Masa e sigurisë sjell përleshje në gjykatë

Vrasja e Vloçishtit

Lënia në burg e Kodrallit shkaktoi zemërim te familjarët e tij. Motrës i ra të fikët

Me tension dhe përleshje është shoqëruar masa e sigurisë në Korçë për 35-vjeçarin Edison Kodralli, i cili dyshohet për vrasjen e Hetem Henës në fshatin Vloçisht. Dhënia e masës “burg pa afat” nga gjykata ka shkaktuar zemërim te familjarët e Kodrallit, duke sjellë një përplasje me policinë brenda sallës së gjyqit. Familjarët e tij kanë mohuar autorësinë e krimit për të afërmin e tyre, madje kanë krijuar një skenë të tmerrshme, duke thyer disa karrige të sallës së gjyqit dhe duke krijuar një konfuzion të vërtetë në gjykatë. Ndërkaq, motrës së të pandehurit i ka rënë të fikët, duke e bërë situatën edhe më të rëndë.

Masa e sigurisë

Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 35-vjeçarin, i cili dyshohet se më 28 tetor vrau me armë zjarri babanë e pronarit të një lokali të lojërave të fatit në fshatin Vloçisht. Organi i akuzës ka prezantuar para gjykatës, në mënyrë kronologjike, gjithçka mendohet se ka ndodhur mbrëmjen kur ndodhi krimi, si dhe prova materiale të grumbulluara në vendin e ngjarjes. Sipas prokurorisë, Edison Kodralli ka luajtur në lojëra fati mbrëmjen e krimit, duke humbur shumën prej 9 mijë lekësh të reja. Disa orë më vonë, ai është kthyer në lokal dhe ka ekzekutuar me armë zjarri babanë e pronarit, i cili ruante biznesin natën. Një nga provat që ka paraqitur prokuroria që fajësojnë dhe akuzojnë 35-vjeçarin për kryerjen e vrasjes, ka qenë bluza e sekuestruar në banesë, në të cilën, kriminalistika ka konstatuar gjurmë baruti dhe elemente të tjera që Kodralli ka qëlluar me armë zjarri. Gjithashtu, sipas prokurorisë, gjatë marrjes në pyetje përgjatë disa ditëve, i dyshuari ka dhënë versione të ndryshme të ngjarjes, sidomos për personat që ka takuar atë ditë. Në këto kushte, prokuroria kërkoi masën e sigurimit “arrest me burg” për të dyshuarin. Vetë i arrestuari, por edhe avokati i tij, ka mohuar akuzat për vrasjen dhe ka kërkuar që drejtësia të gjejë vrasësin e vërtetë. Sipas avokatit dhe dëshmive të familjarëve, 35-vjeçari është i pafajshëm, ndërsa bashkëshortja e të akuzuarit, Albana Kodralli, ka përjashtuar përfshirjen e bashkëshortit të saj në këtë vrasje, ndërsa ka shtuar se policia duhet të gjejë autorin e vërtetë të këtij krimi. “Prova e vetme mbi bazën e së cilës u prangos Edison Kodralli, është një bluzë e tij, ku janë gjetur gjurmë të djegies. Këto janë shkaktuar nga saldimi që ai ka kryer në makinë së bashku me kunatin”, është shprehur mbrojtja. Pasi ka dëgjuar palët, gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe ka vendosur “arrest me burg” ndaj Kodrallit.

Përleshja në sallë

Por, përfundimi i seancës dhe dhënia e këtij vendimi është shoqëruar me tensione në sallën e gjyqit, ku familjarët e të pandehurit, në mënyrë të dhunshme, kanë reaguar për të mbrojtur 35-vjeçarin. Ata kanë thyer disa karrige dhe kanë krijuar një situatë të paprecedentë në ambientet e brendshme të gjykatës, pikërisht në sallën penale, ku u zhvillua seanca për masën e arrestit. Menjëherë në sallën e gjyqit ka ndërhyrë policia, e cila ka bërë të mundur qetësimin e tyre, duke i shoqëruar jashtë ambienteve të gjykatës. Në këtë kohë, motrës së Kodrallit i ka rënë të fikët dhe situata është përkeqësuar, ndërkohë që policia e ka nxjerrë jashtë të dëmtuarën bashkë me familjarët e tjerë. Ata kanë vazhduar të deklarojnë se drejtësia po i vriste dhe se 35-vjeçari nuk ishte vrasësi i vërtetë i Hetem Henës. Ky i fundit u ekzekutua më 28 tetor në fshatin Vloçisht të Rrethit të Korçës në lokalin e të birit. Viktima u gjet i pajetë, pikërisht nga i biri, kur shkoi për të hapur lokalin. Djali i viktimës dhe Kodralli ishin shokë të ngushtë, pasi njiheshin që të vegjël me njëri-tjetrin edhe për shkak të afërsisë së vendbanimeve të tyre.

Red. Akt.

Autor te 4 Nëntor 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry