Klubi ankesë në FSHF, por tani ka kundër edhe tifozët e tij


“Vendimet e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Enea Jorgji, dhe të asistentëve të tij kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin final”


Altin Manallari


Gabimet e gjyqtarëve janë një çështje e nxehtë në futbollin europian, të cilët kanë bërë të shpërthejë një polemikë e pafundme në kampionatet kombëtare më të rëndësishme të Kontinentit të Vjetër. Në të janë përfshirë klube gjigante si Juventus, Milan, Inter, Mançester Junajtid e Çelsi etj. Por që nga dita e djeshme këtij grupi i është bashkuar edhe 24 herë kampionia e Shqipërisë, Tirana, e cila më në fund e ka gjetur fajtorin për humbjen e të dielës në kampionat ndaj Kukësit: Ai është gjyqtari kryesor, Enea Jorgji, së bashku me dy asistentët e tij. Drejtuesit e klubit bardheblu i janë drejtuar dje FSHF-së në përmjet një ankese në lidhje më këtë çështje. Në letër shprehej “indinjata e thellë për mënyrën e gjykimit të sfidës në fjalë. Klubi 24 herë kampion i vendit gjykon se “vendimet e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Enea Jorgji, dhe të asistentëve të tij kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin final, i cili nuk përputhet me lojën e zhvilluar dhe me episodet e krijuara në të. Gjatë ndeshjes në fjalë, trupa e gjyqtarëve ka mbajtur një qëndrim të theksuar të njëanshëm, duke aplikuar shpesh dy standarde gjykimi për fakte të ngjashme, shkruhet në letër-ankesën e klubit. Siç mund të konstatohet lehtësisht prej materialit filmik të ndeshjes Tirana-Kukësi, Jorgji, dhe asistentët e tij kanë paraqitur një tendenciozitet të hapur në disfavor të ekipit tonë përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, duke krijuar dyshime të bazuara për integritetin profesional. Klubi i Futbollit Tirana i bën thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit dhe strukturave të saj, më konkretisht Sektorit të Arbitrimit, të rrisë kontrollueshmërinë dhe rigorozitetin, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të procesit të gjykimit. Shpresojmë që këto tendenca të mos jenë të qëllimshme, por thjesht gafa të gjyqtarëve, sepse e kundërta do të komprometonte rëndë mbarëvajtjen e kampionatit”. Por kriza e Tiranës nuk mund të justifikohet me gabimet e gjyqtarëve. Madje ajo duket se është thelluar si rrallëherë në këto vite, pasi tashmë skuadra ka humbur edhe mbështetjen e tifozëve, ata të cilët deri dje kanë qenë zemra dhe grinta bardheblu që vinte nga tribunat. Grupimi “Tirona Fanatics”, të pakënaqur nga mënyra se si Tirana është menaxhuar ndër vite, por edhe nga ecuria negative në kampionat dhe jo vetëm, paralajmëruan një protestë në ndeshjen ndaj Kukësit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp dje ky grupim ka akuzuar se “me paramendim dhe në mënyrë të organizuar drejtuesit e klubit tentuan t’i pengonin për të shprehur në shkallët e stadiumit mendimin tyre. “Policia e vendosi të zbatonte urdhrat e dhënë për të na larguar mesazhin që mbanin në duar, ku shkruhej vetëm: ‘Ju nuk jeni Tirona’, thuhet në letrën e ‘Tirona Fanatics” 15 minuta para se të niste ndeshja, sporteli i biletave ishte mbyllur çuditërisht për ne. Përgjegjësia është e klubit dhe e askujt tjetër. Drejtuesit aktualë i konsiderojmë të paftë, në mos dashakeqë. Nisëm të dielën dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi pavarësisht pengesave që mund të na vendosin gjatë rrugës”, ishte paralajmërimi i tifozëve ultras të 24 herë kampionëve.


 


Tirona Fanatics


“Përgjegjësia është e klubit dhe e askujt tjetër. Drejtuesit aktualë i konsiderojmë të paftë, në mos dashakeqë. Nisëm të dielën dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi”