Grupimet e ndryshme të opozitës në Siri u bashkuan në kryeqytetin e Katarit, Doha, për një takim që synon të krijojë një front unik kundër Presidentit Assad. Takimi mund të ndryshojë Këshillin Kombëtar të Sirisë në një qeveri të mundshme në emigrim. Forcat rebele brenda Sirisë e kanë kritikuar Këshillin si një institucion pa lidhje me realitetin, ndërsa opozita është e ndarë ideologjikisht në shumë fraksione. Bisedimet për bashkim po vijojnë, ndërkohë që dhuna në Siri vijon të shkaktojë qindra viktima çdo ditë. Një bombë shpërtheu dje në një hotel në Damask, ndërsa rebelët thonë se kanë pushtuar një zonë të rëndësishme naftëmbajtëse në lindje të vendit.


Opozita e Sirisë është e vetëdijshme se ka imazhin e një force joefektive dhe të fragmentarizuar. Bashkimi i saj mund të krijojë një mënyrë më efektive të transferimit të ndihmës së vendeve arabe për rrëzimin e Assad-it. Një disident i respektuar, Riad Seif, është përfolur si një kryetar i mundshëm i qeverisë në emigrim dhe mbështetet edhe nga SHBA. Por ai vetë tha se nuk ka ndër mend të jetë lider. “Nuk do të kandidoj. Unë jam 66 vjeç dhe kam probleme shëndetësore”, tha ai.


Opozita ka deklaruar se nuk ka ndër mend të hapë bisedime me Assad dhe kërkon largimin e menjëhershëm të tij nga vendi. Ndërkombëtarët po shpresojnë se opozita do të organizohet për t’i dhënë fund konfliktit që sakaq ka shkaktuar mbi 36 mijë viktima.