Ish të përndjekurit politikë, që ndanë për ditë me radhë çadrën së bashku me Lirak Bejkon gjatë grevës së tyre të urisë, kërkojnë që homazhet për të ndjerin, Bejko, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në spitalin e Barit, të mbahen në ambientet e Institutit të të Përndjekurve Politikë.


Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve, Skënder Tufa deklaroi se Lirak Bejko është viktimë e një shteti diktatorial dhe se shokët e tij të një kauze do ta çojnë deri në fund amanetin e Lirakut, për ta vazhduar luftën për të drejtat e tyre legjitime.


“Shteti diktatorial vazhdon të vrasë me heshtjen e tij. Ne në mënyrë paqësore sot i kërkojmë drejtorit të institutit të ish të përndjekurve që në momentin që do vijë trupi i Lirak Bejkos, të nderohet në institut. Kjo derë është mirë të hapet, që të mos thyhet. Do të vijnë njerëz nga gjithë Shqipëria për t’i bërë homazhe këtij heroi”, – deklaroi Tufa.


Ndërkohë, trupi i  pajetë i Lirak Bejkos, për shkak të proceduarave që ndiqen në këto raste, pritet të vijë pas disa ditësh në atdhe dhe ende nuk dihet me saktësi se ku do të kryhen homazhet në kujtim të tij, pasi nuk ka një prononcim zyrtar nga ana e Institutit të të Përndjekurve Politikë në lidhje me këtë kërkesë të bërë nga ish-revistët e urisë,


Lirak Bejko ndërroi jetë rreth orës 11:30 të ditës së premte, pas 20 ditësh kurimi në spitalin e Barit, në Itali, për djegie në 50 për qind të trupit. Ai i vuri flakën vetes 2 ditë pasi Gjergj Ndreca bëri të njëjtin veprim, gjatë grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, në ditën e 19 të saj.


 


3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)