Kreu u PS-së, Edi Rama u premtoi tregtarëve rivitalizimin e biznesit të tyre familjar duke i hequr së pari taksën e biznesit të vogël, gjatë takimeve me tregtarët e vegjël në njësinë 5 në kryeqytet. “Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël sepse në total për shtetin në arkë është 30 milionë dollarë, 0.5 përqind e të gjithë të ardhurave por të mos harrojmë që janë praktikisht dhjetëra mijëra familje që jetojnë me biznes të vogël”. Nga ana e tyre tregtarët e vegjël u shprehën të dëshpëruar sa i përket rritjes drastike të çmimeve, rritjes se taksave, rënies se fuqisë blerëse. “Janë rritur të gjitha taksat, xhiro s’ka, lekë s’ka, fukarallëk”; “Xhiro skandaloze s’ka ku të shkojë me keq, krizë më të madhe se kjo s’ka pas ndonjëherë” ; “Që mos arrish as të lash qiranë e dyqanit është e tmerrshme”. “Për Partinë Socialiste taksa e biznesit të vogël duhet hequr menjëherë pasi në kushtet e një krize ekonomike dhe me rënien e fuqisë blerëse kjo taksë po asfikson këtë biznes. Momenti kritik që po kalon vendi dhe ekonomia shqiptare kërkon politika të reja dhe të qarta duke filluar me një politikë tërësisht të re për taksat. Zerimi i taksës së biznesit të vogël është një emergjencë ekonomike pasi Rilindja Shqiptare kalon përmes rimëkëmbjes së ekonomisë,” tha Rama.