“Të gjithë këshilltarët të votëbesohen në bashkitë apo komunat nga vijnë”


Fatjona Mejdini


Kryeministri Berisha i ofroi kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, një pakt politik dje për zgjidhjen e ngërçit që ka mbajtur të bllokuar për më shumë se një vit Qarkun e Fierit. Në një moment kur politikës i kanë mbetur dhe dy javë kohë për të plotësuar tri kushtet e radhës të vendosura nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat, Berisha vendosi t’i ofrojë Ramës kompromis në shkëmbim të votave të grupit parlamentar socialist, të cilat do të mundësonin miratimin e tre ligjeve. Kushtit të Ramës, se ligjet nuk do të miratohen në rast se nuk zgjidhjet çështja e Fierit, Berisha iu përgjigj me një propozim, i cili ka në thelb, anashkalimin e vendimit të gjykatave dhe votëbesimin e çdo anëtari të tij. “Unë dua të informoj shqiptarët se, meqenëse ky problem po stërzgjatet, nuk ka një njeri të lirë, shqiptar a i huaj, që të mund të lidhë ligjin e Gjykatës së Lartë me problemin e Fierit. Por, në rast se zoti Rama dyshon në statusin aktual të Qarkut të Fierit, të kryetarit, të anëtarëve të qarkut, unë i ofroj kompromis të qartë politik. Ky kompromis është që secili nga anëtarët e qarkut dhe të gjitha instancat t’i nënshtrohen mocionit të besimit, ata që vijnë nga bashkia, në këshillat bashkiakë, ata që vijnë nga komunat, në këshillat komunalë. Përbërja e këshillit të mund të përcaktohet nëpërmjet këtij votimi, por jashtë kushteve ligjorë, askush nuk mund të cenojë mandatin e këshilltarit”, sqaroi Berisha në lidhje me kompromisin e ofruar. Ai i bëri thirrje Ramës të votonte tri ligjet e mbetura, sepse sipas tij, socialistët nuk mund të nxirrnin kapital politik nga ato, por vetëm bllokonin qytetarët shqiptarë. “Dua t’i rikujtoj se, nëse lexon studiuesit më të mëdhenj të kohërave për shqiptarët, në çdo lloj rrethane, me shkollë e pa shkollë, kudo ku kanë jetuar, pasaportën ata e kanë njësoj: inteligjentë. Gjenitë e fushave si Kretschmer etj., kanë studiuar patentën e tyre psikologjike dhe të intelektit. Ndaj të mos mendohet se qytetarët shqiptarë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis këshillit të Qarkut të Fierit dhe kërkesës së KE-së, për marrjen e statusit nga Shqipëria”, deklaroi Berisha. Kryeministri theksoi se socialistët në thelb nuk kanë kundërshti me ligjet që kërkohen të miratohen. Sipas tij, amendimet në ligjin për Gjykatën e Lartë janë diktuar tërësisht nga grupi i PS-së. Në lidhje me ligjin “Për Shërbimin Civil”, ai theksoi se është hartuar me ndihmën e një kompanie, që ka ekspertizën më të madhe në Europë në çështjen e ligjeve të shërbimit civil dhe të ligjeve të së drejtës publike. Ndërsa në lidhje me Rregulloren e Parlamentit, Berisha theksoi se në asnjë mënyrë nuk mund të pranohej që Kryeministri dhe kryetari i opozitës të kishin kohë të njëjtë për të folur në Parlament, pasi kjo mbi të gjitha ishte antikushtetuese. Ai deklaroi gjithashtu se nëse PS kishte nevojë të shtonte amendime, mund ta bënte këtë, por nuk mund të vendoste ultimatume.