Ministri mbrohet: Kemi certifikatën e DASH. I shmanget çështjes së përgjimit të SHIU-t
BLEDAR HOTI
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pranon kontratën e shitjes së 30 mijë armëve model 53, të cilat i janë shitur Malit të Zi, janë futur transit në territorin e SHBA-së, për të përfunduar në Meksikë, duke shkelur embargon e OKB-së. Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, Imami ka deklaruar se kontrata ekziston, duke pretenduar se për këtë shitje ka një certifikatë nga Departamenti i Shtetit. Ministri i Mbrojtjes iu përgjigj pyetjes së bërë nga deputeti i PS-së, Asllan Dogjani, i cili e ngriti si shqetësim pas publikimit të këtij lajmi një ditë më parë nga gazeta “Shqip”. Ministri e anashkaloi pyetjen e bërë nga socialisti Isaraj për çështjen e pajisjes së përgjimit nga ana e SHIU-t, nëse kanë ose jo një marrëveshje me NATO-n për blerjen e aparaturës. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Sigurisë ku në fokus kishte çështjen e pronave, u shoqërua me debate të ashpra mes pozitës dhe mazhorancës.
Armët e Përgjimet
Asllan Dogjani (PS): Zoti ministër, në lidhje me një informacion që ka publikuar sot gazeta “Shqip”…
Leonard Demi (PD): Thamë se do flasim për pronat ne, jo për armët.
Asllan Dogjani (PS): Po edhe armët janë prona jonë. Gazeta “Shqip” ka publikuar një informacion që ka lidhje me një hetim që ka hapur Prokuroria e Majamit për sa i përket kontrabandës së armëve nga Shqipëria në Malin e Zi në drejtim të Meksikës, janë shitur 30 mijë armë kallashnikovë model 53, duke thyer embargon e OKB-së. Pra i janë shitur karteleve të drogës në Meksikë. Dua të di z. ministër, sa i vërtetë është një lajm i tillë, pasi dhe ne në denoncimet tona kemi paraqitur fakte që janë shitur miliona fishekë e granata pikërisht nga këto dy kompani, MEICO dhe “Defence Industry”. A keni pasur një informacion të tillë se këto armë shkojë në kartelet e drogës? E dyta që unë kam, pse i keni bllokuar deputetët për të ushtruar kontroll ligjor në ministri?
Arben Imami: Për çështjen e ardhjes së deputetëve të PS-së në dyert e ministrisë ju kam dhënë përgjigje e kam sqaruar këtë problem, nuk është çështje e sotme, nuk kam ndërmend t’i përgjigjem më. Lidhur për çështjen e shkruar në një gazetë shqiptare sot (dje) nuk është në rendin e ditës, por dua t’ju sqaroj. E mora vesh sot (dje) në mëngjes dhe kërkova informacion. Shitja për të cilën bëhet fjalë është e deklaruar, është në uebsajtin e AKSHE-së, Autoritetin e Kontrollit Shtetëror. Janë 30 mijë copë pushkë, model M-53. Janë shitur si të tilla, janë deklaruar si të tilla. Pra janë shitur dhe blerë si të tilla me një “end-user”, i cili ka marrë certifikimin me numër 110234, datë 16 mars 2011 nga Departamenti i Shtetit. E njëjta kompani, në mos gaboj, ‘Centery Arms LTD’, në vitin 2000, ka blerë 22.500 pushkë automatike model 53. E vetmja gjë që ka ngjarë është se ne i kemi shitur me një çmim 125% më të lartë.
Arben Isaraj (PS): Pyetja e parë lidhet me Qendrën Ndërkombëtare të Informimit që ju e keni blerë, për të cilën është dëgjuar në media, për të cilën ka akuzuar opozitën për të famshmen “Nick Cell”. Pyetja ime është pra për Qendrën Ndërkombëtare të Informimit Mobile, Cells. Me sa dimë ne, në momentin që e keni blerë, ju nuk keni një marrëveshje të shkruar me NATO-n dhe strukturat e saj për përdorimin e kësaj pajisje. Pyetja ime është, ende vazhdon kjo situatë që ju e mbani atë në Shqipëri pa marrëveshje me NATO-n, si do ta trajtonit ju? Pyetja e dytë është në lidhje me përdorimin e këtij informacioni dhe me indikacionin që kanë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me NATO-n dhe më gjerë. Vazhdon të rezultojë për ju zoti Imami që Bahri Shaqiri është drejtues i një celule ekstremiste socialiste?
Arben Imami: Padyshim që informacioni është një pasuri themelore që ne kemi, por nuk mund të flas sot këtu, nuk jam as i përgatitur. Megjithatë atë që mund të themi është që ne në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kemi pasur ndonjë problem. Lidhur me sistemin e pajisjeve të SHIU, siç e kam thënë gjithmonë janë të mbrojtura nga ligji i sekretit shtetëror. Nuk e di këtë etiketë për ish-shefin e SHISH, por nuk është çështje e përgjigjes për t’u bërë këtu.
