Kaq shumë kafshë dhe bimë po zhduken nga pesha e njeriut

Palenteologu Anthony Barnosky ka frikë se njerëzimi po krijon kushtet për shfarosje masive të specieve të tjera. Shpendi i mrekullueshëm Dodo është një prej tyre

Akti i shfarosjes

Brenda 300 viteve të ardhshme, 75 për qind e të gjitha specieve mamale do të jenë zhdukur nga ky planet. Ky është parashikimi i dhimbshëm i Anthony Barnosky, një paleobiolog në Universitetin Berkeley në Kaliforni, në rast se norma aktuale e zhdukjes së kafshëve sakaq të rrezikuara nuk kufizohet.

Barnosky studion ndryshimet në biodiversitet dhe normat e zhdukjes që kanë ndodhur në të shkuarën e largët dhe i krahason ato me tendencat e sotme. Që kur jeta fillimisht u shfaq miliarda vite më parë, u diversifikua dhe bëri planetin tonë siç është sot, ka pasur pesë zhdukje masive. Ngjarja e fundit e tillë ndodhi 65 milionë vjet më parë, kur një meteor goditi Tokën, duke krijuar një mjegull permamente pluhuri që errësoi qiellin për shumë vite. Ndryshimi që solli në klimë kjo re pluhuri solli edhe zhdukjen masive të gjallesave, përfshirë dinozaurët.

Barnosky llogarit se njerëzit tashmë po krijojnë kushtet për një shfarosje masive të së njëjtës shkallë, eliminimin e një të gjashtës së specieve në planet, përmes një kombinimi të përqendrimit të habitateve, por edhe të fragmentarizimit të tyre, duke gjuajtur kafshët e egra, por edhe duke ndryshuar temperaturën, duke shkaktuar ndotje e duke përhapur sëmundje. Ai vlerëson se deri në 30 për qind e specieve që popullojnë planetin aktualisht, mund të humbin brenda katër dekadave të ardhshme.

Shfarosja është aktualisht një fenomen i zakonshëm dhe natyral. Nga rreth 4 miliardë specie që vlerësohet të kenë evoluar në planet, rreth 99 për qind e tyre janë zhdukur. Në të shkuarën, shkalla e shfarosjes është balancuar nga evoluimi i specieve të reja, por aktualisht, zhdukja e shkaktuar nga njeriu po ndodh kaq shpejt sa evolucioni nuk mund të kompensojë.

Barnosky vlerëson se norma aktuale e zhdukjes së specieve është një mijë herë më e lartë se sa norma natyrale, gati e krahasueshme me të ashtuquajturat, pesë ngjarjet e mëdha të zhdukjeve masive.

Antropocena, ose Epoka e Njeriut, do të shënohet nga një rënie masive e biodiversitetit, ndërsa kafshët e bimët zhduken nga planeti përgjithmonë. Kësaj here nuk do të jenë vetëm krijesat individuale që do të zhduken, por edhe pema e evolucionit – linja e së cilës do të pushojë së ekzistuari para kohe.

Antropocena do të jetë e njohur edhe për shkallën e lartë të homogjenitetit, të cilin Barnosky e përshkruan si Mekdonaldizimi i natyrës. “Shumë kafshë dhe bimë kanë evoluar për të pushtuar zona të caktuara gjeografike, të tilla si ishuj apo liqene malore. Për rrjedhojë, është e mundur të gjesh disa specie në rrezik zhdukjeje në një pjesë të caktuar të planetit, të cilat nuk gjenden asgjëkund tjetër. Të tilla janë breshkat gjigante të Galopagosit, Lemursi i Madagaskarit apo koalas në Australi.

Me raste, përgjatë historisë së Tokës, lëvizja e pllakave tektonike ka bërë që masat tokësore t’i ngjiten njëra-tjetrës. Kjo ndodhi për shembull, kur kontinentet e Amerikës së Veriut dhe të Jugut, u përplasën me njëri-tjetrin rreth 3 milionë vjet më parë.

Në pushtimin që vijoi, Amerika e Jugut mori mishngrënësin e saj të parë, xhaguarin nga Amerika e Veriut, kafshë që ia doli të hajë shumicën e faunës vendase dhe që zhduku shumë specie.

Forcë dominuese

Njerëzit kanë arritur të orkestrojnë një migrim të specieve në shkallë tektonike pa pasur nevojë të afrojnë kontinentet. Në disa raste e kanë bërë me qëllim dhe në disa raste të tjera, pa dashje, gjë që ka lënë gjurmë të thella në planet. Disa nga speciet, si minjtë, dhitë, gruri apo eukalipti, janë shpërndarë në të gjithë planetin, ndërsa shumë të tjera janë rralluar apo zhdukur. Shumë nga speciet e shpërndara konsiderohen si invazive, ose “barëra të këqija”, pasi konkurrojnë me aftësi speciet vendase për ushqim, dritë apo habitat. Xhaguari p.sh. thjesht konsumon kafshët e tjera deri në zhdukje.

Ndërkohë, ne kemi shpërndarë insekte dhe sëmundje nga njëri vend në tjetrin, shpesh duke shkaktuar zhdukje të specieve vendore. Edhe popullata njerëzore të izoluara janë zhdukur si pasojë e sëmundjeve tona. Euroaziatikët p.sh., dërguan sëmundje si gripi, lia, apo malaria në vende ku popullatat vendase nuk kishin krijuar imunitet të përshtatshëm.

Ndërkohë, ne kemi qenë duke shtuar artificialisht popullatën e disa specieve të caktuara, si lopë, qen, oriz, misër dhe pula, ku shumëfishimi i menaxhuar ka krijuar varietete shumë të ndryshme nga paraardhësit e tyre të egër. Kombinimi i peshës së njerëzve dhe kafshëve shtëpiake tashmë kapërcen fuqitë e të gjitha krijesave natyrore në sipërfaqen e planetit me një raport 95 me 5, thotë Barnosky. Dhjetë mijë vjet më parë, në fillim të epokës gjeologjike të holocenit, pesha e njerëzve dhe e kafshëve shtëpiake ishte vetëm 0.1 për qind e totalit të specieve në planet.

Për shkak se ne jemi bërë forca dominuese në planetin tonë, ne tashmë kemi në dorë të vendosim se si mund ta menaxhojmë më mirë situatën që po krijojmë. Shumë po bëjnë thirrje për ndryshimin e mënyrës së konservimit që kemi praktikuar deri më sot. Në vend që të luftojmë për të kthyer ekosistemet në gjendjen që qenë para epokës së njerëzve, arsyetohet se konservacionistët duhet të bëhen realistë dhe të pranojnë se njerëzit janë pjesë e shumë ekosistemeve aktualisht. Në shumë raste, ne duhet të pranojmë ekosisteme që inkorporojnë speciet jo vendase dhe të përpiqemi t’i ruajmë siç janë aktualisht.

 

Autor te 6 Nëntor 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • ujuj

    hyuytththththththtyyuyt6yy

  • ana

    kush kafshe jane te shemtuara

  • $€MI

    BOOM BOOM