Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadorin Ettore Sequi.
Në një njoftim të faqes zyrtare të Presidencës bëhet e ditur se, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me plotësimin e rekomandimeve të mbetura të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe përpjekjet institucionale për mbështetjen e procesit politik që do të garantonte konsensusin e nevojshëm për arritjen e këtij objektivi.
“Ambasadori Sequi u shpreh se Komisioni Europian inkurajon politikën shqiptare që të plotësojë kriteret e kërkuara në mënyrë që të krijohet hapësira e nevojshme për të punuar me vendet anëtare të Bashkimit Europian në mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjithashtu, zoti Sequi garantoi angazhimin e tij institucional dhe të Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë për vazhdimin e përpjekjeve në mbështetje të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Presidenti Nishani ndau me ambasadorin Sequi shqetësimin për situatën e krijuar në vend, e cila mund të bëhet shkak që Shqipëria të mos fitojë statusin e vendit kandidat, por shprehu bindjen se klasa politike do të dijë të ngrihet mbi interesat partiake.
Kreu i Shtetit siguroi se do të vazhdojë nxitjen e bashkëpunimit politik nëpërmjet garantimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe mbështetjes së dialogut politik mes palëve.
5 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)