Seanca e sotme plenare ka nisur me betimin e deputetit më të ri të Kuvendit të Shqipërisë, Auron Tare. Tare mori me vota unanime mandatin si deputet i Partisë Socialiste, pas dorëheqjes së Andis Harasanit. Pas betimit është vazhduar me diskutimet e lira, por nuk kanë munguar debatet.
Debate mes Topallit dhe Oketës
Kryetarja e Parlamentit i ka ndërprerë fjalën nismëtarit të FRD-së, Gazmend Oketa, ndërsa po fliste për Lirak Bejkon, ish-i burgosuri politik i cili u vetëdogj gjatë grevës së urisë. Topalli i ka kërkuar Oketës të ndërpriste fjalën dhe më pas e ka pyetur:
“Kam unë një pyetje për ty, zoti deputet. Xhaxhai yt mos ka qenë kryetar i komisionit të dëbim internimeve? Kaq kam unë. Përgjigjen jepja qytetarëve të Durrësit. Unë kam dosjen, ti më kallzon mua”.
Oketa ka reaguar menjëherë pas këtyre akuzave duke deklaruar se Topalli i mungon dëshira të flasë brenda asaj salle për vetë mënyrën sesi funksionon Kuvendi i Shqipërisë. “Unë kërkova fjalën për ti kërkuar Parlamentit të respektojë kujtimin e Lirak Bejkos, i cili kaloi shumë vite i persekutuar nga regjimi komunist, por jeta e tillë ishte shkruar që në këtë të ashtuquajturën demokraci shqiptare të vazhdonte të persekutohej. Mesa duket kryetarja Topalli s`ka asnjë koment për të persekutuarit dhe për kërkesat e tyre edhe kur qytetarët në shenjë dëshpërimi arrijnë në akte vetëflijimi, të cilat askush nuk i dëshironte. Mesa duket politikanët shqiptar më shumë sesa jeta e qytetarëve kanë karrierën e tyre”, ka thënë Oketa për mediat. Për akuzën e Topallit se ka pasur një xhaxha me komisionin e internimeve , Oketa është përgjigjur se sfidon këdo të hapen dosjet.
“Maxhoranca të hapë dosjet që nga kryetarja e vet. Nuk bie pre e këtyre lojerave politike. Meqë më përmendi Durrësin, unë jam votuar edhe për shkak të mbiemrit dhe respektit që durrsakët kanë për familjen Oketa. Ajo të hapë dosjet duke nisur nga vetja, kryeministri, kryetari i opozitës dhe të përqendrohet në grupin që ajo përfaqëson” tha Oketa.
Berisha: Kërkoni mocion për Fierin, Ruçi: Berisha, je kokrra e mashtruesit
Çështja e qarkut të Fierit është bërë objekt debatesh dhe replikash të forta mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje sërish opozitës të votojë tre ligjet e kërkuara nga BE për marrje e plotë të statusit kandidat dhe ka riftuar PS-në të zgjidhin çështjen me anë të një mocioni mosbesimi për këshillatarët për çdo komunë dhe këshillin e qarkut.
“Formula e propozuar dje që të vemi në votëbesim cdo këshilltar të qarkut në çdo këshill bashkiak dhe komunë ishte e qartë. Nesër më bëni mocion kur të doni, po ju se bëni se nuk doni debat, pra problemi është këtu të bëhet të vendoset me marrëveshje për çdo Komunë dhe Këshill, Qarkun dhe kjo është zgjidhja e më e duhur. Se bllokimi i këtyre ligjeve për një situatë që nuk lidhet më askërkush, është dëmtim i kërkesave jetike të çdo qytetari. Kjo ofertë nuk ka bazë, ku të hidhet poshtë, doni të procedojmë me marrëveshje dhe ne jemi të gatshëm të vendosim mocion për secilin, por askush, as ju nuk mund t’u diktojmë votën e qytetarëve”, ka thënë Berisha.
Menjëherë pas këtyre deklaratave ka reaguar kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, i cili e ka quajtur propozimin e Berishës të pa bazuar në argumente, sepse legjislacioni nuk ka mocion për të zgjedhurit.
” Të kam ndjekur me vëmendje në mbledhjen e grupit të PD-së, në mbledhje e qeverisë dhe sot. Ti, ose propozon ose ofron zgjedhje politike për çështjen e Fierit. Më fal për terminologjinë që do përdor, por, në të gjitha vendet ku kam shkuar të kam dëgjuar dhe kam menduar, ose ju jeni budalla, ose bëni budallanë. Por, jo, ju s’jeni as budalla, as kini pse bëni budallanë, por ama një gjë është se, vetëm argumente s’ke.
