Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi të shtunën takime me tregtarët e vegjël në njësinë bashkiake numër 5 të kryeqytetit. Pasi dëgjoi ankesat e tregtarëve, Rama u premtoi rivitalizimin e biznesit të tyre familjar duke i hequr së pari taksën e biznesit të vogël. “Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël, sepse në total për shtetin në arkë është 30 milionë dollarë, 0.5 për qind e të gjithë të ardhurave por të mos harrojmë që janë praktikisht dhjetëra mijëra familje që jetojnë me biznes të vogël”.
Nga ana e tyre tregtarët e vegjël u shprehën të shqetësuar për rritjen drastike të çmimeve dhe taksave, si dhe rënies së fuqisë blerëse. “Janë rritur të gjitha taksat, xhiro s’ka, lekë s’ka, fukarallëk”; “Xhiro skandaloze s’ka ku të shkojë me keq, krizë më të madhe se kjo s’ka pas ndonjëherë” ; “Që mos arrish as të lash qeranë e dyqanit është e tmerrshme”, janë ankuar tregtarët.
Lideri i opozitës u shpreh se për Partinë Socialiste taksa e biznesit të vogël duhet hequr menjëherë pasi në kushtet e një krize ekonomike dhe me rënien e fuqisë blerëse kjo taksë po asfikson këtë biznes. Momenti kritik që po kalon vendi dhe ekonomia shqiptare kërkon politika të reja dhe të qarta duke filluar me një politikë tërësisht të re për taksat.
3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)