80 për qind e amerikanëve e lavdëruan për mënyrën se si menaxhoi katastrofën
Politika amerikane iu rikthye fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit pas disa ditësh pushimi të krijuara nga uragani Sandy, por shumë analistë po thonë se vetë uragani qe një ngjarje që i dha mundësi Obamës të përmirësojë imazhin e vet përballë amerikanëve dhe rrjedhimisht, përbën një avantazh në garën kundër rivalit republikan, Mitt Romney.
Obama vizitoi shtetin e Nju Xhersit të prekur rëndë nga uragani, ku krijoi marrëdhënie të mira me guvernatorin republikan të këtij shteti, i njohur si një kundërshtar i tij. Sandy shkaktoi 70 viktima në SHBA dhe la metropolin më të madh të botës për disa ditë pa infrastrukturë transporti. Presidenti mund të kishte shpenzuar një ditë tjetër duke u marrë me katastrofën, por zgjodhi të drejtohet në perëndim ku këshilltarët e tij besojnë se një shfaqje e tij personale mund t’i bindë mbështetësit demokratë përfundimisht të votojnë. Qyteti i Nju Jorkut po vuan këto ditë edhe nga niveli tepër i lartë i bllokimit të trafikut për shkak se shumë segmente të rëndësishme janë ende të mbyllura. Mes tyre është tuneli Holland, i cili lidh Nju Xhersin me Nju Jorkun dhe që vijon të jetë i përmbytur. Fluturimet rifilluan në të tria aeroportet e qytetit.
Obama ka planifikuar që të ndalojë në Nevada, Kolorado dhe Uiskonsin gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa konkurrenti i tij është gjithashtu i zënë me takimet e shumta elektorale lartë e poshtë Amerikës. Ndërkohë, në zonat e uraganit, më shumë se 6 milionë shtëpi e biznese nuk kanë ende energji elektrike dhe rrjetet janë ende duke u riparuar. Në disa lagje të izoluara, Roja Kombëtare filloi të evakuojë mijëra njerëz, si dhe të shpërndajë ushqime. Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, një kritik i ashpër i Obamës, ndryshoi mendim ditët e fundit dhe e falënderoi atë duke deklaruar se po punonin shumë mirë me kundërshtarin demokrat.
“Nuk mund ta falënderoj presidentin mjaftueshëm për shqetësimin e tij personal dhe pasionin për njerëzit e shtetit tonë”, tha ai.
Romney mbajti manifestime në Florida ku fushata e tij po përpiqet të krijojë një frymëzim pozitiv. Dita e zgjedhjeve është më 6 nëntor dhe sondazhet sugjerojnë se gara është shumë e ngushtë. Por Obama u lavdërua për mënyrën se si e menaxhoi krizën nga 80 për qind e amerikanëve, gjë që i jep atij një përfitim të shkaktuar nga tragjedia.
Në shumë zona të Nju Jorkut, tri ditë pas stuhisë janë shfaqur probleme shtesë. Karburanti ka filluar të mbarojë dhe furnizimi me karburant shtesë është i vështirë ndërsa mijëra gjeneratorë punojnë me kohë të plotë për të siguruar energji elektrike derisa të rikthehet rrjeti në funksion normal. Në disa lagje të Nju Xhersit, dyqanet qëndruan të mbyllura në mungesën e furnizimit normal, ndërsa njerëzit pritën në radhë para farmacive për të blerë ilaçet e domosdoshme. Këtu urdhri i qeverisë është që njerëzit të mos qarkullojnë në rrugë pas orës 7 të darkës, në mënyrë që të shmangen vjedhjet.