
Dhjetëra milionë amerikane po votojnë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, mes presidentit aktual Barak Obama dhe republikanit Mitt Romney.
Qendrat e votimit u hapën në 26 shtete lindore dhe qendrore. Vëmendja është përqendruar te Florida, ku raportohen radhë të gjata votuesish dhe në Ohajo. Sondazhet flasin për një garë kokë më kokë, ose shume te ngushtë, megjithëse mësohet se Barack Obama kryeson në shtetet e lëkundura.
Votimi nisi në qytetin Diksvil Noc, në New Hempshire, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama dhe kundërshtari i tij Mitt Romney morën secili pesë vota. Rezultatet e para të garës presidenciale dalin pikërisht nga kjo zonë, që votoi mëngjesin e së martës. Kjo është hera e parë që të dy kandidatët marrin vota të barabarta. Sipas censusit të vitit 2010 ky qytet fshat kishte 12 banorë.
Të paktën 120 milionë amerikanë pritet të votojnë për t’i dhënë Obamës një mandat tjetër 4-vjeçar apo për ta zëvendësuar atë me republikanin Mit Romney.
Barack Obama, që aktualisht ndodhet në Illinois, ishte i pari zgjedhës i hershëm në Chicago, ndërsa kandidati republikan pritet të votojë gjatë ditës në Belmont në Massaccusets.
Më 6 nëntor votohet për disa guvernatorë shtetesh, një e treta e 100 anëtarëve të Senatit si dhe të gjithë 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas analistëve, demokratët do të ruajnë kontrollin e Senatit ndërsa republikanet atë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sondazhet në rang kombëtar tregojnë dy rivalët thuajse në të njëjtin nivel, por demokrati Obama kryeson në disa prej shteteve të lëkundura, veçanërisht Ohajo.
Nëse zgjidhet, Romney do te jetë presidenti i parë mormon dhe një nga presidentët më të pasur në Shtëpinë e Bardhë. Gjate fushatës presidenciale janë harxhuar të paktën 2 miliardë dollarë.

Romney dhe Biden hedhin votën e tyre
Qendrat e votimit janë hapur në të gjitha shtetet e SHBA-së, ndërsa votuesit amerikanë po hedhin votën në atë që konsiderohet gara më e ngushtë presidenciale në historinë amerikane.
Kandidati republikan Mitt Romney ka votuar në shtetin e tij, Masaçusets, ndërsa nënpresidenti Joe Biden hodhi votën në Delaware, shtetin e tij. Ndërkohë, Presidenti në detyrë, Barack Obama ka votuar në Illinois, shteti i tij zyrtar i banimit.
Shumica e sondazheve tregojnë se Obama dhe Romney po zhvillojnë një garë të barabartë për votat popullore. Por, këto vota nuk përcaktojnë fituesin. Kandidati duhet të fitojë shumicën e votave individuale për të grumbulluar të paktën 270 vota elektorale për të siguruar presidencën.
Sondazhet tregojnë se Obama ka një epërsi të lehtë ndaj Romeny në shtetet e ashtuquajtura “të lëkundura”. Në këto shtete hyjnë Florida, Ohio, Virxhinia dhe Kolorado.

Obama shpreh besimin në fitore dhe uron Romney për fushatën e tij të bukur
“Dua të përgëzoj guvernatorin Romney për fushatën e tij të bukur”. Këto kanë qenë fjalët e Presidenti amerikan, Barack Obama gjatë vizitës në një zyrë të fushatës së Partisë Demokratike në Çikago. Obama falënderoi vullnetarët dhe mbështetësit dhe shfaqi besimin se do të jetë fitues. “Kam besim, i kemi votat për të fituar. Mezi po i pres rezultatet. Pres që të kemi një natë të mirë sonte”, – u shpreh presidenti.
Gjithashtu, Obama shprehu falënderim për të gjithë popullin amerikan, pavarësisht se si do të jetë rezultati final.

Profilet e dy kandidatëve për president të SHBA
Kandidati republikan Mitt Romney
Partia Republikane përfaqësohet në zgjedhjet presidenciale me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45 amerikan, Romney është përpjekur të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane.
Nëse zgjidhet, Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katërvjeçar.
Romney arriti fitime prej miliona dollarësh kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat.
Mitt Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane si kandidat për zgjedhje.
Por këtë radhë ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Newt Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone.
Në frontin e politikës së jashtme, Romney thotë se Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë ku humbën jetën katër.
Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me presidentin Obama, Romney gjithashtu premtoi se nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit.
Mitt Romney është 65 vjeç, i martuar që nga viti 1969 me Ann Romney-n me të cilën ka pesë djem.
Kandidati demokrat Barack Obama
Para 4 vjetësh, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara. Partia Demokrate e emëroi atë në një kuvend që u përqendrua në pakënaqësinë e publikut me problemet ekonomike të vendit. Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat kemi besim”.
Gjatë administratës katërvjeçare të Presidentit Obama ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa ç’kishin shpresuar shumë njerëz. Disa ekspertë politikë thonë se Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetutshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan Osama Bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve.
Demokrati Obama e ka përqendruar mesazhin e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme.
Në javët e fundit të fushatës, Obama anuloi fushatën për t’u përqendruar tek përgjigja e qeverisë kundër uraganit Sandy, gjë që e rriti popullaritetin e tij.
Barak Obama lindi në Havai në 1961. Ai dhe bashkëshortja e tij Michelle kanë dy vajza.
Nënpresidenti Xho Bajden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Bajden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme. (VOA)
6 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)