Champions


Trajneri i Realit: Nëse gjermanët kalojnë grupin, janë favoritë për titullin


Me objektivin për t’u hakmarrë për humbjen 2-1 në Gjermani, Reali i Madridit vazhdon përgatitjet për ndeshjen e së martës kundër Borusia Dortmund në Champions League. Në seancën e fundit stërvitore, trajneri Zhoze Murinjo ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët me përjashtim të Ksavi Alonsos dhe Sami Khedirës. Të dy mesfushorët janë stërvitur të diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës si pasojë e problemeve muskulare. Gjithsesi, Alonso pritet të jetë i gatshëm për sfidën e rëndësishme në “Santiago Bernabeu”, ndërsa shumë dyshime ka mbi aktivizimin e futbollistit gjerman, i cili mungoi edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit. Madrilenët fituan 4-0 ndaj Zaragozës, duke konfirmuar edhe një herë formën e shkëlqyer të kampionëve spanjollë, të cilët janë favoritë për të fituar edhe ndaj Borusia Dortmund. Ky është dhe objektivi i vetëm për Realin e Madridit që kërkon të mbyllë kualifikimin për në fazën tjetër të Champions. Gjithsesi, Murinjo ka kërkuar nga skuadra e tij motivimin maksimal ndaj gjermanëve që në ndeshjen e fundit të grupit D, i dhuruan një humbje të hidhur Realit të Madridit. Ky i fundit renditet në vendin e dytë të grupit D me gjashtë pikë, një më pak se Borusia Dortmund. Klasifikimi i grupit të ferrit plotësohet me Ajaks Amsterdam në kuotën e 3 pikëve dhe mbyllet me Mançester Siti në vendin e fundit. Në prag të ndeshjes së sotme, trajneri i Realit ka folur në lidhje me kundërshtarin, por edhe për ekipin e tij. “Kë kam frikë te Borusia? Më shqetëson e gjithë skuadra në përgjithësi, deklaroi ai. Gjermanët kanë fituar dy tituj në Bundesligë dhe kryesojnë grupin, kanë lojtarë kreativë, të fortë dhe të shpejtë. Nëse kjo skuadër do të kalojë në turin tjetër është favorite për të fituar Championsin”. Portugezi është i vetëdijshëm se fitorja dhe kualifikimi nuk do të jetë aspak e lehtë edhe për Realin e tij, që bën pjesë në grupin e ferrit. “Grupi ynë është shumë i vështirë, çdo pikë e fituar është pozitive, ndërsa çdo humbje është negative, sqaroi më tej Murinjo. Borusia dhe Reali janë skuadrat më të forta, por edhe Siti e ka mundësinë të rikuperojë. Të 4 skuadrat janë nën presion dhe kjo e bën detyrën tonë akoma edhe më të vështirë. Ndaj Borusias do të luajmë në shtëpi dhe shpresojmë të marrim rezultatin e kërkuar”.


 


Champions League


SOT


Grupi A


20:45 Dinamo Kiev- Porto


20:45 PSG.-Dinamo Zagreb


Grupi B


20:45 Olimpiakos P-Montpelie


20:45 Shalke-Arsenal


Grupi C


20:45 Milan-Malaga


20:45 Anderleht-Zenit


Grupi D


20:45 Mançester S.-Ajaks


20:45 Real Madrid-Borusia D.


 


NESËR


Grupi E


20:45 Çelsi-Shakhtar D.


20:45 Juventus-Nordsjaelland


Grupi F


20:45 Bajern Mynih-Lilë


20:45 Valencia-BATE Borisov


Grupi G


20:45 Benfika-Spartak Moscow


20:45 Sëlltik-Barcelona


Grupi H


20:45 Braga-Mançester J.


20:45 CFR Kluzh-Galatasarai