Rezultati i ngushtë mund ta transferojë betejën në gjykata për shumë javë
Analistët e bursave në të gjithë Amerikën po ndjekin nga afër zgjedhjet, për të llogaritur se si do të ecë biznesi i tyre në varësi të fituesit, por për shkak të garës së ngushtë, më shumë se sa fituesi, ata po i shqetëson probabiliteti që gara të përfundojë me pasiguri, me beteja të shumta ligjore të ngjashme me vitin 2000 dhe të dëmshme për ekonominë, raporton “Reuters”.
Sondazhet më të fundit i japin Obamës dy për qind avantazh në krahasim me sfidantin republikan në kuotën 48 me 46 për qind. Mesatarja e shumë sondazheve të ndryshme tregon se presidenti aktual ka një avantazh të vogël, por shumë të rëndësishëm në shtetet e Ohajos, Virxhinias dhe Iouas.
Por, disa analistë bursash, po parashikojnë edhe një skenar më negativ nga ato të zakonshmit. Përsëritjen e historisë së zgjedhjeve të vitit 2000, kur disa qindra vota të hedhura në Florida përcaktuan fituesin, por jo para se palët t’u drejtoheshin gjykatave në beteja të gjata që shkaktuan pasiguri mes investitorëve. Në vitin 2000, George W. Bush fitoi ndaj Al Gore-s.
“Nëse ne zgjohemi të mërkurën dhe nuk e dimë se kush është fituesi, atëherë të gjitha marrëveshjet që kanë për bazë planin fiskal të secilit prej konkurrentëve, do të shtyhen për më vonë”, thotë Art Hogan, një drejtor menaxhues në kompaninë investuese “Lazart Capitals” në Nju Jork.
Tregjet janë të tmerruara nga pasiguria që është krijuar në SHBA, ku duhet të vendoset se çfarë do të bëhet me një paketë rritjeje taksash dhe shkurtim shpenzimesh me vlerë 600 miliardë dollarë. Një vendim në këtë drejtim, cilido qoftë vendimi, mund të çlirojë ekonominë, por zgjatja e betejës nëpër gjyqe do të shtyjë planet për shumë amerikanë. Bursat kanë “qenë praktikisht pa busull gjatë javëve të fundit, për shkak të pasigurisë së krijuar mbi politikat fiskale dhe buxhetore që do të ndiqen vitin e ardhshëm”, thotë Perry Piazza, një strateg investimesh në San Francisko.
Kushdo që të fitojë, politika monetare mund të preket, edhe pse Rezervat Federale në teori janë të pavarura nga qeveria. Një fitore e Romney-t mund të vërë në dyshim postin për kreun aktual, Ben Bernanke. Romney ka deklaruar se do ta zëvendësojë atë, ndërkohë që politika e tij e lehtësimit monetar ka qenë shtylla kryesore për rritjen e çmimeve të bursave gjatë viteve të fundit.
Fitorja e Romney-t do të rrisë luhatshmërinë e interesave, thotë Rom Sowanivk, një investitor në Nju Xhersi. Por në rast se Obama fiton, politika aktuale e lehtësimit sasior ka gjasa që të përshpejtohet.
Ndërsa votuesit amerikanë hodhën votat e tyre, bursat pësuan rritje të lehtë. Volumet e tregtisë së aksioneve qenë të vogla, për shkak se investitorët qenë tepër të përqendruar tek ecuria e zgjedhjeve në shtetet e luhatshme si Ohajo. Ndryshe nga viti 2000, kësaj here mund të jetë Ohajo dhe jo Florida shteti ku do të përcaktohet me pak vota fituesi i zgjedhjeve. Obama po përpiqet të korrë të mirat e vendimit të tij për të shpëtuar nga falimenti industrinë e makinave në SHBA, vendim që pritet të rrisë pjesëmarrjen në zgjedhje në lagjet e punëtorëve të këtij shteti.
“Unë besoj se tregjet anojnë nga bindja se Obama po fiton”, tha një analist për “Reuters”. Indeksi i rëndësishëm S&P është rritur me 67 për qind që nga koha kur Obama fitoi zgjedhjet më 2008-n.
Miliona votojnë
Dhjetëra milionë amerikanë votuan dje për zgjedhjet që, megjithëse njihen në të gjithë botën si zgjedhje presidenciale, në fakt votohet edhe për një numër të madh zyrtarësh të tjerë. Në shumë shtete, dje u votua për kongresmenë apo senatorë. Në shumë të tjera, u votua për kryebashkiakë dhe në raste më të rralla, në konte të caktuara, u votua për zyrtarë të niveleve më të ulëta, për gjykatës apo për krerët e komisioneve elektorale lokale. Shumë amerikanë u përballën me fletë votimi të stërmëdha, ku duhej të zgjidhnin mes dhjetëra kandidatëve që garonin për poste të ndryshme.
Për garën presidenciale, vendimtare konsiderohet pjesëmarrja, e cila, kur është e lartë, favorizon demokratët dhe kur është e ulët, favorizon republikanët.
Garë e shtrenjtë
Gara e djeshme për president ishte më e shtrenjta në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dy kandidatët vlerësohet se kanë shpenzuar më shumë se 2 miliardë dollarë. Më shumë se 30 milionë vota qenë hedhur para ditës së zgjedhjeve. Pjesëmarrja në zgjedhje në SHBA është përgjithësisht e ulët, më pak se 50 për qind, por pjesëmarrja e saktë nuk dihet, për shkak se numri i amerikanëve me të drejtë vote është praktikisht i panjohur.
Në mënyrë simbolike, në një qendër të vogël banimi me 12 banorë, votimi u mbyll brenda pak minutash dhe rezultati ishte barazim 5 vota për secilin nga kandidatët për president.
Për pjesën tjetër të zgjedhjeve, në 11 shtete po votohet për 100 senatorë, si dhe për shumë anëtarë të kongresit. Republikanët parashikohet të ruajnë kontrollin që kanë në kongres, ndërsa demokratët pritet të ruajnë dominimin në senat.
Historia
Mandat i dytë dhe jo më
Në historinë amerikane, Presidenti i parë, George Washington, nën leksionet e një legjende nga Roma e lashtë, imponoi rregullin e pashkruar që një president të mos garojë për më shumë se sa mandati i dytë. Legjenda e Cincinatit tregon për një luftëtar në pension, që u thirr për të shpëtuar Romën nga armiqtë, iu dha pushtet diktatorial dhe e dorëzoi pushtetin për t’iu rikthyer pensionit sapo rreziku për atdheun u eliminua. Rreth 150 vjet më pas, një president, Franklin Delano Roosevelt, e sfidoi këtë rregull të pashkruar, gjë që i detyroi amerikanët ta impononin në Kushtetutë. Zakonisht presidentët amerikanë arrijnë të marrin një mandat të dytë, por kjo nuk ndodh gjithmonë. Njëri prej tyre, Calvin Coolidge, vendosi të mos konkurrojë për herë të dytë në vitin 1928, megjithëse besohej se e kishte shumë të lehtë rizgjedhjen për shkak të popullaritetit që kishte fituar. Ai e pati marrë mandatin e presidentit paraardhës Warren G. Harding, i cili u nda nga jeta, ndërsa gjendej në zyrë. Por në vitin 1928, ai deklaroi se një mandat tjetër do të bënte që ai të qëndronte në Shtëpinë e Bardhë për dhjetë vjet, më shumë se çdo president tjetër. Kjo, sipas tij, ishte e papranueshme dhe për këtë arsye, nuk garoi për mandatin e dytë.