Regjisori është në konkurrim në Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar me filmin “Maya”
Regjisori Pluton Vasi është në konkurrim në Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar me filmin “Maya”. Një temë e ditës që ka në fokus mentalitetin dhe realitetin shqiptar, pozicionin e gruas, paragjykimet…Në konferencën e djeshme për shtyp, duke iu referuar konkurrimit të këtij festivali, Vasi theksoi se është e rëndësishme që një aktivitet i tillë të realizohet. “Përshëndes Qendrën Kinematografike që e organizoi festivalin. Në këtë periudhë është event. Nuk ka asgjë për të hyrë në logjikën e paradoksit, është takim mes artistësh dhe siç i themi ne ballkanasit ‘një dasmë’. Pas dasmës, të gjithë të ftuarit shkojnë në shtëpi e thonë që mua më qëlloi pjata e mirë apo e keqe, por sido që të jetë, është eveniment. Unë jam shumë i gëzuar që në historinë e racës së kineastëve ka xhelozi, pa xhelozi nuk ka asgjë”, ka theksuar Vasi i pyetur për garën mes regjisorëve. “Maya” ka konkurruar në disa festivale të rëndësishme ndërkombëtare, duke u vlerësuar edhe me çmime. Sa e rëndësishme është edhe një përballje në “shtëpi”?. Vjollca Dedei, producente e filmit, shprehet se “në festivalet ndërkombëtare mund të kesh ndjesi tjetër, se përfaqëson vendin tënd, kurse këtu je në garë me kolegët e tu shqiptarë, me psikologjinë shqiptare, mentalitetin shqiptar, të cilët janë në gjendje shpeshherë që filmin tënd ta vënë më tepër në provë se sa dikush tjetër që jeton jashtë dhe ndoshta nuk e njeh krejtësisht mirë psikologjinë. Patëm një përvojë krejt tjetër kur filmi u shfaq në Ballkan. Pritja që iu bë në Serbi dhe Greqi ishte e jashtëzakonshme dhe njerëzit e ndien veten shumë të përfshirë në këtë temë”. Duke iu referuar tematikave që filmat shqiptarë kanë sjellë në ekranin e madh kohët e fundit, duke parë edhe një trajtesë të madhe të temave të tilla si gjakmarrja, të nxitura kryesisht nga ideja e prezantimit te një publik i huaj, Vasi thekson se ky është një fenomen ekzotik që ekziston, me të cilin nuk pajtohet. “Ne si vend na duhet pak ekzotikë dhe kjo është përdorur si një lloj pasaporte, por unë nuk jam dakord. Kam bërë një pakt me bashkëpunëtorët e mi dhe filmi ‘Maya’ i ka shpëtuar ekzotikes. Shqipëria nuk është ekzotike, është një ndër vendet më të qytetëruara, në 365 ka dritë, por historia e menaxhimit është një tjetër gjë”, ka theksuar Vasi. Filmi është realizuar me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe ka si protagonistë aktorët Rovena Lule Kuka, Genti Kame, Muzafer Ziflaj, Eva Hasula, Xhevahir Zeneli, Alert Çeloaliaj, Arben Derhemi, Marjana Kondi.