Shoqata e Transportit: Vizualisht aboneja nuk verifikohet nëse është ose jo false
Abonetë me apo pa karton janë të vlefshme në të gjithë linjat e transportit. Të paktën kështu deklaroi drejtoresha e transportit dhe lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha.
“Bashkia e Tiranës dëshiron t’i bëjë me dije të gjithë qytetarëve, se të gjithë abonetë e shitura me apo pa karton shoqërues, janë të vlefshme për të udhëtuar në të gjitha linjat e transportit qytetas, brenda Bashkisë së Tiranës. Në rast të çdo shqetësimi të krijuar ndaj qytetarëve që udhëtojnë me këto abone, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë të gjithë masat administrative, në përputhje me kontratat e nënshkruara me këta operatorë, duke shkuar deri në ndërprerje të licencës”, theksoi Hoxha.
Ajo shtoi se abonetë e emetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë në përputhje me legjislacionin, të pajisura me elementë sigurie, siç është shiriti i ndritshëm dhe shkrimi “Bashkia e Tiranës”, kështu që nuk ka vend për të menduar për abuzime. Por Hazbi Përllaku, drejtor i Shoqatës së Transportit qytetas, këmbëngul se aboneja është lehtësisht e falsifikueshme.
“Bashkia e Tiranës u tërhoq. Dy ditë më parë, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se nuk do ta njihte abonenë që shoqërohej me karton, ndërsa dje zyrtarisht pohuan se do ta njohin atë si me karton edhe pa të. Por ajo që kjo agjenci nuk po kuptojnë akoma, është fakti se ne nuk po kontestojmë abonenë, pasi ajo është në përputhje me ligjin, por duam që ajo të shoqërohet me karton, përndryshe vështirësia kalon mbi ne”, tha Përllaku. Ai shtoi se në abone ka një element sigurie, por kjo nuk e eliminon mundësinë e falsifikimit të saj.
“Një tjetër shqetësim që kemi ne është se aboneja nga ana vizive është e vështirë të verifikohet nëse është false apo jo. Për rrjedhojë puna jonë vështirësohet, pasi ne nuk kemi aparatura të posaçme që të mundësojnë këtë lloj verifikimi. Jemi të bindur që kjo situatë po nxitet nga dikush që do të vjedhë, nga dikush që po e nxit mundësinë për abuzime për përfitimet e tij personale”, tha drejtori i Shoqatës së Transportit qytetas. Sh.Mezini