Zanafilla
Vrasja e 9-vjeçarit dhe betimi mbi varr – Gjithçka nisi më 5 qershor të këtij viti, kur familja Shkreta i bëri atentat Muharrem Llanit. Nga të shtënat u plagos Muharremi, por mbeti i vrarë nipi i tij, Endri Llani, vetëm 9 vjeç. Sipas banorëve, Jetmir Llani u betua mbi varrin e të birit për hakmarrje
Apeli
Nexhmije Shkreta: Na mbroni nga hakmarrja – Nexhmije Shkreta, nëna e dy vëllezërve që u qëlluan në pritë, ku njëri vdiq, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë, një ditë para krimit i bëri apel shtetit për t’i marrë në mbrojtje nga frika e hakmarrjes, por askush nuk arriti ta mbrojë në kohë
Nëna paralajmëroi
Policia e Kurbinit shpall në kërkim Jetmir Llanin dhe Muharrem Llanin
Nexhmija – Ajo deklaroi se Jetmir Llani i vrau të shoqin, por kishte frikë se do i vriste edhe djemtë
Vetëm një ditë pasi nëna i bëri apel shtetit që të mbronte familjen e saj nga hasmëria, pasi jeta e saj dhe e fëmijëve ishte në rrezik, dy djemve u kanë bërë atentat, ku njëri prej tyre ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje kritike për jetën. Krimi i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, kur dy vëllezërit po ktheheshin në banesën e tyre nga Serbia dhe po vinin fshehtas nga frika e hakmarrjes. Kjo është historia e hasmërisë mes fisit Shkreta dhe Llani, që zë fill me vrasjen e djalit 9-vjeçar të Jetmir Llanit më 5 qershor të këtij viti gjatë një atentati për vrasjen e Muharrem Llanit, xhaxhait të fëmijës, nga dy vëllezërit Shkreta. Banorët e zonës thanë se babai i fëmijës u betua mbi varrin e të birit se do të hakmerrej për vrasjen e tij, ndërkohë që nga ai atentat janë vrarë tre veta, është plagosur rëndë një tjetër, si dhe është kryer një atentat me eksploziv në banesën e familjes Shkreta.
Atentati
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, vrasja ka ndodhur në afërsi të Shpërdhetit, pikërisht në vendin ku në qershor të këtij viti u vra në pritë teksa udhëtonte me nënën dhe xhaxhain e tij, 9-vjeçari Endri Llani. Policia shpjegoi se Arjan (Gentian) Shkreta, 31 vjeç dhe vëllai i tij, Ledi (Emanuel) Shkreta, 29 vjeç, po ktheheshin nga Serbia. Ata po udhëtonin në anë të lumit të Drojës për të mbërritur në banesën e tyre, pasi ruheshin të mos përplaseshin me familjen Llani, me të cilën janë në hasmëri që prej qershorit të këtij viti, kur dy vëllezërit e tyre, Alban dhe Altin Shkreta dyshohet se kanë vrarë në pritë 9-vjeçarin dhe plagosur xhaxhain e fëmijës, Muharrem Llani. Sipas policisë, rreth orës 15:30, dy vëllezërit, edhe pse kishin zgjedhur për të lëvizur në një rrugë këmbësorësh, duket se janë vënë re nga ana e hasmit të tyre, të cilët i kanë pritur në afërsi të Urës së Drojës. Me t’u afruar dy vëllezërit Shkreta, mbi ta është shkrehur një breshëri automatiku, duke lënë të vdekur në vend Arjanin, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë dhe pa ndjenja Ledi Shkreta.
Dyshimet
Menjëherë pas atentatit, policia është njoftuar nga banorët e zonës për krismat dhe viktimat. Shërbimet e hetimit të krimit janë nisur nga Lezha në drejtim të vendit të ngjarjes, ku kanë gjetur një person të vrarë, ndërkohë që i plagosuri ishte nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Fillimisht policia ka bërë identifikimin e viktimës dhe personit të plagosur rëndë, ndërkohë që pak minuta më vonë ka ngritur dyshimet mbi autorët e krimit të rëndë. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kurbinit, mësohet se personi i dyshuar për këtë atentat është Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit të vrarë. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me vëllain e tij, Muharremin, për të vrarë dy vëllezërit Shkreta. Por, deri në orët e vona të natës, policia nuk ka mundur të shoqërojë asnjërin prej tyre, ndërkohë që janë shoqëruar mbi dhjetë persona, të afërm të familjes Llani.
I plagosuri
Vëllai i plagosur rëndë, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që fillimisht, në spital ai ruhej vetëm me policë, pasi asnjë familjar nuk ndodhej aty. Mjekët thanë se ka pak shpresë për jetën e tij, ndërkohë që kërkonin familjarë të tij, që sipas policisë nuk kishin mbërritur akoma. Ndërkaq, Spitali Ushtarak është blinduar nga ana e Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Policisë së Lezhës që nga momenti i mbërritjes së të plagosurit. Kolegët e dy qarqeve kanë komunikuar me njëri-tjetrin, me qëllim zbardhjen sa më të shpejtë të këtij krimi të rëndë dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, që duket se nuk do të ndalojnë hakmarrjen e tyre ndaj familjes Shkreta. Për vrasjen e 9-vjeçarit, familja Llani dyshohet se ka ekzekutuar babanë e vëllezërve Shkreta, Markun, i cili fshihej në Tiranë nga frika e gjakmarrjes. Gjithashtu, ata dyshohen se kanë vënë eksploziv në banesën e Shkretajve dhe kanë kryer atentatin e djeshëm.
