Kryeministri Berisha vijon të shfrytëzojë inaugurimet, qofshin këto edhe investime private, për të bërë fushatë elektorale. E fundit u regjistrua dje në Kukës, me investimin italian të një HEC-i lokal. Duke folur për arritje, punësim dhe plot investime, Kryeministri e konsideroi HEC-in “si një sukses të madh të politikës së kësaj mazhorance për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon”.


Më tej, Kryeministri u ndal në masat lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria për investitorët, duke hequr TVSH-në për makineritë që importojnë, si dhe për çimenton e hekurin që përdoret në ndërtimin e veprave hidroenergjetike. Sakaq, raportet e ERE-s dëshmojnë se vetëm 10% e HEC-eve të miratuara prodhojnë energji, pasi të tjerët kanë probleme ligjore dhe financiare.