Protesta 


Hodhën parulla kundër qeverisë, policia i mban 4 orë në birucë. Lirohen kur iku Clinton


Qeveria nuk ka pranuar që nisë negociatat për dhënien e parave, ndonëse ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhjen e problemeve


Silvana Muça


Ish të përndjekurit politikë, në ditën e vizitës së sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, kanë tentuar paraditen e së enjtes që të zhvillojnë një tubim paqësor, në një prej bulevardeve në të cilin ajo do të kalonte. Vizitën e kryediplomates amerikane, ish të përndjekurit e kanë pritur me shumë optimizëm, duke pretenduar se provokimi nga ana e tyre, me anë të protestës, do të tërhiqte vëmendjen e Clinton-it, duke pritur më pas edhe një reagim pozitiv prej saj. Por tubimi i ish të përndjekurve politikë, ndonëse ishte përgatitur deri në detaj dhe ishte hartuar prej kohësh, nuk është arritur që të realizohet, sepse është penguar nga policia. Këta të fundit kanë qenë në dijeni të organizimeve që po bënin ish të përndjekurit dhe kanë marrë masat për të shmangur ndonjë incident të paralajmëruar. Burimet bëjnë me dije se pak kohë, pasi Clinton kishte mbërritur në Tiranë, një grup prej 12 personash, mes tyre edhe gra të ardhura nga Shkodra, e kanë nisur tubimin nga Instituti i të Përndjekurve Politikë dhe ndër duar mbanin dy parulla të shkruara në gjuhën angleze, për t’i përcjellë mesazhet e duhura në interes të tyre, zyrtares së lartë të shtetit amerikan. Në njërën prej pankartave, është paraqitur fotografia e Berishës, shenjë barazimi dhe fotografia e Stalinit, të cilat përcilleshin me nënshkrimin: Ish-sekretari i partisë, Sali Berisha, ti nuk mund të na garantosh demokracinë, as për ne, as për fëmijët tanë dhe as për vendin. Ndërsa në parullën e dytë, me një gjatësi prej 5 metrash, ish të përndjekurit i uronin mirëseardhjen zonjës Clinton, mike e shqiptarëve. Njëkohësisht ata kanë dashur që t’i përcillnin edhe mesazhin se në Shqipëri sundon diktatura. Me anë të parullave, atë kanë dashur që sekretares amerikane të Shtetit, t’i krijojnë perceptimin se politika në vend ka shumë probleme dhe se qytetarët janë të pakënaqur, si pasojë e shkeljes së të drejtave të njeriut. Sipas Skënder Tufës, godina e shoqatës së tyre, që në orët e para të mëngjesit ishte blinduar dhe rrethuar nga policë të shumtë, sepse ata e kanë pritur një reagim nga ish të përndjekurit politikë, të cilët disa ditë më parë kanë protestuar në mënyrat më ekstreme, deri në vetëflijim, për marrjen e dëmshpërblimeve të premtuara nga Kryeministri aktual. Qeveria nuk ka pranuar që nisë negociatat për dhënien e parave, ndonëse ndërkombëtarët kanë kërkuar për ditë me radhë, zgjidhjen e problemeve. Vizita e Hillary Clinton-it, u ka dhënë shpresë ish të përndjekurve, se kërkesat e tyre do të marrin përgjigje pozitive. Por edhe kjo mundësi është djegur nga ndërhyrja e shpejtë e policisë. Tufa ka treguar të gjithë ngjarjen e ndalimit dhe shoqërimit të tyre në rajon. Ai thotë se sapo uniformat blu i kanë parë që të afrohen afër godinës së ish të përndjekurve, kanë kërkuar të largohen. Këta të fundit pretendojnë se u janë përgjigjur urdhrit të policisë. “Ne iu bindëm policisë dhe në kohën që po largoheshim, 20 metra më tutje, afër Rrugës së Elbasanit, katër makina policie ndërhynë dhunshëm, duke u sulur drejt nesh. Na morën zvarrë, prej flokësh dhe na përplasën në makinat e tyre. Më pas na shoqëruan në rajonin e policisë, pa asnjë pretendim dhe na kanë mbajtur atje rreth gjashtë orë. Sapo zonja Clinton është larguar nga Shqipëria, ne jemi lënë të lirë”, ka treguar ngjarjen Skënder Tufa. Në kohën që ish të përndjekurit politikë kanë dalë nga rajoni i policisë, ndër duar mbanin flamurin amerikan. “Me këtë gjest, ne kërkojmë që të përshëndesim zonjën Hillary Clinton nga birucat e komunistit Sali Berisha. Ne nuk kishim si qëllim që të krijonim incidente, por thjesht kërkuam që të përshëndesim kryediplomaten e shtetit më të fuqishëm të globit”, kanë përfunduar rrëfimin grupi i të shoqëruarve në polici.


