Ligjet


Komisioni Parlamentar i Ligjeve nuk arrin konsensus për miratimin e ligjit për dhënien e amnistisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Shkak janë bërë mosmarrja në konsideratë e propozimeve të opozitës për kufizimin e përfituesve. Socialistët kanë kërkuar që nga kjo amnisti të mos përfitojnë ata persona që janë dënuar për plagosje me dashje dhe për shpërdorim detyre. Deputetët e mazhorancës kanë hedhur poshtë një propozim të tillë me anë të një votimi. Kjo më pas solli dhe përplasjen mes dy palëve. “Ju keni marrë urdhër nga selia e PS-së për të mos votuar një ligj të tillë. Dje ishit pro, sot jeni kundër diçkaje të tillë”, tha Rusmali. Drafti i amnistisë kërkon një shumicë të cilësuar për t’u votuar. Nuk dihet nëse PS-ja do të mbajë këtë qëndrim dhe në votimin final në seancën kuvendore”.


Topalli: Presim që opozita të votojë 3 ligjet


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim ambasadorin e ri të Republikës së Polonisë, Marek Jeziorski. Ambasadori Jeziorski, i cili ka shërbyer si kryediplomat në Shqipëri edhe në vitin 1984, tha se tashmë është një kënaqësi të punojë në Shqipëri, vend aleat në NATO. Ambasadori Jeziorski uroi Kryetaren e Kuvendit lidhur me rekomandimin për statusin e vendit kandidat. “Shpresojmë dhe urojmë, tha ai, që edhe kushtet e vëna të plotësohen sa më shpejt në mënyrë që të progresohet drejt anëtarësimit”. Kryetarja e Kuvendit tha se: “Ppresim që tre ligjet e integrimit të votohen sa më parë nga opozita. Unë e shoh me optimizëm këtë, sepse integrimi në BE është jo vetëm prioritar por edhe një imperativ për politikën shqiptare”.