Kandidatët për President sulmojnë shtetet kyçe të garës së shumëpritur
Rivalët në zgjedhjet presidenciale në SHBA janë duke përjetuar ditët e fundit të betejës së ethshme dhe që po luftohet për çdo votë duke mbajtur mitingje elektorale të shumorganizuara në shtetet e luhatshme, ku pritet të vendoset edhe fati i fituesit.
Barack Obama është duke bërë fushatë në Ohajo, Uiskonsin dhe Vixhinia ndërsa Mitt Romney ka vënë nën shënjestër shtete e Nju Hempshairit, Iouas dhe Kolorados. Të dy kandidatët do të vizitojnë qytetin Dubukue në Ioua me pak orë distancë me njëri-tjetrin. Vrojtimet mbi opinionin publik tregojnë se rivalët janë pothuajse barazim, megjithëse Obama është lehtë në krye në shumicën e shteteve të luhatshme.
Analistët thonë se në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen të martën, balanca po anon nga Obama për shkak se vrojtimet e reja nuk tregojnë rritje të mjaftueshme të popullaritetit të Romney-t. Obama besohet se ka pasur një javë më të mirë sesa rivali i tij për shkak se papunësia po vijon të ulet dhe ai ka fituar lavdërime për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga uragani Sandy. Romney duket se e ka më të vështirë për shkak se i duhet të fitojë shumicën në nëntë nga shtetet ku gara është më e ngushtë. Por gjithsesi, avantazhi i Obamës në sondazhe është brenda normës së gabimit dhe gara mbetet tërësisht e hapur. Në zgjedhjet presidenciale në SHBA votuesit zgjedhin një trupë kolegjiale. Kandidati që fiton 270 vende në kolegjin elektoral, bëhet president. Ohajo është shteti ku beteja po luftohet më shumë, sepse këtu do të dalin 18 anëtarë të kolegjit zgjedhor.
Romney zhvilloi në këtë shtet manifestimin më të madh të fushatës së tij deri tani, ku u mblodhën 18 mijë njerëz. Ai po mbështetet nga rivalët e tij brenda Partisë Republikane, Rick Santorum dhe Rick Perry, si dhe nga kandidati presidencial i mposhtur më 2008, John McCain.
Romney tha: “Ne jemi gati në shtëpi. Një përpjekje e fundit do të na mjaftojë. Dera është e hapur për një të ardhme më të mirë, është e hapur dhe po pret për ne”.
Republikanët kanë premtuar taksa më të ulëta dhe reduktim të buxhetit federal me 500 miliardë dollarë.
Obama ka mbajtur mitingje të vogla deri tani, por shtoi pjesëmarrësit në Virxhinia, ku iu bashkua edhe ish-presidenti Bill Clinton. Presidenti ka premtuar taksa më të larta për të pasurit dhe më shumë fonde për krijimin e vendeve të punës. Virxhinia ka 20 vota në kolegjin presidencial dhe këtu demokratët kanë një avantazh të dukshëm. Rreth 25 milionë votues e kanë hedhur sakaq votën e tyre në 34 shtete përmes formave të votimit të hershëm. Të dhënat mbi këto vota tregojnë se Obama nuk është sot aq popullor sa qe më 2008.