Metropoli më i madh i botës has vështirësi në punën për kthimin në normalitet
Reuters – Katër ditë pas superstuhisë Sandy, bregu verilindor i SHBA-së mbetet në vështirësi të stërmëdha, ndërsa trupat e viktimave zbulohen duke treguar përmasat e vërteta të katastrofës. Punëtorët e shpëtimit janë duke punuar me kapacitet të plotë për të siguruar ndihmën për popullatën e prekur ndërkohë që mjetet e domosdoshme për të jetuar mungojnë.
Numri i të vdekurve ka arritur në mbi 100, ku vetëm në qytetin e Nju Jorkut janë gjetur 40 kufoma. Zona më e goditur duket se është Staten Island, ku u përplas një mur uji nga oqeani. Mes të vdekurve në këtë zonë qenë dy vëllezër, 2 dhe 4 vjeç, të cilët u rrëmbyen nga krahët e nënës të tyre pasi makina e tyre u bllokua nga përmbytja e rrugës. Trupat e tyre u gjetën pranë njëri-tjetrit në një moçal të enjten.
Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Janet Napolitano, dhe administratori i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave Richard Serino, planifikuan të vizitojnë zonën ndërsa popullata filloi të protestojë për vonesën e ndihmave.
Viktimat e stuhisë shfaqën zemërim ndaj politikanëve, duke filluar nga Presidenti Obama, i cili fillimisht u lavdërua për menaxhimin e krizës, por tani po kritikohet për mosmarrjen e masave të plota për të ndihmuar të prekurit. Stuhia u përplas në një nga zonat më të populluara të Shteteve të Bashkuara.
“Ata thjesht na harruan”, thotë Theresa Connor, 42 vjeçe, duke treguar një lagje të Staten Island si të “eliminuar”. Ajo ishte veçanërisht e zemëruar me kryebashkiakun Michael Bloomberg, i cili pati deklaruar se e keqja kishte kaluar dhe se maratona e famshme e qytetit do të mbahet si zakonisht. Maratona pritet të zhvillohet të dielën, si një aktivitet që krijon shumë të ardhura për ekonominë e qytetit.
Duke shtuar zemërimin, popullatat në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konetikat u përballën edhe me mungesën e karburantit. Radhë të gjata me makina pritën për t’u furnizuar nëpër pikat e pakta të karburantit që janë ende hapur. Në një rast, një shofer u arrestua në Nju Jork pasi kërcënoi një shofer tjetër me pistoletë, sepse po përpiqej të hynte pa radhë.
Mot i ftohtë në pritje
Parashikuesit e motit flasin për temperatura më të ulëta, gjë që pritet të rrisë tensionin, për shkak se banorët pritet të kenë vështirësi në furnizimin e duhur me naftë për ngrohje, ndërsa edhe kaldajat dhe rrjetet e energjisë nuk janë riparuar ende tërësisht.
Në stacionin Hes, të enjten në darkë në Nju Xhersi, njerëzit pritën në radhë deri në tri orë për të mbushur makinat me karburant. Policia drejtoi trafikun. “Kjo është një situatë apokaliptike. Ku duhet të shkojmë për të blerë benzinë? Në Tenesi?”, thotë një shofer.
Energjia elektrike pritet të kthehet në normalitet në Manhatan të shtunën, por ndoshta do të duhet edhe një javë për të riparuar të gjithë rrjetin. Rreth 4.5 milionë shtëpi dhe biznese në 15 shtete në SHBA mbetën pa energji elektrike.
Zemërimi është veçanërisht i madh ndaj kryebashkiakut Bloomberg, i cili deklaroi mbajtjen e maratonës ku marrin pjesë më shumë se 40 mijë vetë, duke argumentuar se ndihma për viktimat nuk do të pakësohet nga ky vendim. Staten Island shtrihet përtej gjirit në Nju Jork nga Manhatani i poshtëm dhe ka rreth 500 mijë banorë.
Në Nju Xhersi, ku së paku 13 vetë u vranë, disa lagje përgjatë oqeanit u gllabëruan nga deti. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme për njerëzit se sa shtëpitë e tyre”, tha guvernatori i shtetit, Chris Christie.
Katastrofë e kushtueshme
Kostoja financiare e stuhisë vlerësohet tashmë në rreth 20 miliardë dollarë prona të siguruara dhe deri në 50 miliardë dollarë në total. Vlerësimet aktuale janë dy herë më të larta se sa ato paraprake. Sandy mund të renditet tashmë si katastrofa e katërt më e kushtueshme në historinë amerikane. Në disa lagje pa drita në Nju Jork, banorët u ankuan për mungesën e policisë dhe frikën nga krimi. Të tjerë ishin të shqetësuar për mungesën e sinjalistikës në rrugë.
“Njerëzit ndjehen të sigurt gjatë ditës, por sapo bie nata, ata janë shumë të frikësuar. Fakti që Engjëjt Mbrojtës kanë dalë në rrugë në përpjekje për të rivendosur ligjin dhe rendin tregon se sa shumë jashtë kontrollit ka dalë situata në Manhatanin e poshtëm”, thotë një pronar restoranti. Engjëjt Mbrojtës janë një grup vullnetarësh kundër krimit.
Sandy filloi si një uragan i vonë për sezonin në Karaibe, ku vrau 69 njerëz, para se të përplasej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uragani shkaktoi dëme në një brez të gjerë nga Karolina në Konektikat.
Fushata presidenciale ka rifilluar në tërësi pas disa ditësh pushimi për shkak të stuhisë. Presidenti Obama është duke luftuar një garë të ngushtë me sfidantin republikan Mitt Romney. Nga zgjedhjet na ndajnë vetëm katër ditë.