Nuk pranon kushtet e çekëve. Ministri Halimi: Çështja në gjyq. Frikë nga penalitetet


ARD KOLA


Sikurse e cilësoi dhe Banka Botërore, “divorci” mes shtetit shqiptar dhe kompanisë CEZ, në këtë pikë ku kanë arritur ngjarjet, duket i pashmangshëm. Tashmë, kur palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duket se fati do të caktohet në Gjykatën e Arbitrazhit, jashtë kufijve të shtetit shqiptar, duke u përballur me sisteme të forta të drejtësisë dhe ku “pazaret” (si në Shqipëri) janë vështirë për t’u kryer. Në datat 30-31 tetor dhe në datën 1 nëntor, mes Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Entit Rregullator ka pasur fluks korrespodencash për gjetjen e zyrës avokatore. Mësohet se Kryeministri Berisha ka thirrur urgjentisht në zyrë ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, për nisjen e procedurave të kontraktimit, duke i dhënë porositë e rastit për “kujdes”. Qeveria i druhet penalitetit që mund të vijë nga arbitrazhi, pasi mendohet se CEZ ka përgatitur një superdosje kundër Shqipërisë dhe ndëshkimi mund të arrijë në dhjetëra milionë euro.


Ja çfarë i rekomandon Halimi komisionit përzgjedhës për gjetjen e zyrës avokatore, në urdhrin e lëshuar më datë 1 nëntor. (Zyra avokatore). “Të propozojë alternativa të tjera ligjore dhe me efekte sa më minimale financiare për shtetin shqiptar në rast se është e nevojshme për shkak të dështimit në arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme ndërmjet palëve”. Pra, meraku qëndron dhe për këtë fakt, ministria ka hartuar një set rregullash për gjetjen e një zyre të huaj ligjore sa më kompetente.


Kërkesa


Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, me shkresën nr.1705/9, Prot., datë 31.10.2012, ka sqaruar nevojën e kontraktimit të një konsulenti ndërkombëtar për të asistuar Entin Rregullator të Energjisë për rastin e “CEZ Shpërndarje”. Në këtë shkresë, argumentohet se kjo çështje është shumë e vështirë për t’u ndjekur nga Avokatura e Shtetit, për shkak të kompleksitetit shumë të madh të çështjes, si dhe nevojës për njohuri mbi praktikën ndërkombëtare në fushën e licencimit në sektorin e energjisë. Në këto kushte, është vlerësuar e drejtë kërkesa e Entit Rregullator të Energjisë, e paraqitur me shkresën nr.683/3 Prot., datë 31.10.2012, për kontraktimin e një konsulenti ndërkombëtar, i cili do të kishte mundësi reale të ofronte konsulencë të kënaqshme në fushën licencimit në sektorin e energjisë.


“Kjo çështje është me rëndësi të veçantë për interesat e shtetit, sepse ka të bëjë me mbrojtjen dhe përfaqësimin sa më të mirë të interesave pasurore të shtetit, si dhe moscenimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve tariforë”, thotë ministri i Drejtësisë. Halimi e vlerëson çështjen të një natyrë e veçantë dhe të ndërlikuar juridike dhe kërkon njohuri juridike të specializuar dhe për këtë shkak ka urdhëruar miratimin e kërkesës së paraqitur nga ERE, nëpërmjet shkresës datë 31.10.2012, për kontraktimin e një konsulenti ndërkombëtar, për të ofruar asistencë për rastin e “CEZ Shpërndarje”.


Gjyqi


Vlen të theksohet që marrëveshja e mbështetjes qeveritare parashikon vendosjen e një garancie prej 60 milionë dollarësh nga ana e Ministrisë së Financave (shtetit shqiptar) për të mbuluar çdo dëm financiar që do t’i shkaktohej shoqërisë “CEZ Shpërndarje” nga vendimet e pambështetura të ERE-s, garanci e cila do të ekzekutohej nëpërmjet BERZH-it, ndërkohë që të dyja marrëveshjet e sipërpërmendura parashikojnë të drejtën e investitorit privat që t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar në rast të ndonjë mosmarrëveshje apo konflikti të mundshëm ndërmjet palëve. BB thotë se për momentin nuk e shikon të logjikshme kalimin e shumës te CEZ, pa u faktuar pretendimet.


Ministri i Drejtësisë jep edhe shkaqet se pse çështja mes CEZ dhe qeverisë shqiptare po shkon drejt arbitrazhit. “Për arsye të performancës jo shumë të mirë të kompanisë private ‘CEZ Shpërndarje’, sidomos gjatë vitit 2012, situata financiare e kësaj kompanie dhe e pothuajse të gjithë sektorit të energjisë elektrike në vend është përkeqësuar”, thotë ministri. Sipas tij. kompania “CEZ Shpërndarje”, për shkak të vështirësive financiare me të cilat është ndeshur i ka parashtruar qeverisë shqiptare një sërë kushtesh të cilat janë konsideruar nga qeveria si jo të mbështetura dhe për pasojë jo të mundshme për t’u plotësuar. “Në këtë kuadër, kompania “CEZ Shpërndarje” ka propozuar marrjen në konsideratë nga qeveria edhe të mundësisë së arritjes së një marrëveshje mirëkuptimi për të shmangur një konflikt të mundshëm ligjor dhe të një zgjidhje nëpërmjet aktivizimit të arbitrazhit ndërkombëtar”, përfundon shkresa sqaruese e ministrit.


 


Motivet


CEZ po shikon opsionin e largimit pasi autoritetet kompetente nuk kanë respektuar deklaratën rregullatore për rishikimin e humbjeve dhe se janë duke “punuar nën një klimë jashtë standardeve”


Halimi thotë se Avokatura e Shtetit nuk ka eksperiencën e duhur për të ndjekur çështjen e CEZ-it