Ministri, debate të ashpra me opozitën. “Nuk ju hap dyert, as komisionin hetimor nuk do ta keni”
Imami: Gabim teknik me pronat.
Lutaj: Po sa të tilla ke bërë?
Majko – Imami ka luajtur kartën paraardhëse, duke deklaruar se ka vepruar njësoj si ish-ministri Pandeli Majko për çështjen e pronave
Debate të ashpra u zhvilluan në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë për çështjen e shitjes së pronave të ushtrisë. Opozita akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se ka kryer afera korruptive me çështjen e pronave. Ministri Imami ka deklaruar se “institucioni që ai drejton ka shitur zero prona. Ato i kalojnë Ministrisë së Ekonomisë, e cila bën shitjen dhe se opozita vetëm shpif”. Imami ka gjetur tezën e mbrojtjes para opozitës, duke deklaruar se ka vepruar njësoj si ish-ministri socialist Pandeli Majko. “Me të gjitha këto që përmenda, dua të them se ministri Majko ka vepruar drejtë dhe në bazë të ligjit. I njëjti shqetësim mbetet për të gjithë ne edhe sot”, tha Imami. Deputeti i PS-së, Arben Çuko, i ka ndërhyrë duke theksuar se “kjo tezë nuk qëndron pasi edhe ti në atë kohë ke qenë ministër në qeverinë socialiste”. “Zoti ministër, e keni seriozisht se Ministria e Mbrojtjes nuk rezulton të jetë palë në shitje objekti nga shteti te privati?”, iu drejtua socialisti Lutaj, ministrit. “Jua shpjegova me ligj, nuk shesim prona si ministri, me 100 për qind ju deklaroj se nuk kemi shitur prona. Ato kalojnë nëpërmjet privatizimeve”, theksoi Imami. Por Lutaj, me anë të një dokumenti të vetë Ministrisë së Mbrojtjes, ka rrëzuar këtë pretendim. “Kam këtu një dokument të hartuar nga njerëzit e tu që ju bëjnë ju objekt ose subjekt në shitjen e një aseti të Ministrisë së Mbrojtjes. Ju jeni palë në shitjen e një objekti që është shitur në mënyrë ekstra kontabël dhe pa dokument dhe është në kundërshtim flagrant me ligjin”, tha Lutaj. Bëhej fjalë për pronat e Klubit Sportiv Partizani. Një fakt i tillë nxehu Imamin, i cili fillimisht tha se “ky është një gabim teknik”. “Po sa të tilla ke bërë ti zoti ministër, e nise që me emërimin e gjeneralit kur shmange presidentin”. “Ky është një shembull tjetër i një demagogjie pa vlerë, prona si tokë i është kthyer nga Ministria e Privatizimit, jo nga unë, Ministria e Mbrojtjes. Edhe një herë, ministria nuk shet, po bën një gabim drejtoju ligjit. Ka pasur një gabim, siç ka ndodhur. Asnjëherë nuk është në gabimet e mia, flasim për ato të 2004-s”, theksoi Imami. Por, Lutaj i kërkoi atij që “të hapësh Ministrinë e Mbrojtjes, mos e mbaj mbyllur”. “Dyert i hap Parlamenti me ligj”, replikoi me ton të lartë Imami. Kjo acaroi marrëdhëniet mes tij dhe Lutajt. Por Imami në nxehje e sipër theksoi se “harroni dhe komisionin hetimor që keni kërkuar”.
Blushi
“Ky një teatër i PD-së, ministri nuk vjen për opozitën”
Deputeti i PS-së, Ben Blushi, në fjalën e tij e cilësoi si një teatër seancën dëgjimore me ministrin Imami, pasi ai vjen vetëm kur e kërkon PD-ja dhe refuzon kur e thërret PS-ja. “A ka mundësi opozita të kontrollojë Ministrinë e Mbrojtjes, sepse kemi të bëjmë me një teatër të PD-së për të mbrojtur Imamin. Pse nuk vjen ministri kur e kërkon opozita?”, tha Blushi. Kryekomisioneri Leonard Demi e kundërshtoi, duke theksuar se Imami ka qenë i thirrur në emër të komisionit jo nga PD-ja. “Zoti ministër na e thoni ku është problemi, të shkojmë te Ministria e Ekonomisë? Opozita ka pretendimet e saj, por ju jeni gjeneza e problemit se janë pronat e ushtrisë. Me idenë e blerjes së objektit, atëherë ju them nëse Kryeministria ka pronarë, i lind e drejta e parablerjes apo jo? Ju si ministër do ta votoni po me të njëjtën logjikë si kompleksin Partizani? Unë them jo?”, reagoi Blushi.