Tafaji: E vështirë, por jo e pamundur. Cungu: Favoritë, por nuk i besoj Tiranës
Altin Manallari
Tani, kur ende nuk janë shuar emocionet dhe polemikat për javën e 9 të Kategorisë Superiore, kalendari i futbollit shqiptar na ofron ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ku do të jenë të impenjuara 16 skuadrat më të mira të ndara në dy grupe. Rezultatet e ndeshjeve të para na ofrojnë përballje interesante në kthim, ku vëmendje maksimale rrëmben ndeshja mes Tiranës dhe Kukësit në kryeqytet, që do të njohë sot aktin e tretë të kësaj sfide në vetëm 14 ditët e fundit.
Tirana – Kuksianët arritën një rezultat historik në takimin e parë, duke fituar 4-0 në fushën e tyre, rezultat thuajse i pamundur për t’u përmbysur nga bardheblutë, që u gjunjëzuan para verilindorëve edhe në Superiore. Ndërkohë që fitorja 1-2 e kuksianëve në stadiumin “Qemal Stafa” në ndeshjen e zhvilluar për javën e 9 të Superiores tregoi edhe një herë se sa e vështirë do të jetë detyra e bardhebluve për ta përmbysur humbjen e thellë në Kupë. Gjithsesi në raste të tilla është e lejuar të shpresosh. Dhe aktualisht kjo është ajo që bluhet në mendjen e 24 herë kampionëve të vendit. Rreziku i eliminimit është i pranishëm kudo, por Tirana nuk dëshiron të dorëzohet. Dhe për këtë arsye trajneri Alban Tafaji është përpjekur gjatë këtyre ditëve të përgatisë skuadrën fizikisht dhe moralisht për një ndeshje të vështirë, ku duhet të japin më shumë se sa 100% nëse dëshirojnë të vazhdojnë me tej. “Humbja ndaj Kukësit në kampionat ishte e dhimbshme për ne, pasi ishte momenti kur prisnim të bënim kthesën e duhur. Megjithatë, për mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet, të gjithë e panë me sytë e tyre se sa ky dështim erdhi për shkak të gjykimit të dobët nga ana e gjyqtarëve”, ka zgjatur më tej polemikat për gjykimin tekniku i kryeqytetasve. Por në përballjen e tretë në dy javë përpara bardhebluve është një sfidë edhe më e vështirë: duhen rikuperuar 4 gola. “Në ndeshjen e kthimit në Kupë ne jemi përgatitur për të dhënë më të mirën tonë, deklaroi më tej Tafaji. E dimë që do të jetë e vështirë, por asgjë nuk përjashtohet. Askush nuk e mendonte se Kukësi mund të fitonte 4-0 ndaj Tiranës në ndeshjen e parë, por ja që ndodhi. Atëherë edhe ne kemi të drejtën të shpresojmë te përmbysja e dizavantazhit të 4 golave në kthim. Skuadra ka potencialin e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Do të jetë fusha ajo që do të tregojë se sa e mundur do të jetë kjo”. Ekipi është grumbulluar dje pasdite pas stërvitjes së fundit. Por trajneri do të duhet të bëjë llogaritë e tij pa tre lojtarë, Ahmataj e Karabeci të skualifikuar për karton dhe Muçollari i pezulluar nga Disiplina.
Kukësi – Ndërsa në kampin kuksian mundohen ta vlerësojnë maksimalisht ndeshjen me Tiranën, edhe pse rezultati 4-0 flet në favor të tyre. Vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë Tiranën nga eliminimi. Megjithatë trajneri Armando Cungu kërkon nga të tijtë përqendrim maksimal dhe deklaron së në fushë do të hedhë lojtarët e tij më të mirë. “Do të kemi një përballje shumë të rëndësishme kundër Tiranës, ku ne do të futemi në fushën e lojës për të siguruar kualifikimin për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Ekipi gjatë kësaj jave është stërvitur dhe grupi i lojtarëve është në formë të mirë. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, dhe në fushë do të zbresim me ekipin më të mirë, pavarësisht se rezultati i takimit të parë na favorizon ne. Tirana është një skuadër, së cilës nuk i zihet besë dhe për këtë arsye, ne do të duhet të jemi të kujdesshëm dhe të bëjmë lojën tonë për të marrë kualifikimin”, përfundoi trajneri Armando Cungu. Në rast të një fitoreje të mundshme në sfidën e sotme, atëherë Kukësi do të konfirmohej si “macja e zezë” e Tiranës në këtë sezon.
Kupa e Shqipërisë
Turi II
Grupi A
Skënderbeu-Kamza (1-0)
Tirana-Kukësi (0-4)
Kastrioti-Apolonia (2-1)
Vllaznia-Shkumbini (0-1)
Grupi B
Teuta-Lushnja (0-0)
Flamurtari-Besa (1-0)
Bylisi-Luftëtari (1-2)
Laçi- Tomori (0-0)