Siri
Bombardimi i tyre me mortaja del huq, por akti shënon një fazë të re në konflikt
Rebelët e Sirisë qëlluan me mortaja në drejtim të pallatit presidencial të Bashar al – Assad, por dolën huq, në një sulm që shënon rritjen e kapaciteteve të tyre dhe që jep shpresa se ndoshta rrëzimi i sundimit 42-vjeçar të familjes Assad është pranë.
Ndërsa dhuna u shtua në pjesë të tjera të vendit, Turqia tha se do të kërkojë nga NATO stacionimin në territorin e saj të raketave mbrojtëse Patriot për t’u mbrojtur nga ndonjë goditje e mundshme me raketa balistike nga Siria dhe për të shpëtuar Turqinë nga zgjerimi i konflikt. Lufta në Siri ka shkaktuar sakaq shumë probleme me stabilitetin në Liban dhe ka vënë në vështirësi shumë shtete të tjera, duke kërcënuar paqen në një rajon të gjerë. Kjo është kriza që përbën edhe sfidën më të madhe të Presidentit Obama në fillim të mandatit të tij të dytë.
Banorët e Damaskut i thanë “Reuters” se predhat e kalibrit të gjerë patën synuar të godisnin pallatin presidencial, por u përplasën në lagjen aty pranë të banuar nga sirianët alevi. Media shtetërore njoftoi se së paku tre vetë qenë vrarë dhe shtatë të tjerë u plagosën në këtë sulm.
Rebelët janë përqendruar në goditjen e objektivave të profilit të lartë dhe me kuptim simbolik për regjimin. Gjatë javës së fundit ata kanë shtuar goditjet brenda kryeqytetit Damask duke vënë bomba.
Lufta në Siri ka marrë karakteristika gjithnjë e më shumë sektare, ku rebelët janë përgjithësisht myslimanë suni që po luftojnë një ushtri të bazuar te myslimanët alevi.
Një njësi e rebelëve njoftoi se e vuri nën shënjestër pallatin presidencial, që është i vendosur në një kodër mbi qytet, por nuk arriti ta godiste. Nuk është e mundur të mësohet nëse Assad qe në pallat gjatë kohës së sulmit.
“Ky operacion erdhi në përgjigje të masakrave të kryera në qytetin tonë të dashur”, njoftoi grupimi rebel “Luanët e Islamit”. Ata shtuan se kanë goditur edhe një aeroport ushtarak dhe zyra të shërbimeve sekrete në kryeqytet. Një gjykatës dhe vëllai i kryeparlamentarit të këtij vendi janë vrarë në atentate me bomba gjatë ditëve të fundit.
Rivalitetet rajonale dhe ndërkombëtare kanë penguar përpjekjet për t’i dhënë një zgjidhje të konfliktit përmes ndërhyrjes nga jashtë. Rusia dhe Kina kanë vendosur veton ndaj rinismave për rezolutë të organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Konflikti ka detyruar edhe vendet fqinje të përzihen. Turqia i është përgjigjur me bombardime rënies së disa predhave në territorin e saj, përgjatë kufirit që është kthyer në fushëbetejë mes qeverisë së Assad dhe rebelëve.
Një zyrtar i lartë i Turqisë tha së fundmi se i kanë kërkuar NATO-s mbrojtjen me raketa Patriot të kufirit të saj 910 kilometra të gjatë me Sirinë. Ankaraja dyshon se Assad mund të përdorë raketat e tij të prodhimit sovjetik. SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore thonë se zgjidhja është penguar edhe nga ndasitë e mëdha që ekzistojnë mes grupimeve të ndryshme të opozitës. Opozita pritet të zgjedhë një lider të ri këto ditë në Katar, një hap që mund të krijojë një front të bashkuar kundër Assad.