Së pari me legjislacionin shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, por të çdo vendi demokratik hyn në liritë dhe të drejtat e të zgjedhurve se nuk ka mocion, për të zgjedhur. Dhe rastin e morët dhe për Paulinin, i cili hyn në liritë dhe të drejtat e të zgjedhurit dhe s’mund ti bësh mocion, këtu që ju predikoni dhe bëni si ofertë pikërisht keni bërë se pikërisht Qarkun Fierit e fitoi PS, ju e dini shumë mirë se sipas ligjit mandatet ratifikohen sipas ligjit, dhe është ai që ia çon kryetarit të Bashkisë dhe thërret natën, Këshillin e Qarkut. Ishin deputetët e tu në mbledhjen e parë ku njihen mandatët e këshillit të Qarkut, mbledhja u ratifikua me 2 raunde, fitoi pikërisht kjo ofertë që bëni ju, që kjo që është bërë nuk është bërë me iniciative të kundraligjshme, por me porosi tuaj.
Lëvizni se u bë mocioni i mosbesimit dhe ndryshoni numrin e anëtarëve të Këshillit të Qarkut të Fierit të PD e PS. Pikërisht ky numër u atakua në Gjykatë dhe Gjykatat me vendim të formës së prerë, e pra nuk është ofertë ka dhe nuk ka marrëveshje politike për të shkelur ligjin dhe për të hedhur në koshin e plehrave vendimin e gjykatave. Ndaj them, tani ti ose bën budallanë, ose je budalla dhe se kupton, por jo asnjë nga këto, është e kjo e treta, je kokrra e mashtruesit”, ka thënë Ruçi nga foltorja e Kuvendit.
Rrëzohet kërkesa e PS-së për hetimin e ministrisë së Mbrojtjes
Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për krijimin e një komisioni parlamentare për të hetuar Ministrinë e Mbrojtjes. Shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh për ngritjen e një komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të ligjit në veprimtarinë e Shërbimit Informativ Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes për periudhën Janar 2009 – Tetor 2012”, ashtu siç pritej ngjalli debate mes palëve.
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, lexoi kërkesën e depozituar në Kuvend nga 35 deputetë. Sipas tij ka gati një vit që grupi parlamentar i PS-së ka kërkuar një iniciativë për mbikëqyrje parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është bllokuar në mënyrë të pa precedentë. “Kërkesa për hetim merr shkas nga refuzimi i ekzekutivit, përkatësisht ministrit të Mbrojtjes për të njohur autoritetin e legjislativit, posaçërisht komisionin e Sigurisë Kombëtare, i cili me datë 18 maj 2012 vendosi unanimisht të mbikëqyrë veprimtarinë në MM, përfshirë edhe veprimtarinë e SHIU-ut”, u shpreh Lutaj. Pas kalimit të votë, kërkesa e paraqitur në Kuvend nga deputetët socialistë është rrëzuar.
Miratohet Projektligji për Amnistinë
Kuvendi ka miratuar me 126 vota pro projektligjin për “Dhënie Amnistinë”. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka garantuar deputetët se ligji nuk lë asnjë shteg për abuzime. Sipas Halimit, për të është punuar me ekspertë në lidhje me përgatitjen e neneve për personat që do të amnistoheshin, mund të kishim amnisti më të gjrrë.
“Në kuadër të 100 Vjetorit nuk mund të rrinim pa paraqitur një pr/ligj po aq të rëndësishëm për faktin se në gjithë këto vite pluralizëm në cdo përvjetor ky Parlament ka miratuar një ligj për amnistinë”- tha Halimi.
Kuvendi ka miratuar me 127 vota pro projektligjin për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.
Rendi i ditës
Sot pritet të votohet projektligji “Për dhënie amnistie”, i cili kaloi një ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve. Në variantin përfundimtar që do t’i paraqitet sot seancës parlamentare u vendos që të mos përfitojnë amnisti komisionerët e zgjedhjeve, të cilët akuzohen për prishje të procesit zgjedhor. Po sot pritet shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të ligjit në veprimtarinë e Shërbimit Informativ Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes për periudhën janar 2009 – tetor 2012”, e cila pritet të ngjallë debate mes palëve.
Ndërkohë në seancë janë përfshirë edhe dy interpelanca, ku njëra është e Ministrit të Transportit Sokol Olldashi, kërkuar nga deputeti Nasip Naço dhe e dyta është me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, kërkuar nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjithashtu do të ketë edhe një seancë e pyetje -përgjigje kërkuar nga deputeti Taulant Balla me Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në seancën e sotme do të jenë sërish të përfshira në rend dite tre ligjet që kushtëzojnë marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat për në BE. Konkretisht, janë ligji për Gjykatën e Lartë, ai për Nëpunësin Civil dhe reforma parlamentare, të cilat qëndrojnë në kalendar në pritje të konsensusit të Partisë Socialiste. Kjo e fundit ka kërkuar fillimisht zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit dhe garanci që mazhoranca do të pranojë trajtimin e barabartë të shumicës dhe pakicës në sallë.
8 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)