Konflikti


Një video tregon vrasje masive të kryera me gjakftohtësi


Rebelët e Sirisë u akuzuan për kryerjen e krimeve të luftës pasi një video u publikua duke treguar ekzekutim masiv të ushtarëve pro qeverisë. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe “Amnesty International” dënuan vrasjet, të cilat raportohet se kanë ndodhur pasi rebelët kapën një pikë kontrolli qeveritare të enjten.


Pamjet duket se tregojnë rebelët që rrahin ushtarët para se t’i vrasin ata. Raporti i pakonfirmuar tregon se trupat qeveritare i kanë humbur tashmë të gjitha bazat në qytetin verior të Saraqeb. Ky qytet është në një udhëkryq rrugësh të rëndësishme. Ndërkohë, ushtria e Sirisë vijoi bombardimet ajrore.


Në total, në betejën e fundit vlerësohet se kanë vdekur më shumë se 150 vetë, nga të cilët, 70 ishin ushtarë të qeverisë. Videoja e publikuar tregon ushtarë që besohet se janë nga radhët e rebelëve, të cilët rrahin dhe vrasin ushtarët e qeverisë brenda një ndërtese. OKB deklaroi se “ka shumë gjasa që kemi të bëjmë me një krim lufte, me një krim lufte të radhës”. Në rast se video del e vërtetë, ajo do të jetë pjesë e hetimeve mbi luftën në Siri që po kryhet nga OKB.


Ndërkohë, “Amnesty” deklaroi: “Kjo është një video tronditëse që tregon krimet e mundshme të luftës që po kryhen dhe demonstron mungesë të thellë respekti për ligjin humanitar ndërkombëtar nga grupimet e armatosura në fjalë”. Asnjë grupim nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjet.