Gjatë fjalës së tij në Konferencën vjetore të 12-të të Sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizime” kryeministri i vendit vlerësoi potencial e madh hidrik që ka vendi ynë si një nga pasuritë më të mëdha dhe deklaroi se qeveria e tij do të rrisë përpjekjet për të ruajtur dhe zhvilluar këtë pasuri kombëtare, duke theskuar se qeveria do të korrigjojë gabimet e së shkuarës, në mënyrë që të ndërtojë një sistem në qëndrueshëm, në fushën e ujësjellës-kanalizimeve me qëllim shfrytëzimin e ujësjellësve me rrjedhje të lirë.


“Uji është pasuri e paçmuar për shqiptarët, bazë e paçmuar për jetën. Pas 100 vitesh ne mund të themi se sot ekziston një vizion i qartë për ujin, rëndësinë, perspektivën e përdorimit dhe shfrytëzimit të tij. Përballja me ujin është shumëplanëshe. Sigurimi i furnizimit me ujë me kushte dhe cilësi të larta përbën një të drejtë themelore, një detyrë madhore të qeverisë së vendit. Arritjet janë të mëdha, ka një përparim të shpejtë në furnizimin e qytetarëve me ujë të rrjedhshëm. Nga jugu në veri janë bërë investime të mëdha. Furnizimi është vetëm një aspekt, aspekt tjetër janë kanalizimet dhe trajtimi i ujërave të zeza”, – tha Berisha.


Berisha theksoi e ky potencial i madh hidrik në vend do të vijojnë të shfrytëzohet më tej në sektorin energjetik, pasi sipas tij 2/3 e potencialit hidrik shqiptar mbetet ende i pashfrytëzuar.


“2/3 e potencialit hidrik janë ende të pashfrytëzuara. Qeveria me nismën Shqipëria superfuqi e energjisë në rajon, ka firmosur një seri kontratash koncensionare me sektorin privat, që deri më sot të ndërtohen 333 HEC-e, nga këto 70 kanë përfunduar së ndërtuari dhe rindërtuari. Vitin që vjen nis investimi prej 1 miliard euro, siç është kaskada e Devollit, dhe së shpejti do dalë për rindërtim kaskada e Vjosës. Kaskada të shumta po ndërtohen në mbarë vendin dhe Shqipëria do 4-fishojë prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e saj ujore”, – deklaroi Berisha.


6 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)