Kalendari përfshin aktivitetet e muajit nëntor dhe vetëm tri ngjarje në dhjetor. Axhenda pritej me muaj të bëhej publike, ndërkohë që pjesë e veprimtarive janë bërë edhe aktivitete të përvitshme


“Deri më tani janë shpenzuar 300 milionë lekë” 


Oliverta Lila


Në ditën e dytë të nëntorit, Ministria e Kulturës ka shpallur kalendarin e aktiviteteve të 100-vjetorit. Ministri Aldo Bumçi  në konferencën e djeshme për shtyp, ka renditur disa nga ngjarjet e rëndësishme që pritet të ndodhin, por pa anashkaluar edhe ato që sipas tij tashmë janë shënuar. Bumçi është ndalur te kthimi për ekspozitë i armëve të Skënderbeut, duke cilësuar se është hera e parë që pas kaq shekujsh ato vijnë “në shtëpi”, tek ekspozimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe të tjerë libra të Budit, Bogdanit, Bardhit, ka kujtuar ekspozitën e kodikëve të Beratit, promovimin i librit me fotografi të Marubit, përurimin e monumentit të pavarësisë, të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, por edhe Petro Markos, Pjetër Arbnorit, Presidentit Wilson, Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar, Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës, ka kujtuar Panairin e Librit etj. Kalendari i plotë përfshin disa konferenca shkencore e disa ekspozita, ndërkohë që përveç nëntorit, tri aktivitete janë parashikuar në dhjetor, duke e mbyllur këtë kalendar më 20 dhjetor me ceremoninë e “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë”, të shtyra për gati një vit. Ky kalendar pritej në fakt që në fillim të këtij viti. Me muaj të tërë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh (nga të cilat pak të ngulitura për atë që transmetuan) duke i cilësuar si aktivitete për 100-vjetorin e pavarësisë. Ministri Bumçi është pyetur veçanërisht për aktivitetet e parashikuara në datën 28 nëntor. “Data 28 nëntor do të fillojë me çeljen e ceremonisë në Vlorë siç e parashikon edhe protokolli, me ngritjen e flamurit dhe pasdreke aktivitetet do të vazhdojnë në Tiranë. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit do të jenë në Vlorë që në datën 27 nëntor, në finalen e kupës ‘100 vjet pavarësi’ në futboll. Do të ketë një prani të madhe personalitetesh në Vlorë”, është shprehur Bumçi. Me këtë ai ka dashur të theksojë se Vlora nuk është përjashtuar nga festimet e këtij 100-vjetori, duke theksuar edhe njëherë qëndrimin e Kryeministrit Berisha të para dy ditëve. Në kalendar, pas finales së kupës, theksohet se në Vlorë, në orën 18.30 do të mbahet koncert festiv me pjesëmarrje trupash artistike nga vendi. Marrin pjesë Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri i Shqipërisë, Trupi Diplomatik, kryetari i Bashkisë Vlorë dhe personalitete të huaja. Data 28 nëntor, ora 10.00 nis me hapjen e ceremonisë dhe vendosje kurorash mbi varrin e Ismail Qemalit. Në orën 13.00 festimet do të jenë zhvendosur në Tiranë, me një ceremoni të vendosjes së kurorave dhe nderimit pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Në orën 14.00 është parashikuar koncert festiv në “Sheshin Skënderbej”, ora 17.00, parada e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në “Sheshin Skënderbej”  dhe mbajtja e fjalës së rastit nga Presidenti i Republikës; ora 17.30, ceremonia e përurimit të përmendores kushtuar “100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”; ora 18.00, mbrëmje solemne akademike në Pallatin e Kongreseve; ora 19.30 përmbyll festimet e kësaj dite me një koncert në sheshin “Nënë Tereza”. Data 29 nëntor është bosh, për të vazhduar me aktivitete më 30 dhjetor. Pjesë e kalendarit janë bërë një sërë aktivitetesh të përvitshme si Panairi i Librit, çmimet letrare apo edhe aktivitete si Festivali i Filmit dhe i Dramës që zhvillohen njëherë në disa vjet. Ministri Bumçi theksoi se deri më tani janë shpenzuar 300 milionë lekë për realizimin e aktiviteteve deri më tani, ndërkohë që kjo faturë do të shtohet veçanërisht për muajin nëntor. Një pjesë e mirë e intelektualëve kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës se si është kremtuar 100-vjetori i pavarësisë, e veçanërisht për aktivitetet që më shumë janë dukur si të rastësishme ose të paracaktuara, por jo të shpallura. Vendimi i disa ditëve më parë i Këshillit të Ministrave, dukej si një ironi e gjithë këtij procesi. Vendimi mbi “Procedurat e financimit të projekteve dhe veprimtarive artistike”, adresuar MTKRS-së, rendiste një listë të gjatë kriteresh mbi përcaktimin e rregullave të përgjithshme dhe të procedurës për shpalljen e konkurrimit për projektide për veprimtari të ndryshme artistike dhe kulturore; realizimin e veprimtarive kulturore e artistike nga subjekte private, si dhe nga ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën (festa kombëtare, nderim figurash, përvjetorë të mëdhenj dhe rast pas rasti). Në këtë listë përmendet ngritja e komisioneve të vlerësimit, i cili pesë ditë nga vendimi i paraqet ministrit idenë më të mirë, e një sërë rregullash të tjera. Një vendim i tillë duket “sa për të larë gojën”, kur një listë e gjatë aktivitetesh tashmë është realizuar dhe janë shpallur të tjerat që do të realizohen në vazhdim, me zbatimin ose jo të të tilla kritereve. Në fund të konferencës, ministri Bumçi foli edhe për konkursin e siglës që do të shoqërojë aktivitetet. Sipas tij, janë paraqitur projektet (gjithsej janë 3 të tilla) dhe është ngritur juria për t’i marrë në shqyrtim. Bumçi u shpreh se ndoshta fituesi do të shpallet javën që vjen.