Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje opozitës të votojë tre projektligjet, e vendosura si kusht nga BE për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat. Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor domkat, Berisha ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme të pranojë sugjerimet e opozitës për tre ligjet, pasi mosmiratimi i tyre do të çonte sinjale negative tek çdo qytetar.


“Unë i bëj thirrje zotit Rama të votojë 3 ligjet që janë në Parlament dhe ne jemi të gatshëm të pranojmë edhe sygjerimet për to në përputhje me Kushtetutën e vendit. Unë besoj se asgjë më të rëndësishme për politikanin sesa mbajtja e asaj që ai e shpall publikisht. Shqiptarëve u erdhi si një muzikë e këndshme në vesh premtimi i Ramës në vjeshtën e 2011 që ai do të votonte të gjitha reformat që janë në interes të integrimit dhe ky ishte një lajm shumë i mirë. Dhe mbi këtë premtim u votua reforma elektorale dhe u bë një ndryshim historik në Kushtetutën e vendit. Për herë të parë deputetët votuan për të kufizuar imunitetin e tyre dhe kjo do të shënohet në historinë e parlamentit si një ndër aktet më të rëndësishme. Tani janë tre ligjet për të cilat komisioneri Fyle u shpreh në mënyrën me eksplicide për to. Po kështu edhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e cila bëri apel që të bashkohemi në këtë 100 vjetor për hir të Shqipërisë.  Ky 100 vjetor duhet të jetë frymëzues për çdo shqiptar. Mesazhi i mosvotimit është dëshmia më e hidhur e asaj që në këtë vend procesi i integrimit nuk merret seriozisht dhe në këtë vend procesi i integrimit përdoret për qëllime politike dhe elektorale. Por unë e garantoj Ramën se kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk do të shpërblejnë bllokimin” theksoi Berisha.


Më herët kreu i ekzekutivit deklaroi se buxheti i vitit 2013, do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit dhe do të ketë si përparësi rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Si çdo vit do rriten rrogat e pensionet, rritja e buxhetit do tejkalojë inflacionin dhe indeksimin e çmimeve. Rritja do ketë përparësi rrogat e ulëta e të mesme, do ecë me filozofinë e ngushtimit të diferencave mes rrogës mesatare e maksimale, rritja e rrogave dhe pensioneve një nga qëllimet më madhore por edhe një nga realizimet më të rëndësishme të kësaj qeverie. Do rriten edhe rrogat e punonjësve të administratës, rritje do ketë në sektorë të caktuar në përputhje me vështirësitë e tyre. Në 2006 diferenca gjinore në paga ishte dëshpëruese, arrinte në mesataren e saj 36%, pra vajzat dhe gratë merrnin rrogë 36% më të ulët se djemtë dhe burrat e këtij vendi, ç’ka kishte lartësuar murin ndarës të shoqërisë”,u shpreh Berisha.


5 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)