Kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, priti sot në një takim, me kërkesën e tij, Ambasadorin e Bullgarisë në Shqipëri, Shkz. Dimitar Ivanov Arnaudov. Në takim u diskutua mbi raportet midis dy vendeve tona dhe projektet e përbashkëta të bashkëpunimit. Gjatë bisedës është diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend dhe rolin e FRD-së.


Ish-presidenti Topi vlerësoi mbështetjen që Bullgaria vijon t’i japë Shqipërisë në kuadër dypalësh dhe të Bashkimit Evropian. Topi është shprehur i bindur se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të përmbushë në kohë detyrimet e njohura për arritjen e marrjes së statuti të vendit kandidat, dhe se shpreson shumë se dy partitë përgjegjëse do të kalojnë mospërputhjet e momentit për të gjetur një emërues të përbashkët në dobi të interesave të qytetarëve dhe të vendit.


Kryetari i FRD-së theksoi se vota parlamentare dhe angazhimet e saj publike janë e mbeten në mbështetje të çdo projekti interesues, si një interes madhor për vendin dhe si një garanci reale që politikat lokale të ndahen nga modelet negative të tranzicionit dhe të maten me standardet maksimale të Bashkimit Evropian.


6 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)