Viti 2013-2014, regjistra të rinj në shkolla. Vlerësim me shprehje jo me nota


Shpresa Mezini


Vitin e ardhshëm shkollor, nxënësit e klasës së tretë, si po mësuan si po nuk mësuan nuk do të ngelin më në klasë. Ligji i vjetër i arsimit parauniversitar lejonte vetëm kapërcimin e nxënësve nga klasa e parë në të dytën dhe nga e dyta në të tretën, ndërsa i riu, i miratuar disa muaj më parë nga qeveria, toleron edhe vogëlushët e klasës së tretë. Kështu, duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, 2013-2014, të gjithë nxënësit që frekuentojnë klasën e tretë, edhe pse do të vlerësohen negativisht nga mësuesit nuk do të ngelin, do të kalojnë në klasën e katërt. Përjashtim do të përbëjnë vetëm rastet kur një propozim i tillë vjen nga prindërit e vogëlushëve, të cilët kanë vështirësi në mësimin dhe përpunimin e njohurive që ofrojnë tekstet e këtyre klasave. Për rrjedhojë, specialistët e Ministrisë së Arsimit sqarojnë për gazetën “Shqip” se edhe vlerësimi për nxënësit e klasës së tretë nuk do të bëhet më me nota, por me shprehje: Mirë, Shumë mirë. Kjo do të thotë që vitin e ardhshëm, regjistrat për këtë klasë do të ndryshohen. Ato do të hartohen me kuti të posaçme, që përmbledhin vlerësimin me shprehi jo më me nota.


E kundërta ndodh me nxënësit e klasave të tjera, arritjet e të cilëve vlerësohen me nota, numra të plotë nga 4 deri në 10, ku nota më e ulët kaluese është pesa. Kjo është një nga pikat që parashikon ligji i ri për arsimin parauniversitar. Kështu, ndonëse gjatë viteve të mëparshme nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta konsideroheshin mbetës nëse nuk vlerësoheshin me nota kaluese, për rrjedhojë përsërisnin klasën, vitin e ardhshëm e në vijim MASH ka vendosur të lehtësojë procedurat për këta vogëlushë. Ky vendim mund të ndryshojë në rast se prindi këmbëngul që fëmija e tij ta përsërisë klasën në mënyrë që të mos anashkalojë njohuritë që ofron secila, pa kaluar te tjetra.


Cikli bazë


“Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm, i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë”, – thuhet në ligjin e ri të arsimit parauniversitar. Rreth një vit më parë Ministria e Arsimit propozoi ndryshime në arsimin bazë, konkretisht në atë fillor, i cili tashmë është me 6 klasë, jo më me 5. Kështu, ligji i ri parashikon që ciklit fillor t’i shtohet një klasë më shumë, çka do të thotë se sistemi parauniversitar nuk do të jetë më 5+4, por 6+3. Sipas këtij ndryshimi, klasa fillore do të jetë e zgjatur në kohë për një periudhë gjashtëvjeçare, ndërkohë që tri klasat e tjera do të përmbyllin ciklin e arsimit bazë. Specialistët e Arsimit sqarojnë se ky ndryshim vjen si pasojë e rishikimit të kurrikulës dhe përshtatjes së saj me kurrikulat e përparuara europiane. Sipas studiuesve, dallohen dy faza të zhvillimit mendor të fëmijëve, ku në periudhën 6-12 vjeç mbizotëron të menduarit konkret, ndërsa pas kësaj ai abstrakt. Duke qenë se me strukturën e vjetër niste më herët nga sa duhej doza e të menduarit abstrakt, u mendua që të ndryshohej duke e i shtuar fillores një klasë më shumë.