 filma dokumentarë, 12 filma vizatimorë, ndërkohë që jashtë konkurrimit janë 43 filma të studentëve, të cilët do të shfaqen çdo ditë në Teatrin Kombëtar të Komedisë. Filmat janë përzgjedhur nga një komision i ngritur për këtë aktivitet, i përbërë nga regjisorët Esat Musliu, Kristaq Mitro, Eno Milkani. Drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike ka bërë të ditur se të ftuar të festivalit do të jenë aktori i njohur italian Remo Girone, i njohur për publikun si Tano Karidi, drejtori i fotografisë Sebastiano (Nino) Çeleste, i cili pas viteve ’90 ka bashkëpunuar edhe me aktorë shqiptarë. Për këtë arsye do të ketë edhe një work shop me studentë shqiptarë të Akademisë së Arteve me praninë edhe të kineastëve shqiptarë. Një ftesë i ishte dërguar edhe aktorit të njohur De Niro, por duke qenë i angazhuar në sheshxhirim nuk ka mundur të udhëtojë drejt Tiranës.

Remo Girone
Remo Girone

I pranishëm gjatë ditëve të festivalit do të jetë edhe drejtori i “Giffoni Film Festival” në Itali, Claudio Gubitosi, por edhe një pjesë e stafit realizues të filmit “Besa-Premtimi” i regjisores amerikane Rachel Goslins, film dokumentar që trajton historinë e hebrenjve në Shqipëri e që do të ketë shfaqjen speciale më 8 nëntor, ditën e fundit të programit. Gjatë ditëve të festivalit të pranishëm do të jenë edhe disa aktorë shqiptarë që e zhvillojnë karrierën jashtë vendit, si Arta Dobroshi, e cila luan në filmin e shkurtër “OK” të regjisores nga Kosova Blerta Zeqiri, Luli Bitri dhe Karafil Shena si aktorët kryesorë të filmit “Amnistia” të Bujar Alimanit, aktori Kasem Hoxha që jeton në Gjermani, aktori nga Kosova Enver Petrovci si pjesë e filmit “Sekretet” me regji të Spartak Pecanit etj. Për të vlerësuar filmat në konkurrim janë ngritur dy juri. Juria e filmit të gjatë kryesohet nga regjisori i njohur Muharrem Fejzo, i cili gjatë këtyre viteve nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri, shkrimtari dhe publicisti Aurel Plasari, regjisori irlandez Mark Cousins, regjisori kosovar Isa Qosja (fitues e edicionit të shkuar me filmin “Kukumi”), regjisori italian Claudio Fragasso. Një juri e përbërë nga shqiptarë dhe të huaj, një formulë që sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare Kinematografike, Artan Minarollit, do të shmangte kontestimet që ka pasur në të shkuarën ndaj jurisë shqiptare. Juria e filmave të shkurtër, dokumentarë e vizatimorë përbëhet nga aktori kosovar që jeton në Vjenë, Astrit Alihajdaraj, shkrimtari dhe publicisti Mujë Buçpapaj, aktori dhe producenti kosovar Arben Zharku, drejtor i festivalit “Skena –UP”. Këtë vit, realizimi i këtij festivali në 100-vjetor është përballur me një buxhet më të vogël, edhe nga ai i premtuar në fillim, që në shifra është më i vogël se ai i festivalit të vitit 2006. Festivali i 13 i Filmit Shqiptar do të mbyllet më 9 nëntor, me një ceremoni çmimesh në Teatrin e Operës dhe Baletit. O. Lila

 

Çmimet e festivalit

1. Filmi Artistik më i Mirë

2. Regjia e Filmit Artistik më të Mirë

3. Muzika e Filmit Artistik më të Mirë

4. Aktori më i Mirë

5. Aktorja më e Mirë

6. Aktori më i Mirë për Rolet e Dyta

7. Aktorja më e Mirë për Rolet e Dyta

8. Filmi Dokumentar më i Mirë

9. Filmi Vizatimor më i Mirë

10. Filmi i Shkurtër më i Mirë

11. Çmimi Special i Jurisë

12. Çmimi i Karrierës

13. Çmimi “Kinema Millenium”

 

 

Filmat artistikë

1. Pharmakon         Joni Shanaj

2. E pakapshme       Andi Deliana

3. Amnistia          Bujar Alimani

4. Ballkan Bazar     Edmond Budina

5. Maya Pluton       Vasi

6. Shqiptari         Johannes Naber

7. Gomarët e Kufirit Jeton Ahmetaj

8. Lindje-Perëndim-Lindje Gjergj Xhuvani

9. Muajt e Mjaltit   Goran Paskaljević

10. Përtej Rrugës    Yll Çitaku

11. Gjallë           Artan Minarolli

12. Ne dhe Lenini    Saimir Kumbaro

13. Sekretet         Spartak Pecani

14. Koha e Kometës   Fatmir Koci

15. Mao-Ce-Dun       Besnik Bisha

 

 

Filma të shkurtër

1. Një sy mbyllur               Andamion Murataj

2. Matanë lumit                      Sabir Kanaqi

3. Bodrumi                      Arian Mustafa

4. Para perëndimit të diellit   Kled Kapexhiu

5. Dita e fundit e Loro Shestanit Sokol Keraj

6. Ngushtë                      Xhoslin Rama

7. Nusja                        Korab Lecaj

8. Refren për Kosovën           Dhimitër Ismailaj

9. Dritë në errësirë            Namik Ajazi

10. Homazh                      Ermela Teli

11. Si qeni n’rrush             Driton Hajredini, Yll Çitaku

12. Në përvjetorin e martesës   Artan Malaj

13. Shkallët                    Ilir Harxhi

14. Shenjtorja                  Eno Milkani

15. OK                          Blerta Zeqiri

16. Busulla                     Bujar Alimani

17. Hekurishtja                      Burim Haliti

18. Rri zgjuar                  Blerime Topalli

19. 24 orëshi i një 10000 lekëshi Redi Treni

 

 

Filma dokumentarë

1. 100 vjet me Himnin e Flamurit Petrit Ruka

2. Sekreti i Akiut              Merita Çoçoli

3. S’është Lavazh               Gentian Koçi

4. Martirët                     Saimir Kumbaro

5. Flamuri                      Lorina Pepo

6. Skënderbeu                   Vladimir Prifti

7. 20 vjeç                      Borin Leka

8. Rrugë                        Sabir Kanaqi

9. Pushtimet biometrike         Redi Mazi

10. Pamundësia                  Zhejniva Garo

11. Rojtari i bjeshkëve         Antoneta Kastrati

12. Ëndrra e Çamërisë           Kujtim Gjonaj

13. Beratinus                   Ylli Pepo

14. Iso Polifonia               Ibrahim Muçaj

15. Kur vriteshin poetët        Namik Ajazi

16. Përcjellja                  Mevlan Shanaj

17. Ventotenne                  Petro Lati