Paralajmërimi
Ngjarja e rëndë, veç përmasave që ka marrë, ka tmerruar opinionin edhe për shkak të paralajmërimit që bëri nëna e dy vëllezërve, të cilët ranë pre e atentatit të djeshëm. Nexhmije Shkreta, dy ditë më parë, i bëri apel shtetit që të mbronte familjen e saj nga hasmëria, pasi jeta e fëmijëve është në rrezik. “Pas krimit të djalit tim, që vrau djalin e Jetmit Llanit gabimisht, aksidentalisht, ndihem shumë e kërcënuar. Jetmir Llani më vrau burrin, më shkatërroi shtëpinë me eksploziv dhe jam shumë shumë keq me gjithë familjen. Ky apel nuk është vetëm për Kryeministrin, por është për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Presidentin, për Ina Ramën, për prokuroritë, për të gjithë ata që kanë çështjen. Apeli është edhe për policinë, por të gjithë janë shumë të korruptuar”, u shpreh Nexhmija në një intervistë të marrë nga “A1 Report”. Megjithatë, shteti nuk arriti të mbrojë fëmijët e saj. A.B.
Historia
Si nisi hakmarrja pas vrasjes së 9-vjeçarit Endri Llani më 5 qershor të këtij viti
Sherri në Shpërdhet, për pesë muaj
solli tre të vrarë dhe dy të plagosur
Hasmëria mes dy familjeve në Shpërdhet të Kurbinit nisi nga një debat banal, e brenda pak muajsh është kthyer si çështja më e nxehtë, jo vetëm për policinë lokale, por për të gjithë shtetin, duke marrë shkas edhe nga paralajmërimi që u bë vetëm një ditë para krimit të djeshëm. Nga konflikti mes dy familjeve, dy vëllezër të familjes Shkreta kishin vendosur për t’i bërë atentat Muharrem Llanit, pasi, sipas informacioneve të mbledhura, ai kishte goditur dhe fyer babanë e tyre, Mark Shkretën. Në këto kushte, vëllezërit Altin dhe Alban Shkreta i zunë pritë Muharremit, teksa udhëtonte me kunatën dhe nipin e tij, pikërisht pranë vendit ku u krye edhe atentati i mbrëmshëm ndaj dy vëllezërve të atentatorëve. Më 5 qershor 2012, Altini dhe Albani qëlluan me breshëri automatiku ndaj makinës ku ndodheshin familjarët Llani. Nga ky atentat u plagos Muharremi, ndërkohë që mbeti i vrarë fëmija 9 vjeç, Endri Llani. Kur u bë varrimi i fëmijës, babai i tij, Jetmir Llani, u betua mbi varr se do të hakmerrej ndaj familjes Shkreta, ndërkohë që këta të fundit u shpërngulën nga fshati dhe u ngujuan. Një ditë pas ngjarjes, policia arrestoi një nga atentatorët e krimit të rëndë gjatë një operacioni të zhvilluar në Lezhë. Ndërsa më 3 korrik, policia zhvilloi një tjetër operacion, duke vënë në pranga atentatorin e dytë, Altin Shkretën, për të cilin u tha se fshihej në Elbasan. Ndërkohë, rreth një javë pas arrestimit të autorit të dytë të krimit, Jetmir Llani dërgoi vëllain e plagosur, Muharremin, për kurim në Greqi, për shkak të plagëve të marra gjatë atentatit. Por kur vëllezërit Llani rezultonin zyrtarisht jashtë shtetit, erdhi krimi i parë, që policia tha se ka ndodhur për hakmarrje. Pikërisht katër ditë pas të “dyzetave” të vdekjes së 9-vjeçarit, më 9 korrik, në Tiranë vritet Mark Shkreta, babai i dy vëllezërve të arrestuar. Ai u qëllua me dy plumba, një në kokë dhe një në trup, sapo doli nga shtëpia, ku fshihej që pas vrasjes së të miturit. Policia tha se për krimin dyshohet babai i fëmijës, Jetmir Llani, i cili mendohej se u njoftua nga një kushëri në Tiranë se ku fshihej babai i dy të arrestuarve. Megjithatë, Llani e hodhi poshtë akuzën me një telefonatë nga Greqia, duke deklaruar se ai nuk ndodhej në Shqipëri dhe se nuk “i kishte ndyrë duart me vrasjen e një të moshuari”, megjithëse Policia e Tiranës e shpalli në kërkim, si të dyshuarin kryesor të krimit. Më 31 gusht vjen një tjetër atentat ndaj familjes Shkreta. Një makinë me eksploziv lihet para banesës së braktisur të tyre dhe shpërthen gjatë natës, duke shkatërruar plotësisht ndërtesën. Edhe për këtë krim, policia dyshoi mbi Llanin, por nuk arriti t’ia faktojë, ndërkohë që ai ndodhej akoma jashtë vendit. Më 19 shtator, ai kthehet në Rinas, teksa vinte nga Italia dhe policia i vë prangat si person në kërkim për armëmbajtje pa leje, pasi sipas të dhënave, atij i kishin mbetur edhe 12 ditë burg. Menjëherë Policia e Tiranës dërgoi në Krujë dosjen e tij për dyshimet mbi krimin e Tiranës, që vetë Llani e kishte mohuar dhe që nga ai moment, e deri më 3 nëntor, dy familjet, Llani dhe Shkreta, ishin lënë në harresë. Para dy ditëve, doli Nexhmije Shkreta për apel, ndërkohë që dje u vra Arjan Shkreta dhe u plagos Ledi Shkreta. Policia tha se sërish ka dyshime mbi familjen Llani, por që ende nuk ka asnjë provë që fakton implikimin e tyre në krim. Red. Akt.