 


Skënder Tufa – “Katër makina policie ndërhynë dhunshëm duke u sulur drejt nesh. Na morën zvarrë, prej flokësh dhe na përplasën në makinat e tyre”


Parullat – Në kohën që dolën nga polici, ndër duar mbanin flamurin amerikan. “Përshëndesim zonjën Hillary Clinton nga birucat e komunistit Sali Berisha”


Protesta – Pak kohë, pasi Clinton kishte mbërritur në Tiranë, një grup prej 12 personash, mes tyre edhe gra të ardhura nga Shkodra, e kanë nisur tubimin nga Instituti i të Përndjekurve Politikë dhe ndër duar mbanin dy parulla të shkruara në gjuhën angleze, për t’i përcjellë mesazhet e duhura në interes të tyre, zyrtares së lartë të shtetit amerikan


 


Intervista


“Nuk na trembin komunistët, s’kemi frikë të kërkojmë të drejtat tona”


Gjergj Ndreca: Letra që i dërgova Clinton-it? Pres përgjigje nga Arvizu


Ish i përndjekuri politik, Gjergj Ndreca, i cili u dogj në kohën që ishte në grevën e urisë, ka komentuar vizitën e Hillary Clinton. Ai beson se sekretarja amerikane e Shtetit ka diskutuar edhe për kauzën e tyre dhe se është në pritje të përgjigjes së letrës, që ai i ka dërguar disa ditë më parë. Gjithashtu Ndreca, është shprehur i indinjuar edhe për shoqërimin e bashkëvuajtësve në polici, në kohën që ata po bënin një tubim paqësor me rastin e vizitës së Clinton-it në Shqipëri.


Si i komentoni deklaratat e zonjës Clinton?


Në media u fol, sikur zonja Clinton foli vetëm për zgjedhje të lira e për ndaljen e korrupsionit nga pushtetarët. Por në takimet e mbyllura, është diskutuar edhe më tepër, duke përfshirë kauzën tonë, por që nuk bëhet publike. Politikanëve iu lexohet në ballë, sikleti i shkaktuar nga sekretarja amerikane e Shtetit. Ata i kanë bërë një sër poshtërsish këtij vendi dhe sot u vunë në pozitë të vështirë.


A ju erdhi përgjigje, pas letrës që i dërguat zonjës Clinton?


Jam ende në pritje të përgjigjes së letrës zyrtare që i kam dërguar. Besoj se zonja Clinton do ma dërgojë përgjigjen e problemeve që unë kam trajtuar në atë letër. Përgjigjen e sekretares amerikane të Shtetit, e pres që të më vijë me anë të ambasadës amerikane apo nëpërmjet mikut tonë, Arvizu. Jam i bindur që do kem një përgjigje.


Ç’koment keni për shoqërimin e të përndjekurve në rajon?


Të mbahen peng ish të përndjekurit në polici, të tërhequr zvarrë, mes tyre edhe femra, në prani të zonjës Clinton, në kohën që ajo hyn në Parlament, është e turpshme. Edhe mua më kanë blinduar këtu në spital. Policia vetëm sot ka ndërruar 4 turne për të më survejuar. Ata kanë frikë prej meje, ndërkohë që unë jam duke luftuar me jetën, prej plagëve të shkaktuara nga djegia, në kohën e grevës së urisë. Zyrtarët shqiptarë zgërdhihen me një veprim kaq të ulët, siç ishte shoqërimi i të përndjekurve në polici. Ata janë një grup servilësh, e bëjnë sikur kanë dashuri të madhe për Amerikën. I bënë duart me kallo sot, nga duartrokitjet në Kuvend. Deri më dje, bërtisnin me të madhe “Poshtë Imperializmi Amerikan! Rroftë Enver Hoxha dhe KKB-ja Sovjetike!”. Ndërsa sot hiqen si mbështetës të zjarrtë të perëndimit.


Një mesazh për ish të përndjekurit?


Ju bëj thirrje nga spitali “Nënë Tereza”, në të cilin unë po kurohem prej 25 ditësh, se greva dhe protestat nuk kanë përfunduar. Ato do të vazhdojnë sepse, ne nuk na trembin komunistët. Nuk kemi frikë të kërkojmë një të drejtë që na është miratuar me ligj. Nuk ndalemi për asgjë.


 


Deputetët


I bënë duart me kallo sot, nga duartrokitjet në Kuvend. Deri më dje, bërtisnin me të madhe “Poshtë Imperializmi Amerikan”