Humbet Barcelona, Çelsi e Mançester Junajtid përmbysin në fund, ndërsa vetëm skuadra e Fergusonit siguron kualifikimin për në turin tjetër me pikë të plotë, 12. Grupi me ndeshjet më interesante ka qenë ai E. Çelsi fitoi me përmbysje ndaj Shaktar Donetsk. Një pjesë e parë e bukur është luajtur në “Stamford Bridge”, ku Çelsi ka udhëhequr me rezultatin 2-1 ndaj Shakhtar Donetsk. Një ndeshje me shumë raste, e zhbllokuar në minutën e 6-të nga Torres dhe e barazuar në të 9-ën nga Uillian. Por një perlë nga Mesfusha e Oskar riktheu në avantazh “Blues”-sat në minutat e fundit të fraksionit të parë. Menjëherë sapo filloi e dyta janë ukrainasit që barazojnë sërish me Uillian. Por një Gol i Moses në minutën e fundit vendos fitoren e anglezëve. Juventusi shkatërron 4-0 Nordsjalland. Bardhezinjtë brenda 45 minutave të para kanë konsoliduar fitoren, pasi udhëhiqte 3-0. Italianët kanë administruar lojën ndaj danezëve të mbyllur në zonën e tyre të portës dhe të paaftë të nisen në aksione efikase. Një ndeshje menjëherë në dishezë për Juven, që pas 6 minutash kaloi në avantazh me Markizio. Në të 23-ën dyfishoi Arturo Vidal. Ndërsa në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i Xhovinkos, falë një asisti të Pirlos. Pas humbjes me Interin, “Zonja” është shfaqur në fushë e uritur dhe agresive, duke zhvilluar një lojë të pëlqyeshme dhe një presing asfiksues. Në pjesën e dytë, një gol i Kualiarelës (75’) vulos gjithçka në 4-0. Surpriza e mbrëmjes ka qenë humbja e Barcelonës 2-1 në shtëpinë e Sëlltikut. Spanjollët kanë luajtur një ndeshje të jashtëzakonshme me raste të shumta dhe me dy shtylla të shënjestruara nga Mesi dhe Aleks Sançez, por 45 minutat e para janë mbyllur me rezultatin 1-0 në favor të vendasve, të cilët morën maksimumin nga rasti i vetëm që krijuan. Edhe në pjesën e dytë dominon gjithçka Barcelona, por skocezët mbrohen mirë dhe shënojnë edhe golin e dytë me Uat (83’). Por goli i Mesit në minutën e ‘90-të vlen vetëm për statistikë, pas humbjes së parë në këtë sezon. Goleadë 6-1 ndaj Lilës. Gjermanët e kanë kthyer në një goleadë ndeshjen e luajtur në shtëpi. Pas vetëm 45 minutave të para udhëhiqnin 5-0 me golat e Shvjanshtajgër (5’), Pizarro (18’, 28’, 33’), Roben (23’). Në fillimin e pjesës së dytë miqtë ngushtojnë me Kalu (53’), por Kros (66’) shënon edhe golin e 6-1. Mançester Junajtid vuan dhe përmbys duke fituar 2-1 në fushën e Bragës. Në Portugali janë luajtur 45 minuta luftarake, por goli i zhbllokimit të ndeshjes u ka buzëqeshur vendasve, të cilët shënojnë me Alan (49’) me penallti. Van Persi dhe Runi (11-m), e Hernandez vendosin fitoren.
Ndeshjet
Barcelona dominon, por në fund feston Sëlltiku. Çelsi e Mançester u gëzohen fitoreve në minutat e fundit. Juventus e Bajern bëjnë goleada