Barack Obama rizgjidhet për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Barak Obama ka mundur rivalin e tij republikan Mit Romney duke siguruar 303 vota elektorale, kundrejt 203 votave të Romney. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shënuar fitore në disa shtete kyçe, ku gara për Shtëpinë e Bardhë me kandidatin republikan, Mitt Romney, ka qenë mjaft e ngushtë. Fitorja e Obama ka ardhur nga shtetet e “lëkundura” si Ajova, Miçigan, Pensilvani, ndërsa Romney siguroi fitore në shtetin e lëkundur të Karolinës së Veriut dhe në Indiana.


Pas shpalljes së rezultateve Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka falenderuar të gjithë amerikanët për mbështetjen. Ai e nisi fjalimin e firores duke falënderuar votuesit dhe duke ia atribuar fitoren mbështetësve të tij.


“Ne kemi arritur deri këtu falë jush. Kemi mbijetuar ndaj luftërave dhe i kemi dhënë këtij vendi një vrull të madh shprese duke besuar tek ëndrra jonë e përbashkët. Udhëtimi ynë ka qenë i gjatë, por ne arritëm një fitore dhe ne e dimë që më e mira për Amerikën do të vijë. Dua të falenderoj çdo amerikan që ka marrë pjesë në zgjedhje. Zëri juaj u dëgjua dhe ju bëtë diferencën kur zgjodhët mes Obama dhe Romney.  Unë bisedova me Romney dhe e falenderova për fushatën që kreu” tha Obama. Më pas Presidenti Obama ka falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan për të fituar.


“Dua të falenderoj miqtë dhe partnerët, zëvendës/presidentin Joe  Biden. Unë s`do të isha njeriu që jam sot pa ju që më zgjodhët 4 vjet më parë. Nuk ju kam qenë kurrë kaq krenar. Ju dua kaq shumë ashtu siç dua edhe Zonjën e parë. Aty janë dy vajzat e mia. Përpara syve tanë ju do të rriteni dhe bëheni të forta, të zgjuara, ashtu si nëna juaj dhe unë jam krenar për ju. Falenderoj ekipin e fushatës zgjedhore, ekipin më të mirë të të gjitha kohërave. Ju jeni ata që më keni ngritur në rrugën time. Ne besojmë në një Amerikë zemërgjerë e cila është e hapur për fëmijët e emigrantëve, që të realizojnë ëndrrat e tyre. Ne duam që gjithsecili të jetojë i sigurt, por edhe një vend që pavarësisht situatën konfliktuale të ndajë paqen. Ne besojmë në parimet e Amerikës, në fuqinë e Amerikës, në ëndrrën amerikane”, u shpreh Obama përpara miliona mbështetsve të tij.


Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Mitt Romney ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale dhe ka falënderuar mbështetësit dhe stafin e tij.


“Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen. I kam telefonuar Presidentit Obama për ta uruar, familjen dhe zgjedhësit e tij. Vendi është në një moment kritik, liderët të bëjnë detyrën e tyre sa më mirë. Unë besoj tek njerëzit dhe tek Amerika vetë. Garova për president sepse jam i shqetësuar për Amerikën, besoj për një zgjidhje ekonomike, dëshiroja të përmbushja dëshirën tuaj, por vendi zgjodhi një drejtues tjetër. Zoti e bekoftë Amerikën”, – u shpreh në fjalën e tij ish-kandidati për president të Shtëpisë së Bardhë.


Arvizu: Mesazhi i qartë, qeveriset më mirë kur bashkëpunohet


Menjëherë pas fjalimit të fitores së Barack Obama, ambasadori i SHBA në vendin tonë Aleksandër Arvizu, në një prononcim për mediat ka dhënë një mesazh të qartë  për politikën shqiptare. “SHBA vërtetoi edhe njëherë se zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Atyre nuk iu është dashur një javë apo 10 ditë, por 5 dhe 6 orë për të numëruar 106 milionë vota”, u shpreh Arvizu. Ai u bëri apel shqiptarëve të lexojnë dhe rilexojnë fjalimet e dy kandidatëve në zgjedhje dhe do të gjejnë që “pika kyçe e fjalimeve mbetet bashkëpunimi. Tani që zgjedhjet mbaruan dhe presidenti u zgjodh, radha i vjen qeverisjes. Obama tha se zgjedhjet kanë përfunduar, tani nis qeverisja. Qeverisja ka për t’ia dalë mbanë vetëm kur të dyja palët janë së bashku, dhe mbi të gjitha kur qytetarët marrin pjesë”, përfundoi Arvizu.


7 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)