Tri universitete private dalin garant. S’diskutohet shteti, për mungesë mesatareje


Shpresa Mezini


Rreth 45 të rinj, të cilët nuk kanë mundësi për të paguar studimet e larta, kanë përfituar bursë nga Bashkia e Tiranës. Ata janë pjesë e listës së familjeve të regjistruara për përfitim të ndihmës ekonomike, për shkak të të ardhurave minimale me të cilët jetojnë. Por jo vetëm. 45 të rinjtë që kanë përfituar bursë për të ndjekur studimet e larta të nivelit të parë apo të dytë, i janë drejtuar vetë Bashkisë së Tiranës. Përfaqësuesit e këtij institucioni bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se kandidatët për studentë kanë shkruar në postën elektronike të bashkisë dhe i kanë dërguar mesazhe kryetarit Lulzim Basha, me shpresën se do të financohen studimet e tyre. Praktikisht, ëndrra e tyre është bërë realitet, pasi studimet e tyre të larta, qoftë bachelor apo master profesional e shkencor, do të ofrohen falas për këta të rinj. Zyrtarisht sqarohet se disa prej tyre kanë rezultate të larta, ndërsa të tjerë jo, por ajo që i ndalon të ndjekin shkollën e lartë është ekonomia, pamundësia për t’i përballuar financiarisht ato. Mësohet se fill pas kërkesave të të rinjve, drejtuar Bashkisë së Tiranës, kreu i këtij institucioni kontaktoi drejtpërdrejt me universitetet private në vend. Përballë kësaj kërkese, pozitivisht reaguan vetëm 3 universitete private në vend, të cilat kanë garantuar pagesën e studimeve të tyre. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, këta të rinj nuk mund të regjistrohen në publik, për shkak se nuk përmbushin kriterin kryesor, që është mesatarja, por edhe pse kuotat në këto institucione janë plotësuar.


“Sot ka nisur rrugëtimin një ëndërr e bukur për secilën nga zonjushat dhe zotërinjtë që pres në zyrën e kryetarit të bashkisë, pra afro 45 ëndrra, ëndrra e jetës universitare dhe premtimit që sjell përfundimi me sukses i ciklit universitar për shanse më të mira punësimi, mirëqenieje për këta qytetarë të rinj të Tiranës, për familjet e tyre të sotme dhe familjet e tyre në të ardhmen. Unë jam i lumtur që Bashkia e Tiranës ka mundësuar përmes bashkëpunimit me universitetet e kryeqytetit shanset për arsim të lartë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në takimin e zhvilluar dje, Basha përmendi edhe rolin e kartës së studentit, sipas të cilit deri më tani janë shpërndarë 1000 karta nga 1200 aplikime.


“Unë, sikundër theksova dje, pres me padurim që të nënshkruaj të njëjtën marrëveshje edhe me universitetet jo publike, në mënyrë që aksesi në të dhënat e studentëve, i cili është i domosdoshëm për nisjen e procesit, të mundësojë instalimin e makinerive edhe në universitetet jo publike dhe bashkia do ta ofrojë këtë shërbim për të gjithë studentët, kudo që ndodhen. Procesi i aplikimit dhe i marrjes së kartës është falas, kapacitetet prodhuese të kartës janë të plota dhe gjatë muajve të verës, ne kemi përfituar për të nënshkruar një numër marrëveshjesh me zinxhir supermarketesh, me operatorë financiarë dhe banka”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.


Bursat – Rreth 45 të rinj, të cilët nuk kanë mundësi për të paguar studimet e larta, kanë përfituar bursë nga Bashkia e Tiranës


Realizimi – Studimet e tyre të larta do të ofrohen falas jo vetëm në sistemin bachelor, por edhe për master profesional e shkencor


Privati – Pas propozimit që Basha u bëri universiteteve private, vetëm tri prej tyre u përgjigjën pozitivisht