Lirak Bejko


Ish-të burgosurit politikë, bashkëvuajtësit e Lirak Bejkos  nuk kanë pranuar ndihmën e qeverisë për kthimin në atdhe të trupit të pajetë të 47-vjeçarit. Ata e kanë cilësuar ekzekutivin shqiptar si fajtor të vdekjes së martirit të grevës së urisë, si dhe i kanë bërë thirrje politikës që të mos abuzojë me deklaratat mbi vdekjen e mikut të tyre, Lirak Bejko.


“Apel forcave politike, mos abuzoni me vdekjen e Lirak Bejkos. Refuzuam që qeveria të sjellë trupin e shokut tonë, pasi kjo qeveri e vrau atë me heshtjen ndaj grevës së urisë. Është e prerë dhe e vendosur që trupi i Bejkos do të vijë nga Italia ditën e martë falë familjarëve, të ndihmuar drejtpërdrejt nga ish-të burgosur politikë, me ndihmat që ata kanë dhënë. Trupi do të qëndrojë 24 orë në shtëpi, dhe ditën e mërkurë do të sillet në Institutin e Ish-të Përndjekurve Politikë. Nesër në mënyrë paqësore, ne do të vijmë do të trokasim tek dera e Institutit dhe do të kërkojmë që të bëjnë nderimet e duhura dhe homazhet ndaj Lirak Bejkos. Kam kërkuar dhe do të kërkojë me këmbëngulje që asnjë kah i politikës të mos përdorë emrin e këtij martiri, të mos përfitojë nga ai, sepse nderimet do ia bëjnë bashkëvuajtësit e tij, vëllezërit e tij, ata që krenohen me të” , është shprehur Skënder Tufa, gjatë një deklarate për mediat.


Ambasada amerikane ngushëllon familjen e Lirak Bejkos


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ngushëlluar sot familjen Bejko për humbjen para kohe të të dashurit të tyre. Me anë të njoftimi të bërë publik për shtypin, Ambasada e SHBA në Shqipëri thekson se “dëshiron t’i shprehë pikëllimin e thellë dhe keqardhjen familjes dhe miqve të Lirak Bejkos, i cili ndërroi jetë më 2 nëntor. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju në këtë kohë hidhërimi”.


FRD: Qeveria fajtore për vdekjen e Lirak Bejkos


Partia Fryma e Re Demokratike, duke bërë përgjegjëse qeverinë dhe kreun e saj, Sali Berisha, për vdekjen e ish-të burgosurit politikë Lirak Bejko, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në funeralin e disidentit antikomunist.


Në një deklaratë për mediat FRD ka theksuar se Bejko ishte viktimë e dy regjimeve represive dhe denigruese, e shurdhërisë së qeverisë, e mjekut të punësuar si kryeministër dhe humbi rastin të sillet si shtetar.


“Fryma e Re Demokratike nuk ka asnjë mëdyshje që nëse qeveria aktuale do ta pranonte dialogun politik, kriterin minimal të një demokracie, Liraku do të ishte sot midis nesh, siç ka qenë, i gjallë, i fortë, plot energji e ëndrra njerëzore. Ai është viktimë dhe akuzë direkte e shurdhërisë dhe fushatës denigruese që regjimi aktual neokomunist ndërmori ndaj tij, familjes, miqve dhe kauzës që ata përfaqësonin. Ai është viktimë dhe akuzë direkte e mjekut të vetëpunësuar si kryeministër i vendit,i cili duket se ka bërë betimin e hipokritit dhe jo betimin e Hipokratit dhe humbi kështu rastin të sillet si shtetar dhe human, duke zgjedhur me vetëdije e bindje urrejtjen klasore, si dikur kur militonte e drejtonte në partinë kriminale të Enver Hoxhës”, thuhet në deklaratën e FRD-së.


FRD bën shumëfish më përgjegjës ata që zhgënjyen ish të përndjekurit, që keqpërdorën besimin dhe aspiratat e tyre, që u premtuan Evropën moderne dhe në mes të Tiranës i futën në geto të njëjta me kampet naziste. “Sot Lirak Bejko është një akuzë dhe një njollë turpi për këtë qeveri, për këtë kryeministër dhe për këtë parti që e krijuan studentët e dhjetorit 90 dhe sot po e mjelin komunistët e viteve 70-80. Shuarja e Lirak Bejkos është sot e gjithë ditën një akuzë e rëndë për pushtetarët shpirtshitur që përgojojnë edhe qytetarët e vetëflijuar si Lirak Bejko për të drejtat e tyre të dhëna nga ligji e të mohuara nga pushteti i anti-ligjit që sundon vendin. Shuarja e Lirak Bejkos është gjithashtu një dëshmi e gjallë e përgjunjes së shoqërisë sonë ndaj antivlerave që kemi në pushtet”, thuhet në deklaratën e FRD-së.


4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)